Evolimi i të keqes
Gjatë një viti në krye të Bashkisë Tiranë, pasardhësi i parazgjedhur i Edi Ramës, Erion Veliaj është përpjekur të imitojë por edhe të lërë “shenjën” e tij në krye të bashkisë. Përmes propagandës (të kopjuar 120% nga Rama) të shpërndarë në mënyrë sistematike me kaseta tek televizionet vasale, por edhe nëpërmjet fotografive të shkrepura rastësisht nga kamera me vlerë 10 mijë USD/copa, ai ka projektuar veten si shpëtimtari Nr.2 i Tiranës.
Qyteti, përmes disa lyerjeve të fasadave dhe të vijave të bardha në kombimin me ngjyrën e kuqe, ka rilindur me një makiazh të një cilësie superiore. Por në thelb, bërthama e abuzimeve dhe tenderimeve vazhdon të mbetet e njëjtë. Nëse në periudhën e qeverisjes së Bashës, qytetarët ankoheshin për një polici bashkiake klienteliste (që etiketohej me të drejtë nën emrin e Florenc Hoxhës) e cila u merrte makinat ma karrotrec apo luftonte shitësit ambulantë si dhe romët, të njëjtën metodë klienteliste po e ndjek pa asnjë hatërmbetje edhe Veliaj. Klientët janë po ata. Kanë ndryshuar vetëm padronët.
Ndryshimi qëndron edhe në një fakt tjetër, jo pa rëndësi. Nëse nën qeverisjen e Bashës organizatat joqeveritare ishin të parat që sulmonin dhe godisnin një kryetar bashkie që për hir të së vërtetës kishte problemet e veta me qeverisjen, marketingun dhe politikat e tij, të njejtat OJF, heshtin, sëbashku me mediat kryesore, kur të njëjtat veprime të dhunshme kryhen nga kryebashkiaku aktual. Madje, “ambientalistët” më të dalluar të kryeqytetit sot janë anëtarët më të shquar policisë bashkiake (eksponentë të kalibrit të Dritan Hardhisë), ndërkohë që maskarenjtë dhe vandalët ose quhen të shitur tek PD ose janë maskarenj që sapo kanë zbritur në kryeqytet.
Ky fodullëk i pasardhësit Veliaj në raport me protestat qytetare nuk vjen rastësisht. Shumica e protestuesve dhe aktivistëve civilë tashmë kanë ikur nga duart e gjithëpushtetshme të MJAFT dhe organizatave që Erion Veliaj ka drejtuar ose drejtpëdrejt ose indirekt. Vetë ky i fundit është një produkt i një OJF-je që u katapultua në arenën politike në një parti që u krijua, siç disa gojëdhëna flasin, nga paratë e zhdukura nga lëvizja MJAFT. Për ta thënë më shkoqur, Veliaj dhe kasta që ai ka vendosur rreth vetes (hidhini një sy nënkryetarit të bashkisë si dhe këshilltarëve të tij) janë produkt i organizatave jo fitimprurëse.
Pikërisht këto lidhje të shkurtra të këtij individi dhe stafit të tij me OJF-në, ka prodhuar këtë gjendje të mjerueshme, ku sot rrallë gjen ndonjë OJF të protestojë përballë bashkisë për vdekjen e një 17-vjeçari që rropatej për bukën e gojës. Tanimë është e pamendueshme që të gjesh qytetarë të protestojnë për romët dhe largimin e tyre të dhunshëm ka drejtuesit e MJAFT që deri më dje u dilnin në krah dhe merrnin fonde për to. E gjitha kjo sepse Erion Veliaj dhe stafi i tij në bashki (siç edhe një pjesë e rilindjes) janë produkt pikërisht i këtyre OJF-ve, të cilët sa herë opozita është në pushtet hidhen në sulm në emër të vlerave dhe parimeve.
Janë këta pushtetarë që kanë partiakëzuar në mënyrë më të dëmshme se sa vetë partitë politike, aq edhe shoqërinë civile dhe parimet e saj. Këta pushtetarë që sot janë në pushtet jo për shkaqe politike, por për arsye të ndryshme sponsorizimesh që prodhojnë skena të turpshme dhe tërësisht antipolitike siç qe rasti i rrethimit të gjykatës nga një kryetar bashkie. Janë këta persona që nuk kanë aspak qëllimin shoqëror për të drejtuar shoqërinë dhe për ta mbrojtur nga shteti por përkundrazi; janë ata që synim kanë të qenurit pranë pushtetit për ta përdorur dhe më pas për ta kalëruar.
Erion Veliaj është shembulli më i skajshëm, më i jashtëzakonshëm, më real, më i dukshëm, më i reklamuar dhe më i pafalshëm i këtij lloj pushtetari, i cili nuk respekton asgjë dhe që është i gatshëm për gjithcka. Eshtë pushtetari i dalë nga bankat e shkollës së një bote QJQ-sh të krijuar për të inskenuar, zëvendësuar dhe mbytur që në djep “shoqërinë civile”, një teatër absurd ky të cilin e ka përdorur për të qenë aty ku është sot dhe atje ku shpreson të jetë nesër. Prandaj është i gatshëm të mbysë gjithcka dhe këdo pa iu dridhur qerpikët. Eshte lloji i një politikani me të cilin do të na duhet të përballemi sot po aq sa do ta luftojmë nesër.
Të mos të gënjejë mendja askënd. Ndodhemi përballë dikujt që nuk njeh as skrupuj, as rregulla loje.