Gerrimander, teknika e vjetër e manipulimit të zgjedhjeve

2. harta e ppare gerrimanderShqipëria po diskuton ndryshimin e hartës së ndarjes administrative të vendit, një reformë e domosdoshme, por që lidhet ngushtë edhe me fatin e zgjedhjeve të ardhëshme për pushtetin vendor dhe ato parlamentare. Bota ka një histori të manipulimit të hartës zgjedhore, ashtu si dhe Shqipëria…

 Gjergj Erebara

Në vitin 1812, një gazetë amerikane, Boston Gazette, iu vu punës për t’i treguar lexuesve se çfarë kishte ndodhur me zgjedhjet për senatin e shtetit të Masaçusetsit. Gazeta përdori termin Gerrimander (Gerrymander), një përmbledhje e fjalëve Gerry (emri i guvernatorit) dhe Salamandër, forma që kishte marrë harta elektorale e shtetit. Autori që krijoi nofkën për këtë formë të manipulimit elektoral nuk dihet dhe ka gjasa që nuk do të mësohet kurrë.

Guvernatori i Masaçusetsit Elbrixh Gerri (Elbridge Gerry), pati firmosur një ligj që ndryshonte hartën elektorale të shtetit duke ngatërruar distriktet e zonës së Bostonit në një mënyrë që ngjanin me formën e salamadrës.

Kjo hartë qe një sukses i madh për personin që e konceptoi atë si një mënyrë për të fituar zgjedhjet. Ajo synon të ndajë mënjanë zonat që votojnë për kundërshtarin, apo t’i shpërndajë më mirë zonat që votojnë për partinë në pushtet në mënyrë që të fitohen më shumë senatorë apo deputetë.

Që nga koha kur u shpik, kjo metodë manipulimi është përdorur në një dyzinë shtetesh. Së fundmi, qe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, i cili u akuzua se ka përdorur praktikën Gerrimander për t’i dhënë partisë së vet një avantazh në zgjedhje. Dhe duket se ia doli me sukses. Pjesërisht falë hartës elektorale dhe pjesërisht falë opozitës së fragmentarizuar, Orban arriti të fitojë 67 për qind të parlamentit me vetëm 45 për qind të votave. Ai përfitoi nga zemërimi popullor nga numri i lartë i deputetëve, 386 vetë për 10 milionë banorë. Për të ulur numrin e deputetëve në 199, një masë e mbështetur gjerësisht, qeveria duhej të krijonte edhe një hartë të re elektorale. Dhe e pati mundësinë për ta bërë sipas qejfit sepse dispononte shumicën dërrmuese parlamentare për të ndryshuar ligjet zgjedhore.

Shpjegimi i fjalorëve për Gerrimandering është kështu: Ndarja e një shteti në zona zgjedhore në mënyrë që t’i jepet një partie politike shumica në sa më shumë zona zgjedhore ndërsa përqendrohet fuqia e votave të partisë tjetër në sa më pak zona zgjedhore të jetë e mundur.

Skema në mënyrë të thjeshtëzuar është kështu: kemi një popullsi prej 100 votash për të zgjedhur tre deputetë. Konkurrojnë dy parti të cilat kanë mbështetje të barabartë mes elektoratit, secila me 50 vota. Partia në pushtet i ndan votat në tre zona elektorale nga 33 vota secila, por në një qendër përqendron 30 vota të kundërshtarit ndërsa në dy qendrat e tjera ndan 20 votat e mbetura. Te zona ku ka përqendruar votat e kundërshtarit do të humbasë thellë, por te dy zonat e tjera do të fitojë në mënyrë të sigurtë.

Në përfundim, pavarësisht se vota popullore është e barabartë, njëra parti ka fituar dy deputetë ndërsa tjetra ka fituar vetëm një.

Reforma administrative

Shqipëria po diskuton sot kryerjen e një reforme të administrimit të territorit, praktikisht zvogëlimin e numrit të qeverive vendore në favor të krijimit të njësive më të mëdha administrative. Por në këtë proces do të ndryshojnë shumë gjëra, mes tyre, ka gjasa që do të ndryshojë edhe harta elektorale. Pyetja shtrohet nëse pas ideve të mëdha për administrim më efikas të territorit, luftës kundër kryekomunarëve që janë bërë bejlerë etj, ka apo nuk ka ndonjë prirje për të krijuar një hartë elektorale favorizuese për koalicionin qeverisës apo partinë në pushtet.

Në këtë pikë, opozita ka zgjedhur të thotë “jo” për çdo gjë, dukshëm me parimin se “jo”-ja ndaj ofertës së parë nënkupton mundësi për një pazar më të mirë më vonë.

Pas kuintave politike, ndonëse jo aq shumë nëpër media, po diskutohet gjerësisht për avantazhet dhe disavantazhet që secila palë mund të ketë nga kjo reformë, në zgjedhjet e ardhëshme për pushtetin vendor që do të zhvillohen në vitin 2015 apo për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare që do të zhvillohen në vitin 2017.

