Emigrimi nga mërzia, jo nga varfëria

Një studim akademik vëren se shqiptarët u larguan më së shumti për shkak të pakënaqësive politike.

 Gjergj Erebara

Shqiptarët mund të qenë “lodhur” nga shteti Amë dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja kryesore e largimit masiv drejt emigrimit. Ky është konkluzioni që mund të nxirret nga rezultatet e një vrojtimi të kryer nga agjencia Eurobarometër në vitin e largët 1992. Vrojtimi u krye në të gjithë Europën Lindore dhe synonte të maste potencialin migrator të popullatave që dolën nga tortura gjysëmshekullore komuniste. Rezultatet e vrojtimit u analizuan shumë vite më vonë nga një profesor i universitetit të Maqedonisë në Greqi dhe një ekspert i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të kërkuar shkaqet që i shtynë shqiptarët drejt emigrimit. Pa shumë surpriza, Shqipëria rezultoi vendi me më shumë vetë të gatshëm për të emigruar në të gjithë Europën Lindore dhe me distancë të largët nga vendi i dytë. Por ekspertët Harry Papapanogos dhe Peter Sanfey zbuluan se ndryshe nga teoritë klasike të shkaqeve të emigrimit, niveli ekonomik nuk qe domethënës për Shqipërinë. Përkundrazi, shqiptarët më me mirëqënie, kishin tendencë më të lartë për të emigruar dhe qenë më të bindur mbi nevojën për të ikur.

Studimi i tyre “Qëllimi për të emigruar në vendet në tranzicion, rasti i Shqipërisë”, u përgatit në vitin 2000 dhe u publikua në revistën e Ekonomisit të Popullsisë, një publikim akademik ndërkombëtar.

Të gjithë gati

Të dhënat e përgjithshme të vrojtimit të Eurobarometrit në vitin 1992, zbuloi se 38 për qind e popullsisë shqiptare qe e bindur se do të emigronte ndërsa 25 për qind mendonte se ndoshta do të emigronte dhe vetëm 28.6 për qind tregoi se nuk kishte ndër mend të largohej. Në vrojtim u pyetën 870 vetë. Vende të tjera të lindjes që në atë kohë qenë afërsisht (dhe mbeten) po aq të varfër sa ne, qenë shumë më pak të prirur për të emigruar. Moldavia, e cila ka një histori të ngjashme qeverisëse me komunizëm të ashpër dhe me politikë post-komuniste jo shumë të ndryshme nga paraardhësja, zinte vendin e dytë. Mes moldavëve, 27 për qind raportuan se qenë të bindur të emigronin dhe 50 për qind po e mendonin. Mes vendeve të tjera, popullata e bindur për emigracion qe 1-5 për qind ndërsa ata që e kishin me dy mendje, varionin nga 5 në 20 për qind. Në shumicën e vendeve, maxhoranca e popullatës qe e bindur të mos emigronte.

Më të pasur, më të arsimuar

Çudia më e madhe rezultoi nga klasifikimi i gadishmërisë për të emigruar sipas shkallës së arsimimit dhe nivelit të të ardhurave. Ndryshe nga sa besohet gjerësisht, që më të varfrit dhe të paarsimuarit kanë tendencë të emigrojnë më shumë, në Shqipëri rezultoi e kundërta.

Shqiptarët qenë pothuajse të barabartë në vitin 1992, gjë që nënkuptonte se që të gjithë qenë të varfër, megjithatë, kishte disa dallime jo të vogla në të ardhura. Mësuesit e profesionistë të tjerë kishin paga më të larta se sa popullata rurale e kooperativave apo ndërmarrjeve bujqësore. Të ndara sipas nivelit ekonomik, rezultoi se shqiptarët me të ardhura më të larta ishin në masë të bindur ose në mëdyshje për të emigruar ndërsa shqiptarët e të ardhura të ulëta qenë më pak të prirur drejt aventurës Europiane. Kështu, 43 për qind e grupit me të ardhura të larta qe i bindur për emigrimin kundrejt 37.8 për qind e atyre me të ardhura të ulëta. Shumica dërrmuese e teorive ekonomike mbi shkaqet e emigrimit, e kërkojnë origjinën e fenomenit te niveli ekonomik, gjë që nuk rezulton tërësisht e vërtetë në rastin e shqiptarëve.

E njëjta gjë rezulton po të shikohet prirja e emigrimit mes niveleve të ndryshme të arsimimit. Vetëm 30 për qind e të intervistuarve që kishin gjithsej arsim bazë, deklaruan se qenë të bindur për të emigruar. Por mes shqiptarëve me shkollë të mesme, gjysma e patën ndarë mendjen, ashtu siç e patën ndarë edhe 37 për qind e të intervistuarve që patën mbaruar shkollën e lartë. Në anën tjetër, 40 për qind e atyre që kishin arsim bazë qenë të bindur të qëndronin në vend dhe vetëm 16 për qind e të diplomuarve me arsim të lartë ndanin të njëjtin mendim. Pjesa tjetër e të intervistuarve ndaheshin mes alternativës “ndoshta do të emigroj” dhe “ndoshta jo”.

