Hetimi/Agjencia e Shoqërisë Civile e bëri financimin e OJF-ve biznes familjar

harta e lidhjeveIsh-anëtarët e bordit dhe stafi në agjencinë shtetërore të krijuar për mbështetjen e shoqërisë civile financoi OJF-të e veta apo ato të drejtuar nga familjarët e tyre, zbulon një hetim gazetaresk i Balkaninsight.

Erjona Rusi, Besar Likmeta BIRN

Një hetim gazetaresk nga Balkan Insight zbulon se katër ish anëtarë bordi të Agjencisë së Mbështetjes së Shoqërisë Civile (AMSHC), i dhanë grante pesë organizatave me të cilat kishin lidhje drejtpërsëdrejti apo përmes familjarëve të tyre gjatë kohës që qenë në detyrë.

Të pesë organizatat, të cilat morën 19.9 milionë lekë (141 mijë euro) grante nga agjencia mes viteve 2010 dhe 2013, janë Këshilli Rinor Shqiptar, Transparency International Albania, Qendra Akses, Qendra UET dhe Fondacioni për Liri Ekonomike.

Një organizatë tjetër e lidhur me stafin e AMSHC, JEF Albania, mori gjithashtu para nga agjencia.

Megjithëse shumat e shpërndara nga AMSHC janë domethënëse, shumë organizata të shoqërisë civile e perceptojnë këtë institucion si aq të korruptuar sa nuk marrin pjesë me aplikime duke patur frikë se grantet e marra prej saj do t’i dëmtojnë reputacionin.

Disa nga OFJ-të e financuara nga AMSHC janë praktikisht të padukshme. Ato nuk kanë faqe interneti dhe shumë pak gjëra dihen nga projektet që ato kanë zbatuar.

“Organizatat fituese në të shkuarën qenë të gjitha organizata me lidhje të drejtpërdrejtë apo indirekte me njerëz brenda agjencisë, të cilët përcaktonin fituesit,” thotë Gledis Gjipali, kreu i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, një institucion kërkimor në Tiranë.

“Ky është një konflikt i hapur interesi, i cili më shtyu mua të mos aplikoj atje,” shtoi ai.

Neni 6 i ligjit të miratuar më 2009 për organizimin e AMSHC sanksionon se Agjencia duhet “të garantojë paanshmërinë gjatë procesit të vendimmarrjes dhe të parandalojë konfliktin e interesit”.

Të njëjtat parime konsiderohen të detyrueshme të procedurat e financimit për grante në rregullat zyrtare të AMSHC të publikuara në faqen e saj të internetit.

Drejtori i AMSHC Rudi Bobrati pranoi se organzata u drejtua nga anëtarë bordi që përfituan nga grantet e dhëna nga agjencia. Por Bobrati i tha Balkan Insight se, me ligj, prania e tyre në bord nuk i skualifikonte nga e drejta për aplikim për grante.

Ai këmbënguli se megjithëse kishte raste të miqve dhe të afërmve të anëtarëve të bordit që aplikonin dhe fitonin grante, marrëdhënia e tyre me bordin nuk ndikonte procesin përzgjedhës.

“Ligji për krijimin dhe funksionimin e agjencisë nuk ndalon anëtarët e bordit për aplikim për fondet shtetërore për organizatat e tyre,” tha Bobrati.

“Kur kjo ndodhte, ata linin dhomën dhe nuk merrnin pjesë në procesin e votimit,” shtoi ai.

Në janar të këtij viti, të gjithë anëtarët e bordit që morën fonde për organizatat e veta u zëvendësuan. Një drejtor i ri për agjencinë do të duhet të emërohet.

Anëtarët e rinj të bordit që sakaq janë emëruar vijnë nga media dhe OJF që perceptohen se janë pranë Partisë Socialiste në pushtet, e cila mori qeverinë shtatorin e kaluar pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gjatë fushatës elektorale, socialistët premtuan se do të reformojnë agjencinë, e cila sipas pretendimit të tyre, qe përdorur nga qeveria e mëparshme e qendrës së djathtë për të shpërblyer organizata të shoqërisë civile që mbështesnin politikat e tyre.

Disa aktorë të shoqërisë civile tashmë ankohen se nominimet e bordit të ri sakaq kanë qenë shumë larg transparencës së nevojshme dhe se procesi përzgjedhës është sërish i orkestruar politikisht.

