Guvernatori i kompromiseve përballet me zemërimin e publikut

Gjergj Erebara

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka arritur deri tani të shmangë përplasjet e forta me politikën dhe publikun e gjerë falë praktikave të tij të ndërtimit të marrëdhënieve miqësore personale me pothuajse çdokënd me rëndësi në vend, nga politikanët deri te gazetarët. Por vjedhja e 713 milionë lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë që gjendet në një ndërtesë me kushte të rrepta sigurie në periferi të Tiranës, ka shkaktuar kokëçarjen më të madhe për të në 10 vjet si guvernator, ku shumë shqiptarë po përdorin median sociale për të nxitur protesta popullore kundër tij.

Mero Baze, publicist dhe botues i gazetës Tema në Tiranë, e ka shënjestruar atë ashpër duke thënë se ai aktualisht ka blerë heshtjen e të gjithë klasës politike në qeveri apo në opozitë në lidhje me ngjarjen dhe se media dhe opinioni publik janë e vetmja opozitë përballë tij.

Sipas burimeve zyrtare dhe jozyrtare, vjedhja ndodhi në magazinën e rezervës së parasë fizike të Bankës së Shqipërisë, një ndërtesë e sigurisë së lartë ku mbahet një sasi parash e gatshme për t’u hedhur në treg sipas nevojave të zakonshme ose për raste të jashtëzakonshme si panik bankar. Një punonjës i magazinës raportohet se i mori 713 milionë lekët nga magazina, e cila mbikëqyret me kamera sigurie dhe me rregulla strikte magazinimi duke i futur në të brendshmet e tij për t’i nxjerrë jashtë ndërtesës gradualisht përgjatë katër viteve të fundit. Bilanci i Bankës së Shqipërisë, i audituar për vitin e kaluar nga Grant Thornton sh.p.k, nuk ka vërejtur asgjë të pazakontë në gjendjen monetare të bankës gjë që nxjerr probleme edhe me auditimin, por edhe me zyrën e kontabilitetit të vetë bankës. Gjykata ka urdhëruar nëntë arrestime në lidhje me ngjarjen por shumë janë të zemëruar nga fakti që një punonjës i thjeshtë besohet se ka nxjerrë mijëra topa me para për vite me rradhë pa u zbuluar, duke i shpëtuar njëkohësisht mbikëqyrjes me kamera ashtu edhe inspektimeve fizike të magazinës.

59 vjeçari Fullani u diplomua në ekonomi në Tiranë në vitin 1977, dhe punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar që nga viti 1985 deri në vitin 1996. Ai punoi te banka Italo-Shqiptare, në bashkëpronësi mes Shtetit Shqiptar dhe një banke italiane deri në vitin 2004, kohë kur u votua në parlament si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Bashkëshortja e tij, Arjana Fullani është gjykatëse në Gjykatën e Lartë në Shqipëri dhe përfitoi zemërimin e publikut në vitin 2011 kur qe pjesë e grupit të gjyqtarëve nxorrën të pafajshëm politikanin Ilir Meta, i filmuar nga ish-ortaku i tij në politikë Dritan Prifti duke folur për 750 mijë euro rryshfet për ndërtimin e një hidrocentrali. [Link].

Familja është shumë e pasur dhe në deklarimet e gjendjes së tyre pasurore, (detyrim ligjor për të dy si funksionarë publikë në Shqipëri), raportojnë për qindramijëra euro llogari bankare dhe prona. [Link http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/08/03/fullani-kam-nisur-te-kursej-para-qe-ne-vitin-1978/].

Si guvernator, ai është njohur si drejtues miqësor me bankat komerciale në vend, duke lehtësuar procedurat dhe duke ulur interesat e kredive që banka qëndrore u jep bankave tregtare. Ai gjithashtu është i pari guvernator i Bankës së Shqipërisë që arriti të fitojë një mandat të dytë shtatëvjeçar në vitin 2011.

Banka e Shqipërisë është një institucion ku shumë shpesh drejtuesit kanë përfunduar keq, të burgosur apo në arrati. Paraardhësi i Fullanit, ministri aktual i Financave Shkëlqim Cani, pa zëvendësin e tij të arrestuar dhe dënuar për korrupsion në vitin 2003 ndërsa ai vetë humbi shanset për rikandidim kur u përplas politikisht me Fatos Nanon, në atë kohë, kreu u qeverisë dhe i Partisë Socialiste. Së paku një guvernator tjetër përfundoi në burg si pasojë e përplasjeve me politikën ndërsa shumë të tjerë humbën postin me lehtësi dhe ranë në harresë politike.

Duke patur parasysh këtë histori, suksesi i Fullanit për të mbajtur marrëdhënie të mira nga e gjithë klasa politike njëherësh është një arritje mbresëlënëse.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili fitoi pafajësinë në vitin 2011 pjesërisht falë rolit të Arjana Fullanit si gjykatëse, ofroi mbështetjen e tij të hapur për guvernatorin Fullani së fundmi duke theksuar se sipas mendimit të tij, guvernatori nuk qe përgjegjës për situatën për shkak se banka vetë e pati denoncuar vjedhjen.

Ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj fansave të tij në Facebook duke thënë se ndonëse e dënon krimin, opozita nuk dëshiron të “nxisë destabilizim” të sistemit bankar duke sugjeruar se nuk ka ndër mend të konsiderojë guvernatorin Fullani si përgjegjës. Justifikimi i Berishës mbi rëndësinë e shpëtimit të sistemit bankar nga destabiliteti nuk bind për shkak se Berisha qe njeriu që kërkoi me ngulm në vitin 2000 të shkatërronte sistemin bankar duke deklaruar në mënyrë të përsëritur se depozitat e qytetarëve nëpër bankat shtetërore qenë vjedhur nga qeveria dhe se bankat qenë skema piramidale të falimentuara.

