Fitimet e çuditshme të bankave

Gjergj Erebara

Viti i kaluar qe më i vështiri në historinë e re të Shqipërisë. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit shumë pak, inflacioni qe tepër i ulët, kreditë e këqija vijuan të mbeten në një të katërtën e të gjitha kredive. Interesat e borxhit publik të Shqipërisë, nga ku rrjedhin gati gjysma e fitimeve bruto të bankave, qenë në rënie të lirë vitin e kaluar.

Bankat nuk bënë dallim në këtë situatë. Në shtator 2013, si pasojë e shpalljes të humbura të një pjese të kredive të këqija, apo pastrimit të bilanceve nga asetet praktikisht të pavlera, sistemi bankar deklaroi humbje totale për nëntëmujorin prej 12 mililonë dollarësh. Por në tremujorin e fundit erdhi një surprizë. Bankat jo vetëm që ia dolën të mbulojnë humbjet e periudhës janar-shtator, por ia dolën të deklarojnë fitime prej 65 milionë dollarësh. Pyetja është se si shpjegohet gjithë kjo përmbytje. Në fund fare, si mundet që një sistem bankar me normë kredish të këqija prej 24 për qindësh, nuk ka shënuar asnjë vit me humbje që nga viti 1999!

Përgjatë të njëjtës kohë, bankat janë ankuar me raste se qeveria ia rriti tatimin mbi fitimin nga 10 në 15 për qind, dmth që teorikisht nëse edhe këtë vit realizojnë fitime prej 65 milionë dollarësh, ato do të paguajnë 9.75 milionë dollarë tatim fitimi ndërsa me ligjin e vjetër do të paguanin 6.5 milionë.

Për më tepër, për shkak të uljes së fitimeve nga borxhi publik, shumë bankierë po ankohen ndaj politikës së Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit. Sipas tyre, nuk është e logjikshme që të ulet interesi bazë sepse me këtë rast treten fitimet e bankave nga investimet në borxhin publik.

Gjithashtu, bankat kanë nisur të lobojnë pranë qeverisë për të ndryshuar ligjet fiskale për të njohur si humbje të zbritshme kreditë e këqija, pra që këto humbje të mos i nënshtrohen tatimit mbi fitimin. Bankat kërkuan dhe morën me shumë të drejtë kushte ligjore më të mira për ekzekutimin e kreditorëve të këqinj, dmth për konfiskimin dhe shitjen e pronave të kreditorëve. Kërkesa e tyre për njohjen si shpenzim i zbritshëm të kredive të këqija është shumë i arsyeshëm gjithashtu.

Por është një gjë që bankat nuk e kanë kërkuar: mbrojtjen e konsumatorit përballë sjelljes predatore të tyre. Nuk di të ketë ndonjë studim konkret, por të dhëna anektodale sugjerojnë që bankat i japin të drejtë vetes të ndryshojnë kushtet e kontratave me klientët ekzistues, duke i faturuar më shtrenjtë klientëve të rregullt për të mbuluar humbjet nga klientët e parregullt.

Rregullat e mbrojtjes së konsumatorit të vendosura nga Banka e Shqipërisë deri tani janë kufizuar vetëm te rritja e transparencës së produkteve dhe thjeshtëzimin e raportimit të kostove mbi produktet bankare për t’i bërë më të kuptueshme nga publiku i gjerë. Por deri tani nuk dihet të ketë ndonjë analizë apo inspektim për çështjen e ndryshimit të kontratave të vazhdueshme në rrugë e sipër në mënyrë të njëanshme nga bankat. Mbikëqyrja e kontratave të kredive dhe depozitave, veçanërisht kontratave të kredive me interes të luhatshëm së paku do të na ndihmojë të mos habitemi nga fitimet e bollshme të bankave, të cilat vijojnë të jenë të bollshme si në ditë të mira, ashtu edhe në ditë të këqija.

You may also like...