Elitat e rreme dhe Vikari i Krishtit në Tiranë
Papa Françesku ka shumë arsye për të qenë një figurë shumë në modë dhe i pëlqyeshëm për shumicën e Evropës. Por nuk është kjo arsyeja se përse elita e rremë e vendit tonë po yshten dita ditës për të treguar se kush e do më shumë papën. Këtu nuk e kam fjalën për ironinë se kush e ka rregulluar sheshin, një bashki inekzistente apo një qeverisje propagande.
Fjala është për servilosjen që shtrihet edhe përtej kuptimit të Papës si një figurë më shumë qiellore se sa tokësore. Sepse, ndryshe nga se mendojnë Çezarët e këtij vendi, institucioni i Papës në vetvete përfaqëson dlirësinë morale, pastërtinë, sipas teologjisë ai është vikari i Krishtit në tokë. Kësisoj lind pyetja; A kanë moral elita jonë e rreme që t’i shkojë pranë kësaj figure kur ato janë të ndyrë me sa e sa mëkate?
Akoma më tej, bulevardi Dëshmorët e Kombit është kthyer në një vend-varje, ku qeveria ka varur portretet e priftërinjve ortodoks e të krishterë të pushkatuar nga rrëgjimi komunist. Nga e gjithë kjo skenë të lindin në mendje disa mëdyshje.
Së pari, i thua vetes se si ka mundësi që kjo qeveri që pranon portretin e diktatorit, që nderon festën e Pezës dhe që përpiqet me objektivitet që të rishkruajë periudhën e monizmit nga ato që deri dje quheshin “inteligjienca e popullit”. Të nderojë përmes vendosjes së këtyre martirëve të Zotit dhe demokracisë?
Së dyti, si mundet kjo klasë politike e përlyer deri në fyt me paudhësitë që shënojnë edhe dështimin e shtetit tonë që të ketë guximin moral për të dalë përpara papës?
Së treti, sa e ndershme është me veten, Papën, vetë besimtarët e së fundi (jo për nga rëndësia) vetë familjarët e këtyre martirëve (siç i ka quajtur) kjo elitë e rreme? Çfarë përpjekjesh ka kryer kjo elitë e rreme për kujtimin jo vetëm në ditët që vjen Papa, por në çdo ditë të vitit? Të gjithë e dimë që asnjë pjesëtar i kësaj elite të korruptuar deri në palcë, nuk ka ngritur as gishtin më të vogël për zbulimin e eshtrave të atyre që kanë humbur jetën nën atë rrëgjim gjakatar.
Në vend që t’i respektojë si viktima të regjimit, i var plot krenari, a thua se është vlerë ë shtuar humbja e tyre. A thua se po të mos qen vrarë ata, nuk do të vinte Papa në Shqipëri apo se kjo do të tregonte se komunizmi ynë nuk qe aq i keq.
Pothuajse kurrë elita politike nuk ka marrë mundimin të nderojë viktimat e komunizmit, të përkujdeset për zbardhjen e fatit të të zhdukurve apo të ndihmojë trashëgimtarët e tyre. Askush nuk është përpjekur të ndihmojë këto familje apo individë që ende sot vuajnë traumën e asaj që kanë përjetuar dje. I vetmi rast kur kujtohen për to, është kur vuajtja e tyre vlen si mall në treg.
Ja pra, elita jonë, elita e cila do të presë papën është burimi më i madh i asaj që Papa nuk do të propagandojë. Gjithsesi, nuk duhet të mërzitemi, një pjesë të kësaj elite do ta shohim në tetor dhe nëntor duke adhuruar idhuj të tjerë, fundja ende nuk kemi parë asgjë!