Gjykata Europiane na jep ultimatum 6 mujor për pronat. Rrezikojmë sanksione

Shqipëria vihet nën regjimin e vendimit pilot. Rrezikojmë sanksione nga Këshilli i Europës

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka edhe 6 muaj afat qeverisë shqiptare që të gjejë një zgjidhje konkrete dhe finale për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave ose në rast të kundërt Shqipëria rrezikon sanksione nga Këshilli i Europës. Vendimi është marrë korrikun e vitit 2012 dhe afati për të paraqitur një platformë reale për zgjidhjen e problemit të pronave, të cilin gjykata e konsideron si “problem strukturor” të sistemit shqiptar të drejtësisë, është drejt skadimit të afatit të përcaktuar. Por qeveritë shqiptare duket se nuk e kanë marrë seriozisht këtë ultimatum ndërsa shumë juristë të sistemit të drejtësisë flasin të alarmuar për rrezikun e sanksioneve. Sipas një njoftimi të Këshillit të Europës më 5 dhjetor, afati final për Shqipërinë është përcaktuar 17 qershori i vitit 2014.

Vendimi pilot

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, pasi shqyrtoi rastin Manushaqe Puto e të Tjerë Kundër Shqipërisë, doli në konkluzionin se vendi ynë ka një Problem Strukturor: Moszbatimi i vendimeve administrative për dhënien e kompensimit për pronat e konfiskuara gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri.

“Rasti i përket ankesave nga 20 shqiptarë që, pavarësisht titullit të trashëguar mbi parcela toke, të njohura nga autoritetet, vendimet finale administrative për t’i dhënë atyre kompensim në një nga mënyrat e ofruara nga ligji për rikthimin, nuk janë zbatuar kurrë,” vërejti Gjykata. Ka aktualisht 80 raste të ngjashme në pritje para Gjykatës, e cila i kërkon Shqipërisë: “Të marrë masa të përgjithshme që në mënyrë të efektshme të sigurojë të drejtën për kompensim brenda 18 muajve nga data në të cilën vendimi bëhet final. Gjykata në veçanti i nxit autoritetet, si çështje prioritare, të fillojnë të përdorin format alternative të kompensimit të siguruar nga ligji shqiptar në vitin 2004, në vend që të bazohen rëndë mbi kompensimin financiar. Është e rëndësishme të vendosen afate ligjore realiste dhe të detyrueshme në drejtim të çdo hapi të procesit të kompensimit,” – vijon më tej gjykata, e cila i vendosi një gjobë 1 milionë euroshe Shqipërisë në rastin në fjalë.

Gjykata vendosi në unanimitet se Shqipëria ka shkelur në mënyrë sistematike nenin 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (E drejta për kompensim), nenin 6, pika 1 (e drejta për gjykim të ndershëm), si dhe nenin 1 të protokollit 1 (Mbrojtja e Pronës).

Gjykata vendosi gjithashtu të mos pranojë më padi kundër Shqipërisë që prekin raste të tilla duke gjykuar se numri i shqiptarëve që kanë një rast të vlefshëm për padi të suksesshme kundër shtetit shqiptar mund të jetë shumë i madh.

Përgjigjja e pakënaqshme e Shqipërisë

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës u mblodh në 3-5 dhjetor 2013 për të diskutuar masat e marra nga disa vende anëtare për zbatimin e vendimeve të Gjykatës. Sipas një njoftimi për shtyp, Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministri i Drejtësisë Idlir Peçi.

Këshilli “mikpriti praninë e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe vendosmërinë e shprehur nga Ministri i Drejtësisë në letrën e tij të 27 nëntorit 2013, duke demonstruar vullnetin e autoriteteve për të zbatuar këto vendime,” thuhet në njoftim.

Por Këshilli “shprehu shqetësim të thellë se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Komiteti i Ministrave për marrjen e masave të nevojshme, thirrja e fundit është bërë nga Rezoluta e Ndërmjetme CM/ResDH(2013)115, dhe afrimi i afatit final (17 qershor 2014), autoritetet kanë dështuar të dorëzojnë informacion konkret për të demonstruar se po bëhet ndonjë përparim apo se ata kanë një strategji për zbatimin e vendimit”.

Komiteti “vërejti me interes angazhimin e shprehur nga qeveria e re e Shqipërisë për të paraqitur, brenda afatit të vendosur nga gjykata, një mekanizëm efektiv kompensimi para Komitetit, pa vonesa të tjera, një plan të detajuar dhe gjithëpërfshirës për zbatimin e këtij grupi çështjesh.”

Komiteti kërkon që një plan i tillë të dorëzohet mundësisht në mars 2014.

Mekanizmi

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut zhvilloi procedurën e vendimit pilot duke filluar nga viti 2000, për të shqyrtuar rastet kur nënshtetasit e ndonjërit nga 47 vendet anëtare përballeshin në mënyrë të përsëritur me të njëjtat shkelje të kryera nga qeveritë e vendeve të tyre. Duke qenë se Gjykata Europiane nuk është një gjykatë e zakonshme dhe nuk mund të merret me çdo rast që praktikisht duhet të zgjidhet nga gjykatat e zakonshme, ajo vendos të pezullojë pranimin e këtyre rasteve dhe t’i kërkojë vendit shkelës të zgjidhë në rrënjë problemin, duke ndryshuar ligjet dhe procedurat e veta.

Në rast se qeveria përkatëse nuk pranon t’i bindet vendimit të Gjykatës dhe nuk zgjidh problemin sistemik, Gjykata ia referon çështjen Këshillit të Europës, i cili mund të marrë sanksione. Mes sanksioneve mund të jetë pezullimi i të drejtës së votës së Shqipërisë në Këshillin e Europës, një lloj ngrirjeje e anëtarësimit.

Ngrirja e të drejtës së votës dhe praktikisht e anëtarësimit në Këshillin e Europës mund të jetë një shkelm tjetër për Shqipërinë në rrugën e vet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

You may also like...