Frika nga populli

Tashmë po qartësohet si ide që arrestimi i Fullanit, zyrtari më i lartë i arrestuar prej shumë dhe shumë kohësh, erdhi si pasojë e presionit publik. Jo vetëm kaq, por klika politike dhe zëdhënësit e saj në media po na e paraqesin këtë si padrejtësi. Avokati i Fullanit shkoi më tutje duke na e interpretuar zemërimin e publikut si një farë xhelozie ndaj suksesit të Fullanit, i cili, në vetvete, është produkti më i mirë që mund të prodhojë sistemi i vlerave të kësaj klike kleptokratësh të pangopur.

Kuptohet, shokët e Fullanit, përfshirë ish-kryekleptokratin Sali Berisha, e ashpërsuan qëndrimin e tyre gjatë ditëve të fundit për një arsye praktike: ata dëshirojnë të sigurohen që zemërimi publik të mos shkaktojë arrestime të tilla në të ardhmen, sepse fakti është që rruga është hapur sakaq dhe paprekshmëria e klasës politike është dobësuar. Nuk mund dhe nuk duhet gjithsesi të gënjejmë veten dhe të themi se kjo paprekshmëri është thyer përgjithmonë dhe as të gënjejmë veten të besojmë se qe vetëm presioni publik faktori që solli këtë ngjarje.

Me gjuhën dhe argumentet e përdorura, Berisha e të tjerë dëshirojnë gjithashtu të shantazhojnë të gjithë shqiptarët, duke u thënë se sistemi i tyre kleptokratik është garantuesi i stabilitetit të vendit dhe se arrestimi i tyre do të zhysë jetët tona në kaos. Vetë ideja që meqë ra Fullani, vendi do të zhytet në pasiguri financiare dhe që leku do të dobësohet apo bankat do të lëkunden, sido që absurde, u prezantua si një mundësi, fillimisht nga Berisha e më pas nga media e tij. Leku, kjo monedhë që mbahet më këmbë falë punës së palodhur të qindramijëra shqiptarëve në emigrim, i mbijetoi edhe barbarisë paraelektorale të vitit 2009, e jo më, arrestimit të një njeriu. Nejse.

Fakti është që populli nuk e arrestoi Fullanin dhe as e linçoi atë publikisht. Populli thjeshtë sa reagoi. Sido që opinioni publik po bëhet një faktor me peshë gjithnjë e më të madhe në llogaritë politike në Shqipëri, nuk mund të bësh një lidhje të shkurtër mes reagimit publik dhe arrestimit. Arrestimi i Fullanit as që u përmend nga pothuajse askush. Protestuesit që dolën në rrugë, aq pak sa ishin, kërkonin shkarkimin apo dorëheqjen e tij si guvernator, jo arrestimin. Peticioni kërkonte shkarkimin e tij, jo arrestimin. Dhe mijëra e dhjetëramijëra reagimet e shqiptarëve nëpër mediat sociale nuk duket se flisnin për arrestimin e tij. Më së shumti, reagimet qenë në formën e neverisë, ironisë apo sarkazmës ku Fullani u bë papritur simbol i të gjithë klasës politike shqiptare. Siç tha edhe avokati i tij me shumë të drejtë, për ato shkelje që ka bërë Fullani, mund të dënohet e gjithë klasa politike në vend. Pikërisht këtu duhen kërkuar shkaqet e arrestimit. Te fakti që klasa politike e pa fillimisht të udhës ta mbështesë, më pas e pa të udhës të distancohet prej tij dhe në fund, e pa të pamundur të distancohej për aq kohë sa Fullani qëndronte në postin e guvernatorit.

Qe vetë klasa politike ajo që e pa të udhës ta shesë Fullanin, jo aq shumë për ta futur në burg, por për t’u distancuar prej tij. Qe pikërisht imazhi i Fullanit si një njeri shumë i pasur pa kurrfarë baze për pasurinë e tij dhe përplot me barsoleta që qarkullojnë me bollëk në të katër anët e vendit ai që solli arrestimin.

Në këtë kuptim, Fullani qe viktimë e suksesit të vet. Pasi arriti të krijojë miqësi apo të shmangë armiqësitë me të gjithë klasën politike në vend, pikërisht kjo miqësi, tërësisht e papërshtatshme për postin e një guvernatori banke qendrore, solli edhe rrëzimin e tij.

Nesër gjykata e apelit do të vendosë për mbajtjen e tij në burg apo lirimin me kusht. Afrimi i këtij vendimi ka zemëruar në kulm Berishën dhe disa të tjerë. Nëse do të mbahet në burg, kjo nuk ka kurrfarë rëndësie për opinionin publik, apo për popullin, siç kanë filluar t’i referohet elita me përçmim. Nëse do ta lirojnë, kjo gjithashtu nuk ka kurrfarë rëndësie. Askush nuk pret drejtësi në këtë rast. Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të dënojë me vendim të formës së prerë as edhe një doganier e jo më një guvernator, mik të të gjithë politikanëve.

Por një gjë është e qartë. Fusha e veprimit të politikanëve po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Berisha qe nga ata që e pa se si edhe disa ish-funksionarë të tij nuk pranuan të tërhiqen nga fushata kundër Fullanit dhe denoncuan publikisht partinë e vet si të kompromentuar. Berisha u detyrua të artikulojë për herë të parë në jetën e vet se fjalët e tij në mbrojtje të Fullanit nuk qenë qëndrim i Partisë Demokratike. Ai vetë po e kupton se sistemi i pazarit të cilin e drejtoi për shumë dhe shumë vite, bën që njerëzit normalë të distancohen, ndërsa klientët të të shesin sapo të marrin një ofertë më të mirë.

You may also like...