Partia Socialiste dhe qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk ka mbajtur ndonjë qëndrim zyrtar deri tani dhe ka preferuar të zgjedhë heshtjen ndërsa ndjek zhvillimin e ngjarjeve.

Fullani duket se ka edhe mbështetjen e shumicës së deputetëve të partisë socialiste, pasi vetëm njëri prej tyre, Erjon Braçe, ka folur deri tani kundër tij.

Disa gazeta kanë sugjeruar se suksesi i Fullanit në marrëdhëniet me klasën politike lidhet me punësimin në Bankën e Shqipërisë të një numri të madh familjarësh të politikanëve apo zyrtarëve të lartë të shtetit nga të gjitha krahët e politikës. Gazetat kanë publikuar një listë të gjatë emrash të punësuar nga BSH dhe lidhjet e tyre familjare, që fillojnë nga djali i ish-kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, (institucionit që ka për detyrë të auditojë BSH) te vajza e ish-presidentit të djathtë Bamir Topi, pasuar nga një numër i madh deputetësh nga të gjitha partitë kryesore të vendit, majtas apo djathtas.

Banka e Shqipërisë perceptohet si një nga institucionet publike me rrogat më të larta në Shqipëri dhe rrogat janë rritur në mënyrë dramatike gjatë dekadës së fundit duke shkaktuar në disa raste zili dhe në disa raste zemërim. Open Data Albania, një projekt që publikon të dhëna statistikore, thotë se një punonjës i Bankës së Shqipërisë i kushtoi taksapaguesve mesatarisht 184 mijë lekë në muaj (1300 euro) për vitin 2013, ndërkohë që paga mesatare e sektorit publik është vetëm 52 mijë lekë (376 euro) në muaj.

Fullani është kritikuar për shumë shpenzime luksoze, përfshirë qindramijëra euro të shpenzuara për një skuadër basketbolli amatore të përbërë nga punonjës të Bankës së Shqipërisë.

Përgjatë viteve të fundit, fitimet e Bankës së Shqipërisë, të cilat i transferohen buxhetit të shtetit, janë pakësuar në mënyrë dramatike nga mbi 50 milionë euro në vit disa vite më parë në vetëm 9 milionë euro për vitin 2013. Arsyet e tkurrjes së fitimeve lidhen me disa investime luksoze rinovimi të ndërtesave të Bankës së Shqipërisë, rinovime që dukej të kishin përfunduar vite më parë por që janë goditur nga vonesa dhe tejkalime kostosh. Ndërkohë Banka e Shqipërisë raportohet se paguan rreth 50 milionë lekë në vit (360 mijë euro) si qira për zyrat e saj të përkohëshme.

Gazeta Tema ka publikuar vazhdimisht lajme satirike mbi praktikat e Fullanit për të blerë kompromis politik duke shtruar dreka dhe darka luksoze (një praktikë e stereotipizuar korruptimi që nga koha e komunizmit në Shqipëri) ndërsa në Tiranë ka një numër të madh thashethemesh mbi aftësitë e tij për të gatuar dhe mbi rëndësinë që i kushton të ngrënit në shumë biseda joformale.

Në këtë situatë, disa gazetarë, përfshirë gazetarë ekonomie që kanë mbuluar Bankën e Shqipërisë si pjesë e punës së tyre të përditshme, filluan të nxisin popullatën përmes medias sociale apo edhe medias konvencionale për të dalë në protestë në kërkim të dorëheqjes së Fullanit si guvernator.

Së fundmi, media kontrolloi faqet në Facebook të fëmijëve të Guvernatorit dhe raportuan për jetë luksi ndërsa vunë në pikëpyetje burimin e pasurisë së deklaruar nga ai vetë dhe bashkëshortja gjykatëse.

“Kur parlamenti dhe politika në tërësi nuk përfaqësojnë dhe mbrojnë më interesin e qytetarëve, kjo është kapja e shtetit në formën e vet më të egër, më brutale dhe më perverese,” komentoi gazetari Klodian Tomorri në faqen e tij në Facebook. “Qytetarët duhet të dalin në rrugë për t’u përballur me elitën,” shtoi ai.

Xhabyni, një bloger me pseudonim, sugjeroi me ironi se Fullani duhet të zgjidhet President i Republikës për shkak të aftësisë së tij unike për të arritur kompromis me të gjitha partitë politike të vendit, diçka që ndodh rrallë në Shqipëri.

Të hënën, një grup prej disa dhjetëra vetësh dolën në protestë para selisë së përkohëshme të Bankës së Shqipërisë. Edhe disa gazeta dhe opinionistë pranë qeverisë hodhën kritika të ashpra ndaj tij. Aktivistë të medias sociale po bëjnë thirrje për protesta të përditshme duke treguar një shkallë të pazakontë zemërimi ndaj ngjarjes.

Grupi i aktivistëve ka njoftuar për protesta të përditshme, ndërsa prokuroria ka rritur numrin e të arrestuarve në lidhje me vjedhjen. Por mbetet për t’u parë nëse zemërimi popullor do të arrijë të triumfojë mbi aftësinë e z. Fullani për të arritur kompromis politik me të gjithë.

You may also like...