Fullani dhe elitat.

Xhabyni

Nuk besoj se janë të shumtë ato ose ata që mendojnë se Fullani nuk është, së paku, përgjegjës moral për vjedhjen disa miliardëshe në Bankën e Shqipërisë. Të paktët që e besojnë të kundërtën janë elita e rreme politike, ka dhe të tjerë por ato nuk janë pjesë e këtij shkrimi.

Kësaj radhe elita nuk e ka punën dhe fort mirë, e këtë e tregoj konsumimi i madh  në emër të Fullanit, por kjo jo sepse e duan Fullanin si njeri por sepse mbase nuk kanë gjetur një derdimen të urtë si ai. Një frikë tjetër është se qytetarët për këto mega-skandale nuk heshtin më, siç kanë bërë deri më dje. Ato duket se kanë filluar të lëvrijnë në këtë moçal si Shqipëria.

Prandaj dhe Berisha, zoti i militantëve të PD, ka dalë sërishmi jashtë loje me deklaratën e tij në FB që i ngjasonte më shumë deklaratës së një kryeministri në detyrë i korruptuar. Sot e kësaj dite kur takon demokratë ato ende janë të traumatizuar se si ka mundësi që Berisha foli diçka të kundërt me logjikën. Për ta sjellë më në tokë diskutimin po mundohem të bëj krahasimin: është sikur Berisha të thotë që dielli rrotullohet rreth tokës dhe jo anasjellas.

Gjithaq edhe Meta është përfshirë por jo më në krah të popullit por në krahun e Fullanit. Duke i kthyer sa kusurin për ndihmën që znj. Fullani i dha të parit në çështjen e 7% ashtu edhe duke mbështetur një pjesë të rëndësishme të sistemit që është ndërtuar. Thënë më shkoqur, Meta dhe Berisha janë investuar fuqimisht që çështja Fullani të zbehet.

Forcat e tyre politike janë alarmuar e kanë nisur cicmicet e tyre për ngjarje qesharake dhe pa peshë reale në atë që po ndodh sot e kësaj dite. Kështu opozita dhe mazhoranca ajgëtojnë një numër të vogël militantësh (mbase vetëm ato që punojnë në selitë e tyre këtë gusht të nxehtë) me denoncime qesharake. Denoncime që tregojnë mungesë kredibilitetin, dreqi e mori jeni opozitë duhet të paraqisni shqetësimet e njerëzve nuk keni pse merreni me budallallëqe.

Kështu, vihet re që elita e rremë është e shqetësuar që zhurma për Fullanin nuk është shuar, vazhdon të dëgjohet njësoj si zëri i gjinkallës në mes të zhegut. Ndaj dhe angazhimi politik për ta shuar atë po rritet dita ditës, kjo ama sjell si pasojë zbulimin e më tejshëm të elitës e cila gjithnjë e më pastër i shfaqet njerëzve si një trup i vetëm.

I vetmi që nuk ka folur ende me fjalë por me heshtje është vetëm Kryeministri Rama. I cili është angazhuar të mbyllë universitetin ku ministria e tij e Arsimit ka bërë masterin, duke mos folur asnjë fjalë për një nga ngjarjet më të bujshme të këtij shekulli e të 300 ditëve të tij. Kjo heshtje ka dy skenarë, të cilat mund t’i mendojmë duke patur parasysh një personazh si Rama.

Skenari i parë është ai që Rama nuk reagon duke pritur se çfarë do të ndodhë me protestën, duke diskutuar me Metën për një guvernator tjetër i cili duhet të mbushë kriteret e të parit.

Skenari i dytë është që Rama të presë përfundimin e protestës, duke shtyrë rënien e Fullanit e duke u përpjekur që të marrë ai meritat për këtë rënie. Njësoj siç u përpoq të bënte me armët kimike!

Mirëpo këto skenarë nuk janë lehtësisht të aplikueshëm sepse koha nuk premton. Shumë shpejt në vend do të fillojë fushata elektorale për zgjedhjet vendore e natyrisht që elitës së rreme politike nuk i intereson një konsum kaq i madh për një personazh si Fullani. Një konsum kaq i madh nuk do i japë mundësinë elitës që të injektojë tek qytetarët gjilpërën e të keqes më të vogël madje edhe nëse diç e tillë ndodh nuk do ketë efektin e pritur.

Heshtja e përzier me fjalimet në mbrojtje të Fullanit duhet të na sjellin në mendje skenarin Sanader në Kroaci. Për këdo që ka harruar duhet t’i kthejmë në mendje se ish kryeministri i Kroacisë, Sanader, u arrestua pasi fillimisht u arrestuan guvernatori i Bankës dhe Ministri i Transportit. I pari u akuzua se kishte ndihmuar Sanader përmes printimit të parave duke blerë hotel “Dajtat” e Kroacisë.

Këtë e di mjaft mirë elita e rreme, sikundër është në dijeni që një arrestim i tillë nuk mund të ndodhë. Që të ndodhë kjo prokuroria duhet të ketë disa njerëz me këllqe, sikundër dhe gjykatësit nuk duhet të kenë “mëshirë” për burrin e koleges së tyre.

Por edhe pse arrestimi nuk do të ndodhë, të paktën kështu mendoj unë, kjo s’do të thotë që njerëzit të mos kërkojnë dorëheqjen e Fullanit apo qoftë edhe hetimin e tij. Sepse në një shtet të legjitimuar e të qeverisur nga një fije mirësie dhe ndjenje përgjegjësie Fullani jo vetëm do të ishte larguar me ceremoni por edhe do të hetohej. Ky shtet është i largët ama hapat për ta ndërtuar duhet të fillojnë, ndaj hapi për të larguar Fullanin është në fund të fundit treguesi më i qashtër se kush janë blloku i pushtetarëve që janë të gatshëm të mbrojnë deri në fund llojin e tyre. Qoftë edhe duke zhgënjyer pritshmëritë e atyre që i konsiderojnë hyjni.

 

You may also like...