Gerrimandering është diçka që ka ndodhur me bollëk në të shkuarën në Shqipëri, aq herë sa ka patur ndryshime të hartës elektorale apo sistemit elektoral. Synimi gjithmonë ka qenë që të fitohen më shumë deputetë me më pak vota.

Le ta fillojmë me vitin e largët 1991: Administrimi zgjedhor, krijimi i hartës zgjedhore e rregullave zgjedhore, u bënë nga Partia e Punës, apo Partia Socialiste. Pati akuza se qeveria e kohës qëllimisht bëri një hartë elektorale ku nga zonat urbane, të cilat votuan për opozitën, të dilnin më pak deputetë në raport me popullsinë se sa në zonat rurale, ku qeveria fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve të vet, ose mbi 75 për qind të parlamentit. Harta elektorale me numër të ndryshëm votuesish nga zona në zonë nuk është ekzaktësisht Gerrimandering. Ky term nënkupton ngushtësisht manipulimin e hartës, jo të numrit të votuesve.

Në vitin 1996, qeveria e presidentit Sali Berisha kishte maxhorancë absolute në parlament, dalë nga zgjedhjet e vitit 1992. Me dy të tretat e parlamentit, ajo kishte të drejtë të ndryshonte kodin zgjedhor, hartën elektorale, të ndryshonte hartën e pushtetit vendor. Pak a shumë njësoj si Orban në Hungari apo koalicioni qeverisës aktual në Shqipëri. Dhe kështu bëri. Krijoi një ligj elektoral që e shkatërroi parimin e proporcionalitetit mes votave të fituara dhe numrit të deputetëve të fituar. Shqipëria u nda në 115 zona elektorale, në një hartë të bërë sipas qejfit të qeverisë. Pesha e proporcionalit në ndarjen e mandateve të deputetëve u reduktua nga 40 në 25. Rezultati qe i dukshëm. Megjithëse teorikisht Partia Demokratike mori 55 për qind të votave në rang vendi, ajo fitoi 87 për qind të parlamentit.

Parimi i proporcionalitetit, i cili është kushtetues në Shqipëri, për fat të keq rezulton se është zbatuar vetëm në vitin 1992.

Në vitin 2001, më qëlloi të shkoj në zyrën elektorale të Robert Çekut, në Tiranë. Harta e zonës së tij elektorale qe varur në mur. Qe një hartë “e çuditshme” dhe kjo është pak të thuhet. Me parimin se aty ku ka shtëpi të vjetra, votohet djathtas dhe aty ku ka pallate votohet përgjithësisht majtas, një grumbull shtëpish të vjetra që qenë shumë brenda zonës elektorale në fjalë, qenë hequr prej saj për t’u dërguar te zona tjetër. Qe krijuar pra një ishull demokrat në një zonë që besohej se do të rezultonte socialiste. Shkurt, një gerrimandering e pastër në favor të Partisë Socialiste. Lufta për hartë elektorale favorizuese në vitin 2001 nuk qe thjeshtë socialistë kundër demokratëve. Ajo qe një luftë edhe brenda socialistëve, ku deputetët e konsideruar “të fortë” ndikuan krijimin e hartës zgjedhore për t’i dhënë vetes avantazh sa më të madh të qe e mundur në zonën e vet elektorale.

Në qendër të Tiranës u krijua një zonë elektorale stërgjatshe që fillonte nga lagjet e vjetra në lindje dhe përfundonte te lagjet e reja në perëndim deri te “Zogu i Zi”.

Këtu bilanci i votave qe aq i ngushtë mes demokratëve tiranca të vjetër dhe socialistëve tiranca të rinj, sa në zgjedhjet e vitit 2005, doli problemi i “kutisë së fundit”. Kur po numëroheshin votat te qendra e numërimit të zonës që qe vendosur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, komisionerët demokratë e socialistë u përleshën me karrige gjatë numërimit të kutisë së fundit në vitin 2005, kuti që me pak vota, nxorri fitues një demokrat.

Por socialistëve nuk i mjaftoi në atë kohë manipulimi i hartës elektorale apo rregullave zgjedhore për të fituar. Gjithkush besoj se e mban mend Dushkun, sistemin elektoral që ndan votën nga kandidati nga vota për partinë dhe krijon një mishmash që nuk u zgjidh kurrë. Por për votuesit e rinj, të cilët nuk e mbajnë mend mirë se çfarë ka ndodhur në atë kohë, duhet të japim nja dy sqarime: Dushku është një fshat në Lushnjë, ai qe pjesë e zonës elektorale nr 60. Ditën e zgjedhjeve aty nuk u zhvilluan zgjedhje për “arsye teknike”. Dy javë më vonë, u la që aty të bëheshin zgjedhje. Në atë kohë qe zbuluar rezultati për pjesën tjetër të vendeve. Sido që zgjedhjet qenë plot manipulime, partia socialiste kishte vetëm një avantazh të lehtë në vota dhe një avantazh akoma më të lehtë në deputetë. Tre parti të saj aleate, nuk kishin arritur të kapnin pragun 2 për qind, të nevojshëm për të fituar tre deputetë. Secilës prej këtyre partive u nevojiteshin disa mijëra vota shtesë. Në një rast teorik, këto deputetë do të merreshin nga opozita përmes listave proporcionale dhe rrjedhimisht opozita do t’i kishte fituar zgjedhjet. Për të zgjidhur këtë siklet, u thirr në ndihmë zona 60. Meqë aty nuk qenë zhvilluar zgjedhjet ditën e caktuar të votimit, të 12 mijë votat e kësaj zone zgjedhore u ndanë në mënyrë kirurgjike mes tri partive aleate të qeverisë, të cilat në këtë rast, jo vetëm që i rrëmbyen fitoren opozitës, por i dhanë maxhorancë absolute koalicionit qeverisës.

