Heroi i Çarli dhe Fabrika e Çokollatave qe ‘në fillim i zi’
E veja dhe biografi i Roald Dahl thonë se Çarli i parë qe i zi por shkrimtari u detyrua ta bëjë atë të bardhë.
Roald Dahl në fillim dëshironte që heroi i tij i famshëm në librin e shumëdashur për fëmijë Çarli dhe Fabrika e Çokollatave të qe i zi, tha e veja e tij të mërkurën, (13 shtator 2017).
Në një intervistë me Radion 4 të BBC, Liçy Dahl tha: “Çarli i parë për të cilin ai shkroi qe një djalë i vogël i zi.”
E pyetur se pse kjo u ndryshua, ajo u përgjigj: “Nuk e di. Por është për të ardhur keq.”
Biografi i bashkëshortit të saj Donald Sturrock, i cili u intervistua në të njëjtën kohë, tha se ndryshimi te një personazh i bardhë u cyt nga agjentja letrare e Dahl, i cili besonte se nëse Çarli do të qe i zi, ai do të pëlqehej më pak nga lexuesit.
“Unë mund t’ju them se qe agjentja e tij që mendoi se qe një ide e keqe që të kishe një hero të zi kur libri të botohej për herë të parë,” shpjegoi Sturrock. “Ajo tha se njerëzit do të pyesnin: ‘Pse i zi’?”
Zbulimi se dëshira origjinale e Dahl qe që Çarli të qe i bardhë, mund të surprizojë shumë nga ata që e kanë akuzuar këtë shkrimtar për racizëm në librin e tij. Akuza ka rrjedhur nga fakti se Oompa Loompas në variantin origjinal qenë xhuxhë të zinj nga Afrika.
Në vitin 1970, kur u publikua lajmi se mbi këtë libër do të realizohej një film, Shoqata Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP), reagoi duke argumentuar se importimi i oompa Loompas në fabrikë kishte nënkuptime mbi skllavërinë.
Dahl këmbënguli në atë kohë se nuk kishte qëllime raciste pas Oompa Loompas dhe se ai vetë qe simpatizant me Shoqatën. Si pasojë e kësaj, ai e rishkroi librin për edicionin e dytë të publikuar në SHBA duke i transformuar personazhet si xhuxha hipi të bardhë që vinin nga një vend imagjinar i quajtur “Loompaland”. Filmi, ku luan Gene Ëilder,i shmangu akuzat për racizëm duke i bërë këto personazhe me flokë jeshil dhe me lëkurë ngjyrë portokalli.
Deri në vitin 2016, Çarli dhe Fabrika e Çokollatave ka rezultuar libri më i shumëshitur i Roald Dahl me rreth 1 milionë kopje të shitura.
Roald Dahl (1916-1990) qe një shkrimtar, poet, skenarist dhe pilot lufte nga Britania e Madhe. Librat e tij kanë ardhur në shqip duke filluar nga viti 1998, kur Shtëpia Botuese Çabej solli me shqipërimin e Naum Priftit Çarli dhe Fabrika e Çokollatave. Po në të njëjtën kohë u botua për herë të parë edhe romani Gjigandi i Madh i Mirë, ndërsa Brikena Çabej solli të shqipëruar romanin Shtrigat në vitin 2008. Në vitin 2014, me shqipërimin e Virgjil Muçit, shtëpia botuese Dituria solli në shqip romanin Im Ungj Osvald.
Shtëpia botuese Çabej pritet të publikojë së shpejti edhe romanin Matilda, me shqipërimin e Beti Njumës.