Konflikt interesi

Sipas raportit të vitit 2012 të USAID mbi indeksin e qëndrueshmërisë së shoqërisë civile, OJF-të e Shqipërisë mbeten financiarisht të dobëta ndërsa mjedisi ligjor në të cilin operojnë më shumë se 1,600 organizata mbetet i paqartë.

Themeluar në dhjetor 2009, AMSHC synonte të rriste financimet për OJF-të vendëse në një kohë kur donatorët ndërkombëtarë po tërhiqeshin nga Shqipëria dhe rajoni.

Që kur lëshoi thirrjen e parë për grante në mars 2010, agjencia ka shpërndarë më shumë se 2.1 milionë euro. Bordi mbikëqyrës i AMSHC-së, e cila përzgjidhte aplikimet fituese, përbëhet nga nëntë anëtarë. Pesë merren nga shoqëria civile dhe katër nga institucione qeveritare.

Që kur bordi i vjetër u zëvendësua në janar 2014, përbërja e tij ka ndjekur të njëjtin model me pesë anëtarë nga shoqëria civile dhe katër nga institucione qeveritare.

Anëtarët e bordit që përfituan grante nga AMSHC mes viteve 2010 dhe 2013 përfshijnë Lutfi Dervishin, drejtor të Transparency International Albania dhe Henri Çili, themelues i Qendrës UET dhe Fondacionit për Liri Ekonomike.

Dervishi i tha Balkan Insight se konflikti i mundshëm i interesit e ka bërë atë të mendohet dy herë para se të hyjë në bord. Në të njëjtën  kohë, ai argumentoi se ligji shqiptar nuk e ndalonte organizatën e tij nga aplikimi për para.

Dervishi mohoi të ketë ndikuar procesin e vendimmarrjes, duke theksuar se TIA mori vetëm një grant nga AMSHC dhe duke shtuar se ai e kishte skualifikuar veten nga votimi kur u analizua aplikimi.

“Ne nuk ishim të pranishëm në procesin e votimit kur një nga organizatat tona aplikonte për një projekt,” tha Dervishi. “TIA fitoi vetëm një projekt, me një sasi minimale parash dhe shumë organizata të tjera fituan më shumë,” shtoi ai.

Të dhënat e AMSHC tregojnë se TIA mori dy grante nga agjencia me total prej 3.79 milionë lekës (27 mijë eurosh).

Çili, publikues i gazetës së përditshme MAPO dhe pronar i Universitetit Europian të Tiranës, me të cilat janë të lidhura të dyja OJF-të e tij, refuzoi të komentojë.

Fondacioni për Liri Ekonomike dhe Qendra UET morën 4.2 milionë lekë (30 mijë euro) në total nga AMSHC. Altin Goxhaj, një aktivist i mbrojtjes së konsumatorëve dhe ish anëtar bordi i agjencisë, qe ish drejtor ekzekutiv i Këshillit Rinor Shqiptar, i cili mori 6.79 milionë lekë (48 mijë euro) nga AMSHC në thirrjen e parë në vitin 2010, ndërsa ai qe anëtar bordi. Goxhaj nuk iu përgjigj kërkesave nga Balkan Insight për komente.

Organizata, tashmë e drejtuar nga Argyrina Jubani, punon për të përmirësuar pjesëmarrjen në demokraci mes të rinjve dhe kontribuon drejt zhvillimit të aftësive dhe njohurive të tyre.

Qendra Akses, drejtuar nga Marjana Papa, motra e ish anëtares së bordit Helena Papa, mori 6 milionë lekë (42 mijë euro) nga AMSHC.

Young European Federalists, JEF Albania, një organizatë e drejtuar më herët nga Endrit Pollo, një specialist finance te AMSHC, mori gjithashtu 3.7 milionë lekë (27 mijë euro) në grante nga agjencia.

Bobrati tha se ka patur edhe raste të tjera miqsh dhe të afërmish të anëtarëve të bordit që aplikonin për grante.

Gjithsesi, në secilin rast, vërejti ai, “anëtarët e bordit nuk morën pjesë në procesin e përzgjedhjes.”

Mungesë transparence:

Disa nga organizatat e financuara nga AMSHC janë pothuajse të padukshme para publikut shqiptar. Ato ose nuk kanë faqe interneti ose faqe të varfëra, të cilat japin shumë pak informacion.

Megjithëse AMSHC ka një listë të të gjitha OJF-ve që janë regjistruar për financim, ajo publikon vetëm personin e kontaktit dhe në shumë raste është e paqartë se kush e drejton organizatën.