Për rrjedhojë, në zgjedhjet e vitit 2001, Partia Socialiste mori 41.5 për qind të votave dhe 52 për qind të parlamentit. Koalicioni i Partisë Demokratike + Bashkimi për Fitore mori 37 për qind të votave dhe 32 për qind të parlamentit.

Në fakt, megjithëse socialistët e shfrytëzuan më së miri “sistemin e Dushkut” në zgjedhjet e vitit 2001, shpikësi i sistemit qe Partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 1996.

Ndërkombëtarët, sido që nuk bënë shumë zë më 2001, aludohet për shkak të situatës rajonale dhe frikës për trazira, (në atë kohë Millosheviçi qe ende në pushtet në Serbi dhe Maqedonia qe pranë Luftës Civile), nuk i pranuan zgjedhjet e vitit 2001 si “normale”. Filloi një operacion i gjerë diplomatik, në bazë të së cilit, u arrit një marrëveshje mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, u zgjodh një president konsensual pavarësisht se koalicioni qeverisës i kishte votat për të zgjedhur një president të vetin, si dhe u krijua një hartë e re zgjedhore, e cila u përdor për zgjedhjet e vitit 2005. Harta e re zgjedhore qe një gerrimandering në krah të kundërt, ajo favorizoi dukshëm Partinë Demokratike në opozitë. Rreth vitit 2007, kur Partia Socialiste u përpoq ta zhysë vendin në krizë politike dhe kushtetuese përmes mospramimit për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor, problemi që i doli qe që në rast zgjedhjesh të parakohëshme, me hartën e vitit 2005, shanset e Partisë Demokratike për të fituar qenë gati të padiskutueshme. Një test i vockël i kryer në Xhafëzotaj, në zgjedhje të parakohëshme, e demonstroi këtë kur PD fitoi me shumicë plebishitare. Prej kësaj u dol në konkluzionin se fituesin në zgjedhjet shqiptare nuk e përcakton votuesi, por harta.

Reforma tjetër zgjedhore në Shqipëri u krye në vitin 2008 gjithashtu me një marrëveshje mes dy partive të mëdha. Kësaj rradhe nuk pati manipulim harte elektorale për shkak se palët punuan mbi një hartë ekzistuese, atë të ndarjes së vendit në qarqe. Mospërputjet ose disporporcionaliteti mes numrit të votave të fituara dhe deputetëve të marrë në kuvend, vijoi të ekzistojë. Në vitin 2009,

Gjithsesi, fakti që ndryshimi i qeverive në Shqipëri është paraprirë gjithmonë me ndryshim të hartës elektorale, ka krijuar përshtypjen se harta elektorale, e prezantuar shumë shpesh si “reformë” elektorale, ka qenë vendimtare në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve. Jo vetëm kaq, por ndryshimi i hartës elektorale, apo krijimi i një baze për garë pak a shumë të barabartë mes palëve, ka kërkuar gjithmonë një krizë. Qeveria e Partisë së Punës e dalë nga zgjedhjet e vitit 1991, u përball me protesta popullore, paralizim të përgjithshëm të ekonomisë dhe rrëzim të përgjithshëm të shtetit deri sa pranoi një reformë konkrete, zgjedhje të parakohëshme dhe garë të ndershme. Berisha u përball me një rënie të dytë të shtetit, kësaj here edhe më dramatike në vitin 1997 deri sa pranoi dorëzimin e pushtetit me kompromis. Dhe socialistëve iu desh të përballen me izolim të përgjithshëm ndërkombëtar dhe presion të gjithanshëm diplomatik deri sa pranuan marrëveshjen me opozitën në vitin 2003. Ndryshimi i kushteve zgjedhore ka kërkuar gjithmonë një opozitë agresive që punon pa rreshtur për destabilizimin e vendit si parakusht për të arritur te një marrëveshje për “reformë” elektorale. Askush nuk duhet të habitet nga rruga që ka zgjedhur edhe opozita aktuale. Përballë një maxhorance absolute me vota të mjaftueshme për ta bërë sistemin zgjedhor si të dojë, vështirë se politika institucionale mund të të ndihmojë.

You may also like...