Gaboja i madh magjik

gaboja Fama, madhështia dhe miqësia e zhurmshme me Fidel Castron: Jeta e shkrimtarit Gabriel Garcia Márquez qe fantastike dhe përplot me politikë po aq sa romanet e tij sfiduese ndaj realitetit

AMY FINNERTY, Foreign Policy

Shumë pak shkrimtarë bashkëkohorë dhe asnjë prej Amerikës Latine nuk mund të krahasohen me përmasat e ndikimit të tij apo krijueshmërinë radikale të imagjinatës së tij. I thirrur me dashuri “Gabo,”, Gabriel Garcia Márquez, nobelisti kolumbian, gazetar dhe shkrimtar, qe një nga eksportet kulturore të Amerikës Latine më të famshme të epokës së tij. Ai vdiq, në moshën 87 vjeçare, më 17 prill, në shtëpinë e tij në Qytetin e Meksikës. Mistikën e tij magjepsëse, shtëpitë dhe apartamentet nëpër Europë dhe Amerika, profile lavdëruese nëpër revista dhe joshja nga fjalët e tij – balancuan nga sharmi vetëkundërshtues i shkrimtarit dhe rrënjët e tij të përulëta. Hendeku mes besimeve të tij socialiste dhe stilit të jetesës të pasur me të cilin ai në fund u mësua dhe që për të cilën u kritikua gjithsesi nuk e dëmtoi kurrë reputacionin e tij letrar.

Qe publikimi i vitit 1967 dhe përkthimi në anglisht i vitit 1970 i romanit të tij më të famshëm, Njëqind Vjet Vetmi, që e ngriti shkrimtarin në nivelin e yllit. Në atë roman, kreu i familjes alegorike Buendia e interpreton botën sipas perceptimit të vet.

Në një seri ngjarjesh të treguara në mënyrë kronologjike, familja themeluese e Makondos rigjenerohet papushim përmes revolucionit, katstrofave natyrore dhe marrëdhënieve inçestuoze. Përkthyer në anglisht nga i pakrahasueshmi Gregory Rabassa, Njëqind Vjet Vetmi ka shutur dhjetëramilionë kopje në të gjithë botën. Ai i dha zë të habrbuar një rajoni që bota më parë e kishteparë si të bukur por të padepërtueshëm, më së shumti e njohur për amerikanët dhe europianët për destabilitetin politik dhe dhunën.

Siç ndodh në shumicën e romaneve letrare, te Njëqind Vjet Vetmi autori thuhet se u përpoq të shkatërrojë “kufirin që ndan atë që duket se është reale nga ajo që duket se është fantastike.” Ai e bëri këtë me virtuozitet të ngazëllyer, thellësi emocionale dhe humor.

Kur New York Times e analizoi librin më 1970, analizuesi, John Leonard, e përshkroi punën si jo aq shumë një vepër letrare, por më shumë si eksperiencë: “ti del nga ky roman i mrekullueshëm siç del nga një ëndërr dhe mendjen e ke në zjarr. Një figurë errët, e pakohë në shtëpi, pjesërisht historian, pjesërisht një fallxhor… fillimisht të josh për të fetur në realitetin tënd të menaxhueshëm, pastaj të mbyll në legjendë dhe mit.”

Megjithëse Njëqind Vjet Vetmi është një metaforë gjithëpërfshirëse për historinë kulturore të Kolumbisë – fantazma dhe modernizëm, kolonializëm dhe reforma liberale, depërtim të hekurudhave, hegjemoni e interesave korporative amerikane dhe dhunë ushtarake – fshati mitik i Makondos në vetvete u frymëzua nga Arakataka, fshati kolumbian ku Garcia Márquez jetoi me gjyshërit e tij nga ana e nënës deri në moshën tetë vjeç. Atje, ai thithi folklorin mbinatyror të gjyshes së tij. Gjyshi i tij me prirje të majta, një kolonel në pension, i dha shkrimtarit një magjepsje që i zgjati të gjithë jetës nga pushteti ushtarak dhe politik.

