Garancia kundrejt falimentit si origjinë e papërgjegjshmërisë

Kriza në origjinë

30 nëntor 2011

Gjithçka thuhet se filloi në vitin 1994 dhe solli krizën ekonomike dhe financiare botërore që po përjetojmë sot. Një bankier shpiku një produkt që quhet “Credit Default Swap”, (CDS). Produkti qe një police sigurimi e ngjashme me policat e sigurimit që njerëzit blejnë për makinat. Nëse dikush përplaset me makinën tënde, atëherë kompania e sigurimit paguan dëmin e pësuar. E njëjta gjë edhe në këtë rast, por këtu kompania e sigurimit detyrohet të paguajë një kredi që banka ka dhënë dhe që nuk i është kthyer. Rasti i parë i përdorimit masiv të CDS-së qe në vitin 1994, kur J.P. Morgan i dha një kredi kompanisë së naftës ‘Exxon’ dhe e shiti rrezikun e moskthimit të kredisë te një bankë tjetër.

Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme. Problemi qe që bankat kishin një arsye për t’i siguruar kreditë e dhëna. Tri dekada më parë, autoritetet mbikëqyrëse të bankave patën përcaktuar se bankat nuk kanë të drejtë të rrezikojnë paratë e depozituesve, por vetëm paratë e aksionerëve. Për këtë arsye, bankat detyroheshin të mbulonin me kapitalin e aksionerëve rrezikun për humbjet nga kreditë e pakthyera. Kjo gjë nuk u pëlqente bankave, të cilat dëshironin të rrezikonin më shumë dhe të fitonin më shumë para për aksionerët e tyre. CDS u erdhi në ndihmë për këtë qëllim. Duke e shitur rrezikun te një kompani sigurimesh, rreziku i humbjeve nuk kishte nevojë të mbulohej me kapitalin e aksionerëve dhe për rrjedhojë, ky kapital mund të përdorej për biznese më të rrezikshme dhe më fitimprurëse.

Por ndërsa teorikisht rreziku u transferua, bankat humbën arsyen për të qenë të kujdesshme në kredidhënie. Një njeri që merr një kredi, paguan interesa. Në rast se nuk e shlyen, atëherë dikush tjetër do ta shlyejë në vend të tij. Bankierët nuk kishin më nevojë të bënin analizë të kredimarrësit. Mjafton që dikush të paraqitej në bankë dhe kredia qe e garantuar. Dhe kur të gjithë që u paraqitën në bankë e morën kredinë, bankierët filluan t’i gjurmojnë njerëzit në shtëpi duke i lutur të merrnin kredi.

Në përfundim, pothuajse çdo amerikan u pajis me një kartë krediti, me të cilën mund të hynte në borxh automatik prej 20-30 mijë dollarësh. Në fund, qe e qartë se një borxh i dhënë pa kolateral te kushdo që qe i gatshëm të merrte borxh, kishte pak gjasa të shlyhej. Kur kjo gjë ndodhi, në vitin 2008, bankat falimentuan dhe kërkuan mbulimin e humbjeve nga kompanitë e sigurimeve. Këto të fundit falimentuan gjithashtu dhe i kërkuan mbulimin e humbjeve qeverisë amerikane. Qeveria amerikane iu drejtua Rezervës Federale, e cila prodhoi dollarë për të paguar blerjen e bankave, që u gjykuan si tepër të rëndësishme për t’u lënë të falimentonin.

Përgatiti: Gjergj Erebara

Kriza në origjinë është një rubrikë e përditshme e gazetës “Shqip”.

You may also like...