Surprizë tjetër përbën fakti se sa më e lartë të qe hierarkia shoqërore e të intervistuarve, aq më e lartë qe prirja për të emigruar. Meshkujt kishin më shumë tendencë të emigronin se sa femrat për sa i përket situatës së vitit 1992. Kjo gjë në fakt u konfirmua nga faktet.

“Komunistët” mbetën

Një zbulim tjetër interesant nga studimi është fakti se shqiptarët e pyetur nëse dëshironin të emigronin apo jo, u pyetën gjithashtu edhe nëse besonin te tregu i lirë. Mbi 77 për qind e shqiptarëve në atë kohë qenë të bindur se ekonomia e tregut të lirë qe e mirë dhe mungesa e saj, ose ekonomia e centralizuar, qe negative. Megjithëse teorikisht Shqipëria po ecte në atë kohë drejt tregut të lirë, shumica dërrmuese e atyre që besonin te tregu i lirë, e patën ndarë mendjen të emigronin ose po e mendonin seriozisht. Rreth 42 për qind thanë se e kishin vendosur të emigronin dhe 24 për qind thanë “ndoshta po”. Edhe mes atyre që nuk besonin te ekonomia e tregut kishte që e patën vendosur largimin, por natyrisht në përqindje më të ulët.

Pse po arratisen

Pyetja se çfarë i shtyn shqiptarët të vijojnë të emigrojnë masivisht drejt vendeve të Bashkimit Europian edhe dy dekada pas rënies së komunizmit, u shtrua për debat publik javën e fundit, kur censusi i popullatës dhe banesave vuri në dukje se 30-40 mijë shqiptarë kanë vijuar të largohen mesatarisht çdo vit në periudhën 2001-2010. Përgjigjja e përgjithshme se vështirësitë ekonomike i detyron të largohen, duket se është e pamjaftueshme për të shpjeguar emigrimin e një pjese të konsiderueshme të elitës shoqërore, përfshirë pjesën dërrmuese të të arsimuarve që para viteve ’90 jetonin në provinca apo në fshatra. Rezultatet e studimit të Papapanogos dhe Sanfey, ndonëse nuk mund të thuhet se janë tërësisht të sakta pasi bazohen në një numër të kufizuar të intervistuarish, tregojnë se shkaqet ekonomike nuk qenë të vetmet. Mungesa e besimit te elita politike apo elitave kulturore të imponuara nga politika si udhëdrejtuese e vendit duket se janë faktorë po aq të rëndësishëm. Një pjesë e madhe e shqiptarëve që sot jetojnë jashtë vendit, nuk është se ikën, ata në fakt u përzunë.

 

Box

Teoritë ekonomike mbi shkaqet e emigrimit

Douglas Massey publikoi në vitin 1993 një përmbledhje të teorive kryesore shpjeguese për emigracionin, në një kohë kur rënia e komunizmit pritej të shkaktonte valë të mëdha migratore dhe përmbledhja e teorive ekonomike në këtë fushë konsiderohej si e nevojshme në procesin e hartimit të politikave përkatëse nga vendet e zhvilluara. Teoritë e ndryshme që tentojnë të shpjegojnë emigrimin në nivel makroekonomik apo në nivel individual e familjar. Ato janë zhvilluar përgjithësisht pas Luftës së Dytë Botërore. Modele të ndryshme ekonomike si analiza kosto/përfitim, ekuilibri i çmive apo diversifikimi i rrezikut shërbejnë si mekanizma interpretues. Disa nga teoritë janë pragmatiste ndërsa disa të tjera mund të klasifikohen si politikisht të orientuara majtas apo djathtas.

Teoria e ekuilibrit beson se diferenca e pagave mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra është shkaku i emigrimit dhe se emigrimi do të vijojë deri në pikën kur pagat në vendet e varfra do të barazohen me ato të vendeve të pasura.

Teoria mikro tregon se individët kruejnë llogaritë e kosto/përfitimeve nga emigrimi, ku një pjesë e kostos, sakrifica e largimit nga familja e shoqëria, rezulton e pamatshme me para.

Ndërkohë, një teori e tretë beson se emigrimi është në vetvete një diversifikim rreziku për familjet. Familja ndjen se nuk është mjaftueshmërisht e pasur në krahasim me fqinjët e vet dhe për këtë arsye dërgon një nga fëmijët në emigrim për të arritur të njëjtin nivel ekonomik me ambientin që e rrethon.

Një teori tjetër thotë se në të gjitha vendet, tregu i punës ndahet në punë “dinjitoze” dhe punë “jodinjitoze”. Këto të fundit nuk pranohen nga popullata vendëse dhe rrjedhimisht plotësohen nga individë të margjinalizuar si emigrantët e ardhur rishtaz.

You may also like...