Garcia Márquez qe më i madhi i 11 fëmijëve (megjithëse babai i tij, një farmacist, pretendohet se ka patur edhe shumë fëmijë jashtë martese). Në Makondon imagjinare, personazhi, Koloneli Aureliano Buendia, “pati 17 fëmijë meshkuj me shtatë gra të ndryshme dhe ata të gjithë u shfarosën njëri pas tjetrit në një natë të vetme para se më i madhi të arrinte moshën e 35 vjeçëve. Ai i mbijetoi 14 atentateve, shtatëdhjetë e tre kurtheve dhe një skuadre pushkatimi.”

Një prozë e tillë dikur epike dhe e shkurtër, frymëzoi një numër fjalësh tërësisht të reja, përfshirë terma të tillë si “Makondike.” Krahas shkrimtarëve të tjerë amerikanolatinë, Garcia Márquez ndihmoi në popullarizimin e zhanrit të njohur si Realizmi Magjik.

Por është realizmi në të shkruarin e tij i cili shpesh harrohet.

Garcia Márquez pati lindur më 1927, një vit para të ashtuquajturës “masakra e bananeve,” në të cilën punëtorët kolumbianë në grevë përballë United Fruit Company u shtypën nga ushtria e vendit, e cila qe e etur të parandalonte një pushtim me të cilin patën kërcënuar Marinsat Amerikanë – një skenar që ai e ritregon te Njëqind Vjet Vetmi. Ai qe një student i talenduar që ndoqi një shkollë me konvikt të drejtuar nga shteti. Më vonë nën presion nga familja, ai studioi drejtësi në Universitetin Kombëtar të Kolumbisë në Bogota, por shpejt ia riktheu vëmendjen e tij të shkruarit dhe nuk e përfundoi kurrë diplomën.

Kur një anëtar i partisë Liberale të Kolumbisë u vra, duke shkaktuar La Violencia, një periudhë një dekadë të gjatë përleshjesh civile dhe dhune që solli qindramijëra vdekje e shpërngulje popullsie, Garcia Marquez i dha fund studimeve të tij ligjore tërësisht dhe u bë gazetar. Por ai lexoi gjithashtu thellë literaturën që do të formojë zhvillimin e tij si shkrimtar.. Një obsesion veçanërisht i madh i të riut Garcia Márquez qe William Faulkner, vendi mitik i të cilit, Konteja Joknapataufa në Jug të Amerikës është konsideruar si pararendës i Makondos.

Si kolumnist në Bogota në vitet 1950, Garcia Márquez shkroi se ekspozoi situatën e një mbytjeje anijeje – artikulli u publikua më vonë në anglisht si “Historia e një Marinari Anijeje të Mbytur” – gjë që i dha atij zemërimin e dikatorit kolumbian Gustavo Rojas Pinilla.

Për të zbutur pasojat, gazeta e autorit e dërgoi atë në Europë si korrespondent, por shpejt pas kësaj qeveria e mbylli fare gazetën.  Garcia Márquez vijoi të shkruajë letërsi ndërsa punonte si gazetar dhe udhëtonte shpesh, duke kaluar kohë në Venezuelë, Kolumbi, Nju Jork dhe Qytetin e Meksikës. Më 1958 ai u martua me Mercedes Barcha Pardo, e cila mbeti shtyllë e palëvizshme e jetës së tij personale deri sa vdiq. Çifti banoi para së gjithash në Qytetin e Meksikës dhe pati dy fëmijë.

Shkrimtari majtist Garcia Márquez shkroi me admirim për Fidel Castron dhe në fund u bë mik me të. Si fama ashtu edhe telashet e tërhoqën; qeveria e Kolumbisë planifikoi arrestimin e tij për aktivitetet e tij politike, Meksika i ofroi atij strehë dhe francezët i dhanë atij çmimin Legion d’Honneur. Më 1982, ai fitoi çmimin Nobel në letërsi. Më vonë, ai tha se i vendosi paratë e çmimit në një llogari bankare në Zvicër dhe harroi për ta për shumë vite; në fund, ai i përdori paratë për të blerë revistën e përjavshme Cambio.

