Fjalorth politik shqiptar IV (Hyrjet e Reja)

Pjesa IV

Qeveri e vogël – (koncepti shqiptar) Kur kryeministri ndjehet i fuqishëm dhe i aftë të kontrollojë maxhorancën parlamentare pa probleme, krijon pak ministri dhe pak poste ministrash. Kjo qe “filozofia” e Sali Berishës në vitin 2005, që u tolerua pas 2009 me krijimin e ministrive shtesë për të joshur aleatët. (Koncepti Ndërkombëtar) Kur qeveria beson se privati mund t’i bëjë punët më mirë, mbledh më pak taksa (dmth taksa të ulëta) dhe rrjedhimisht ka më pak shpenzime, duke kufizuar rolin e shtetit në disa shërbime bazë dhe pa shumë shërbime të mirëqënies shoqërore.

Qeveri e madhe – (Koncepti shqiptar) Kur kryeministri e ndjen veten të pafuqishëm në maxhorancën e vet parlamentare, krijon sa më shumë ministri të jetë e mundur për të patur sa më shumë ministra. Kulmi u arrit me qeverinë Meta 3, kur u krijuan mbi 20 e kusur poste ministrore, ku disa ministra nuk kishin as zyra dhe as funksione, por kishin titullin ministër. Dritani Prifti qe në atë kohë Ministër i Energjetikës, një ish-agjenci që kishte për detyrë të hartonte strategjinë energjetike të vendit. Puna e tij më e madhe si ministër qe një studim që tregonte se matur me kalori, elektriciteti qe një burim energjie më e lirë se sa nafta në Shqipëri. E tillë pritet të jetë qeveria 2013-2017. (Koncepti ndërkombëtar) Kur qeveria beson se shteti duhet të jetë si një baba për të gjithë qytetarët, mbledh shumë taksa dhe kryen shumë funksione publike, përfshirë shërbime të mirëqënies shoqërore.

Metizmi – përkufizuar nga Koço Kokëdhima si situata në të cilën duhet të paguash zyrtarët e qeverisë për të përfituar atë që ligjërisht të takon. Është e ndryshme nga korrupsioni, ku duhet të paguash për të përfituar diçka që nuk të takon.

Vajisje – Sipas Sali Berishës, rryshfeti i bën mirë ekonomisë pasi është si vaj apo si graso, që ndihmon në mirëfunksionimin e administratës shtetërore.

Zëvendësministër kulture – Një politikan kot pa asnjë vlerë reale që hyri në aleancë me Sali Berishën gjatë periudhës 2009-2013 dhe si pjesë e bashkëqeverisjes, u emërua apo iu dha për dikë tjetër posti i Zëvendës Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Numri i zëvendësministrave u rrit aq shumë në këtë mënyrë sa askush nuk është në gjendje të mbajë mend emrat e tyre apo numrin e saktë. Disa prej këtyre zëvendësministrave nuk arritën kurrë të marrin një zyrë te ministria pasi nuk kishte ambjente të lira. Njërit prej zëvendësministrave iu caktua një tavolinë te paradhoma e ministrit.

Ministër pa portofol – Njeri kot që nuk duhet të bëhet asgjë por njëkohësisht duhet të bëhet diçka. Me raste njeriu më kot në një qeveri u quajt ministër për reformat, ministër informacioni, ministër i teknologjisë së informacionit, ministër koordinues dhe natyrisht, Ministër Pa Portofol. Kjo nuk do të thoshte në asnjë rast se ai nuk e kishte një portofol.

Kujdes! Ky shkrim, si cdo shkrim tjetër në këtë blog ka të drejta autori të rezervuara. Ripublikimi në faqe të tjera interneti mund të bëhet vetëm një paragraf me linkun shoqërues për te blogu origjinal.  

Për ata që nuk e kanë kuptuar, një paragraf do të thotë dy-tri fjali, ose më saktë, përmbajtja nga një kryerradhë në një tjetër…

You may also like...