Ekonomiksi i pikave që rrjedhin poshtë

(Trickle-down economics) Një teori ekonomike[1] që beson se pasurimi i të pasurve krijon kushte për investime shtesë dhe rrjedhimisht, vende të reja pune dhe mirëqenie për të gjithë. Kjo është teoria që mbështet reduktimin e taksave për të pasurit dhe lejimin e rritjes së pabarazisë ose nuk shpreh shqetësim për pasojat shoqërore të pabarazisë. Teorikisht, nëse një i pasur ka mundësitë për një jetesë luksi, fjala vjen, të blejë një jaht luksoz, mirëqenia e tij “rrjedh poshtë” te shtresat më të ulëta të shoqërisë për shkak se jahti, ndonëse një objekt tepër luksi, krijon vende pune në të gjithë zinxhirin e punës që e ka prodhuar atë ose që është angazhuar në mirëmbajtjen e tij. Kritika kryesore ndaj teorisë në fjalë është që asetet në duart e super të pasurve, qofshin këto jahte, shtëpi apo para, kanë efikasitet përdorimi shumë më të ulët se sa asetet në pjesën tjetër të shoqërisë dhe për rrjedhojë, përqendrimi i aseteve në pak njerëz sjell efekte totale negative në ekonomi. Gjatë viteve të fundit është vënë gjithnjë e më shumë në diskutim se sa shumë rrjedhje për poshtë ndodh nga pasurimi pa limit i atyre lartë dhe se sa shumë nga shtresat e ulëta e gjejnë veten efektivisht të përjashtuar nga “pikat që rrjedhin”. Fjalorthi Ekonomik

 

 

[1] Aktualisht ka një debat nëse kjo është një teori ekonomike apo thjeshtë një sajesë politike e përdorur për retorikë të palidhur me ekonomiksin. http://www.tsowell.com/images/Hoover%20Proof.pdf

You may also like...