Këshilli Rinor Shqiptar, më herët i drejtuar nga anëtari i bordit Altin Goxhaj dhe OJF-ja e dytë më e financuar nga AMSHC, nuk ka faqe interneti. Sipas një buletini të publikuar më 2012, organizata ka zbatuar pothuajse dy dyzina projektesh nga donatorë të ndryshëm që kur është themeluar më 1994.

Në internet, organizata ka një faqe interneti për projekt, (projektiqytetar.org), financuar nga Banka Botërore, por nuk ka informacion mbi zbatimin e grantit nga AMSHC.

Qendra Action, një organizatë që përfitoi 5.1 milionë lekë nga AMSHC, nuk ka gjithashtu faqe interneti. E njëjta gjë është për Qendrën për Edukimin dhe Pjesëmarrjen Qytetare, Qendra Europiane për Zhvillimin dhe Arsimin dhe Qendra Aleanca Rinore, të cilat përfituan 5.2 milionë lekë, 5.1 milionë lekë dhe 3.7 milionë lekë respektivisht. Që të gjitha nuk kanë faqe interneti.

Xhemal Mato, drejtor ekzekutiv i Ekolëvizja, një grup përmbledhës i organizatave mjedisore, i përshkroi dhënien e fondeve nga AMSHC si klanore.

Ai akuzoi ish anëtarët e bordit se financonin OJF-të e tyre në konflik interesi.

“Kishte mungesë transparence dhe komunikimi dhe në realitet agjencia qe e kontrolluar nga politikanët, pavarësisht pretendimit të tyre se bordi qe përzgjedhur nga shoqëria civile,” tha Mato.

Mato rikujton se kur organizata e tij aplikoi për një fond të vogël prej 10 mijë dollarësh, atij iu dhanë vetëm 2 mijë.

“Ne i kthyem paratë sepse kuptuan se ky qe një proces që shpërndante para vetëm me synimin për t’i ndaluar OJF-të të ankoheshin,” tha ai.

“Ne aplikuam me një projekt për të bërë diçka për mjedisin, ne nuk kërkuam bamirësi,” shtoi Mato.

Lutfi Dervishi pranoi ekzistencën e skepticiizmit mbi agjencinë mes shoqërisë civile por këmbënguli se procesi i përzgjedhjes për grantet qe transparent.

“Skepticizmi është i ligjshëm për shkak se OJF-të e shikojnë AMSHC-në si një agjenci qeveritare,” tha Dervishi. “Por ne i kemi bërë thirrjet publike dhe çdokush është gjykuar sipas meritës,” përfundoi ai.

Bord i ri, histori e vjetër:

Reformimi i AMSHC dhe zëvendësimi i bordit me njerës me “integritet” qe një premtim elektoral i Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, i cili mori postin shtatorin e kaluar.

Në janar, Rama emëroi Adrian Thanon, kryeredaktor i gazetës së krahut të majtë DITA, si kreu i bordit mbikëqyrës të agjencisë.

Anëtarë të tjerë të bordit përfshijnë prezantuesin televiziv Alban Dudushi dhe Aldo Merkoçin, nga Lëvizja Mjaft.

Themeluar nga ministri aktual i Mirëqënies, Erjon Veliaj, Mjaft është akuzuar si mbështetëse e Partisë Socialiste të Ramës; pjesë e ish stafit të saj është bashkuar me qeverinë e re.

Disa aktivistë të shoqërisë civile thonë se përzgjedhja e bordit të ri duket sërish e kompromentuar politikisht.

“Pavarësisht premtimeve për t’i ndryshuar gjërat në mënyrë radikale, reforma e AMSHC-së është duke degjeneruar në një proces pushim-punësimesh të anëtarëve të bordit,” thotë Gjergji Vurmo, një drejtor programi në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

“Kam frikë se ne po arrijmë me shpejtësi në pikën ku qeveria, pavarësisht premtimeve, e kupton rëndësinë e kontrollit të burimit të financimeve të OJF-ve,” shtoi ai.

Mato pranon, duke argumentuar se përzgjedhja e anëtarëve të rinj të bordit nuk ka qenë transparente.

“Tre njerëz nga rrjeti ynë i OJF-ve aplikuan për të hyrë në bord, por procesi përzgjedhës u bë pa intervista dhe nuk u dhanë shpjegime mbi ata që u përzgjodhën,” tha ai.

“Ky është një hap tjetër që tregon se e ardhmja e agjencisë do të jetë pa tranparencë” tha Mato.

 

 

You may also like...