Fullani shkëmben lekë me Juan, Shqipëria bashkohet me bllokun monetar të Kinës
Njoftimi
Në datën 12 shtator 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z. Zhou Xiaochuan nënshkruan një marrëveshje dypalëshe SWAP për monedhat vendase, në shumën maksimale prej 2 miliardë Yuan ose 35.8 miliardë Lek.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë mbledhjes së XXX të “Klubit të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Vendeve të Ballkanit”, i cili zhvillon punimet në Yerevan, Armeni, në datat 12 – 14 shtator 2013.
Transaksioni SWAP ofron një kanal përmes të cilit bankat qendrore mund të kenë akses në monedhën vendase të palës tjetër. Kjo marrëveshje synon nxitjen e tregtisë dypalëshe dhe të investimeve direkte për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e stabilitetit financiar të dy vendeve, në terma të monedhave përkatëse dhe në rast se kushtet e tregut e kërkojnë një likuiditet të tillë.
Ajo është e vlefshme për një kohëzgjatje fillestare prej tre vjetësh dhe afati mund të shtyhet me pëlqimin e të dy palëve.
Guvernatori Fullani u shpreh se marrëveshja SWAP do të jetë mjaft e dobishme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në aspektin financiar, për lehtësimin e lidhjeve ekonomike dhe të tregtisë midis Shqipërisë dhe Kinës, si dhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Nënshkrimi i saj është një mundësi tjetër për të përmirësuar më tej marrëdhëniet midis dy bankave qendrore.
—Fundi i Njoftimit
Situata
Sipas Wall Street Journal marrëveshjet e shkëmbimit të nënshkruara nga Kina janë pjesë e planit për ta bërë monedhën juan të konvertueshme ne tregun ndërkombëtar, hapi i parë drejt përdorimit të kësaj monedhe si konkurrente e dollarit, euros e monedhave të tjera ndërkombëtare.