Fasada Dekriminalizuese
Kur kryetarët e dy partive kryesore në vend (ende) u ulën për të diskutuar për kodin zgjedhor në 2009 kishin si qëllim që të trajtonin edhe fenomenin e të fortëve dhe kriminelëve në parlament. Kryeministri aktual, Rama, deklaroi se falë listave të mbyllura dhe të përcaktuara nga kryetari i partisë do të hiqej mundësia për të vendosur persona me precedentë penalë në listat e deputetëve. Megjithëse 4 vjet më pas, do të ishte po Rama (e jo vetëm ai por edhe Berisha) që do të vendoste në listat e tij persona me të shkuar kriminale.
Ironikisht, kryetari i Partisë Socialiste, do të vendoste në një listë gati katër deputetë të inkriminuar të cilët do ta nxirrnin tanimë më tepër se lakuriq atë dhe mazhorancën që ai krijoi. E gjithë kjo, ishte një përgjigje për shumë pikëpyetje që shumë prej nesh kishin ngritur fill pas zgjedhjeve të 2013. Deputetë të mazhorancës, si me gjysmë zëri filluan të artikulonin qartë atë bindjen se Rama këto të fortë (që dikur i kish pasur edhe Berisha në grada më të ulëta) i kishte rekrutuar me ngritje në detyrë si e si për të sabotuar dhe penguar fitoren e Berishës.
Mirëpo a ia ka vlejtur e gjitha kjo për të sabotuar Berishën?! Logjika e vitit 2013, ku Berisha një superautokrat i cili qe dehur nga pushteti i tij dhe abuzimet, të shtyn të mendosh që Rama ka patur shumë të drejtë. Por nuk mund të logjikojmë kështu në vitin 2015, ku të akuzuarit për krime janë në parlament e vazhdojnë të mbrohen nga kryeministri i vendit. E gjitha kjo është më shumë një vazhdim i asaj dekadence të nisur vite më parë që ka marrë një ngjyrë mavi apo rilindase, e mbështjellë me një tis kitsch-i që hera herës përpiqet të tërheqë vëmendjen e një shoqërie tanimë të qeverisur nga një pushtet i kompromentuar.
Përballë këtij rebusi, që vetë Edi Rama gjendet, ai ka vendosur të çmontojë veten e tij me kujdesin maksimal. Nëse më përpara u përpoq që të devijonte diskutimet për të fortët, sot është e qartë që ai po i “detyron” që t’i largojë nga partia edhe parlamenti (më shumë nga e dyta se nga e para). Por nga ana tjetër ngrihet një pyetje “Çfarë do të pengojë Ramën apo edhe Bashën që të sjellin persona të tjerë të inkriminuar?”
Përgjigja e kësaj pyetje lidhet me ligjin e famshëm të dekriminalizimit, mirëpo a është ky ligj i mjaftueshëm? Unë personalisht gjykoj që nuk është, e jo vetëm sepse ligji mund të ketë kleçka ku njëra palë të përfitojë e pala tjetër jo e as për faktin se ligji mund të bëjë tolerime për të dyja palët. Mbi të gjitha mendoj që ligji në fjalë do të jetë jo dhe aq i respektueshëm nga parti politike që pragmatizmin dhe teoremën makiaveliste e kanë më primare se sa çdo moral tjetër politik apo jo.
Pra, gjendemi përballë një beteje që duket se fitimtarë ka përherë një palë që me një mënyrë apo me një tjetër do të bëjë të keqen më të madhe kundërshtarin sepse kështu ka qenë përherë në këtë vend. Përndryshe nuk mund të shpjegohet se si ka mundësi që Rama në 2013 iu desh të lidhej me Metën, Frrokun, Doshin, Nokën, Prengën e ku e dimë se sa të tjerë për të marrë pushtetin e 1 milion shuplakave. Nuk e dimë ende se për cilën arsye ai mbron sa e sa deputetë të tjerë apo edhe kryebashkiak të dënuar nga foltorja e parlamentit edhe pse ka rimarrë 1 milionë vota dhe lavdërime.
Megjithëse nuk dimë këto dy apo tri pyetje, e vërteta e hidhur e një lideri partie që ka vendosur të përfshijë persona me precendentë penalë në qeverisje është një shenjë dekadence e shoqërisë sonë demokratike. Një hap i cili nuk erdhi nga hiçi por që ka rrezik të prodhojë një diktaturë pa e kuptuar ne, e këtu nuk kam fjalën për një diktaturë “klasike” por e kam fjalën për nëj formë qeverisëse të atillë ku bandat do të jenë aq të qarta por që pafuqia jonë do të jetë edhe më e fortë.
Intervista e fundit e Kryeministrit nuk lë shumë vend për ekuivok, ai u shpreh se po të rikthehej pas në kohë do të përdorte sërishmi të njëjtat emra (ndonëse i di tanimë që janë me precendencë penalë). Kjo, e shtuar me moslëshimin e dy kryetarëve të bashkive që qartësisht kanë një precedent penal, do të thotë që kryeministri është i gatshëm që të përdorë emra të tjerë për të pasur të njëjtin pushtet.
Dymijë e njëqind vjet më parë në Romë një gangsterr koktul, një pasanik arrogant dhe një arrivst me talent zhdukën një herë e mirë republikën për të krijuar atë që njihet si diktati i parë. Sot, megjithëse vite larg vendi jonë nuk është dhe aq shumë larg një farë diktati ku pse jo edhe kryeministri mund të jetë me precedent penal.