General Electric bllokoi llogarinë e Shqipërisë në Eurokontroll

Kompania amerikane fitoi gjyqin, qeveria refuzoi të paguajë dëmshpërblimin

Gjergj Erebara

Aventura e ish-kryeministrit Fatos Nano për ndërtimin e një treni elektrik në vitin 2004, i ka kushtuar Shqipërisë 14 milionë euro, të cilat i janë konfiskuar qeverisë shqiptare nga llogaria e saj financiare pranë Eurokontroll, por shqiptarët nuk kanë patur të drejtë ta dinin këtë gjë. Lajmi bëhet i ditur nga dy raporte diplomatike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, të publikuara së fundmi në faqen e internetit Wikileaks.

“Sipas General Electric, një gjykatë Belge ka vendosur që pagesat që Eurokontrolli i bën Shqipërisë për kontrollin e mbikalimeve ajrore, t’ia japë GE-së,” – thuhet në një raport diplomatik. Shqipëria fiton afërsisht 20 milionë dollarë çdo vit për tarifat e mbikalimit.

Nga raportet diplomatike, bëhet e ditur se pas gjyqit të arbitrazhit, General Electric pati hyrë në bisedime me qeverinë për ekzekutimin e vendimit të dëmshpërblimit, por kryeministri Sali Berisha kishte refuzuar. Raporti shton se këmbëngulja e Shqipërisë për të mos paguar detyrimin, mund t’i kushtojë vendit tonë edhe 10 milionë dollarë të tjera, për shkak se politika e Eurokontrollit është që të ardhurat nga mbikalimet të riinvestohen në përmirësimin e kontrollit të trafikut dhe në mungesë të investimit, të ardhurat në vitin pasardhës do të jenë më të ulëta.

Historia

Ish-kryeministri Fatos Nano nënshkroi në vitin 2004 një kontratë me kompaninë amerikane General Electric për ndërtimin e një linje hekurudhore elektrike Tiranë-Rinas-Durrës, (i njohur gjerësisht si ‘treni elektrik’, me kosto 90 milionë dollarë. Shqipëria nuk kishte mundësi të financonte vetë projektin, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare refuzuan ta financonin dhe e kundërshtuan publikisht projektin. Qeveria ra dakord që GE të gjejë një bankë të gatshme për të dhënë një kredi tregtare për Shqipërinë me vlerë 90 milionë dollarë. Kjo qe hera e parë që Shqipëria kërkonte kredi tregtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore lëshuan veçmas deklarata kritike ndaj projektit të Trenit Elektrik si dhe ndaj kredisë tregtare që qeveria pranoi ta merrte nga banka holandeze ABN Amro.

“Banka është e shqetësuar nga mungesa e analizës mbi përfitimet ekonomike dhe shoqërore që mund të sjelli ky projekt”, – deklaroi BB.

Opozita e djathtë e kritikoi projektin dhe e anuloi atë sëbashku me kredinë tregtare. Por ndërsa anuloi projektin pa leverdi ekonomike të trenit elektrik, qeveria e sotme ndërmorri një projekt dhjetë herë më të shtrenjtë dhe shumë herë më pa leverdi, atë të rrugës Durrës-Kukës.

Historia e kontratës 90 milionë dollarë

2004: Kryeministri Fatos Nano pranon një propozim të General Electric për të ndërtuar hekurudhën elektrike Tiranë Durrës me kosto 90 milionë dollarë

Financimi: Qeveria shqiptare nuk kishte para për të financuar projektin, por u ra dakord që GE të negocionte me një bankë një kredi tregtare për Shqipërinë

FMN-BB: Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kritikuan projektin si pa leverdi për vendin, tepër të kushtueshëm dhe të palogjikshëm

SHBA: Ambasada e SHBA-së në Tiranë këmbënguli vazhdimisht që projekti të zbatohej dhe shprehu pakënaqësi publikisht kur qeveria Berisha e anuloi atë

Gjyqi: General iu drejtua gjykatës së arbitrazhit për të kërkuar fitimet e munguara dhe fitoi 15 milionë euro. Shqipëria refuzoi të paguajë

Bllokimi: Një gjykatë në Belgjikë urdhëroi Eurokontrollin të mos i japë Shqipërisë fitimet mbi trafikun ajror dhe këto para t’ia kalojë General Electric

You may also like...