Ndërsa ai lavdërohej për arritjet e tij letrare, kishte edhe mes admiruesve të tij më të mëdhenj të zhgënjyer nga politika e tij, veçanërisht marrëdhënia e tij miqësore me Fidel Castro, i cili e shpëlau mikun e tij shkrimtar me dhurata që përfshinin një shtëpi në periferi të Havanës.

Në këmbim, ai e përshkroi Castron si “zemërfëmijë… inteligjencë politike, me instikte dhe mirësjellje, me kapacitet gati çnjerëzor për punë, identifikim të thellë me besim absolut në diturinë e popullit…”

Kritikë dhe bashkëkohës kuriozë arsyetuan se Garcia Márquez qe thjeshtë një yll i joshur nga një njeri me uniformë. Të tjerë teorizuan se shkrimtari po përdorte këtë miqësi për t’i tërhequr veshin diktatorit dhe për të ndihmuar kubanezët të largoheshin nga ishulli ose të shmangnin keqtrajtimet.

Sipas një profili të vitiit 1999 te The New Yorker, nga Jon Lee Anderson, García Márquez, “konfirmoi se ka ndihmuar njerëz të largohen nga ishulli dhe se aludoi për një ‘operacion’ që solli ikjen e më shumë se ‘2 mijë njerëzve’ nga Kuba.

‘Unë thjeshtë e di se deri ku mund të shkoj me Fidelin. Në disa raste ai thotë jo. Në disa raste më vonë vjen dhe më thotë se kisha të drejtë.’”

Shtëpia e Bardhë, gjithsesi, nuk qe filozofike kur vinte puna te angazhimi politik i shkrimtarit dhe për një periudhë ai u detyrua të aplikojë për një vizë speciale për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Garcia Márquez dukej se qe i aftë të jetonte me kontradiktat morale që krijonte miqësia e tij me Castron. Por, duke marrë parasysh dilemat komplekse që ai i dha personazheve të tij më imponues, është e vështirë të imagjinohej se ai qe njeriu që do të dështonte të kuptonte atë marrëdhënie.

Përshembull, le të shohim gazetarin rrëfimtar të vëllimit të hollë të vitit 2005 “Kujtim Kurvash të Trishta”, i cili, nga fundi i jetës së tij, bën një analizë të pamëshirshme të vetes: “Unë zbulova se nuk jam i disiplinuar me virtyt por reagoj ndaj neglizhencës sime, në të cilën unë shfaqem bujar në mënyrë që të fsheh kopracinë, se e kaloj veten si të matur për shkak se jam djallëzor në mendje, se unë tregohem pajtues në mënyrë që të mos bie në zemërimin tim të fshehur…” një e shkruar e tillë e ndershme është ajo që i bën personazhet e Garcia Márquez kaq të njohur universalisht dhe tregimet e tij, kaq humane.

Por Garcia Márquez përqafoi gjithashtu të imagjinuarin popullor, duke përdorur melodrama, romanticizëm dhe romane sentimentalisht të guximshme në romane si Dashuria në Kohërat e Kolerës, bazuar në historinë romantike të vetë prindërve të vet.

Ai qe fans i telenovelave dhe bolerove dhe madje shkroi edhe një profil të këngëtares pop Shakira më 2012. Personazhet femra në letërsinë e tij, megjithëse të shumëllojshme, shpesh bien në kategorinë e vajzave joshëse turbulluese prej maceje – latine të nxehta dhe qëllimmira. Në të njëjtën kohë, prostituta fëmijë dhe një skenë gjatë së cilës një shërbyese shtëpie përdhunohet ndërsa është duke larë rrobat, paraqet një formë më të pamëshirshme dhe shfrytëzuese të seksualitetit në shkrimet e tij.

Përmes kësaj krijimtarie ai minoi stereotipet e ashpra amerikane mbi latoniamerikanet dhe i informoi ato mbi një botë të tërë dhe mbi historinë politike të rajonit.

Vetë shkrimtari vërejti në një rast, “për Europianët, amerikanojurogori është një burrë me mustaqe, me kitarrë dhe armë.” Ndoshta tashmë jo më, gjerësisht falë asaj që Garcia Márquez na ka lënë ne.

You may also like...