HISTORIA SHKRUHET SIPAS NEVOJAVE, SCHMITT

GJERGJ EREBARA

Në vitin 1913, tregohet se si një grup ushtarësh austriakë morën urdhër për të zbritur nga Bosnja në Shkodër me qëllim për të qenë pjesë e forcës ndërkombëtare që do të garantonte integrimin e Shkodrës në shtetin shqiptar. Rrugës, duke imagjinuar se po shkonin në një vend tropikal, ata i ndërruan rrobat nga veshje dimri në veshje të përshtatshme për një ushtri që marshon në tropik. Qe një keqkuptim që është shumë i parëndësishëm nga pikëpamja praktike, por është pjesë e historive të shumta të shikimit të Shqipërisë si diçka ekzotike.

Historiani Oliver Jens Schmitt është i mirënjohur tashmë për një libër shumë të këndshëm mbi Skënderbeun, një libër për të cilin pa të drejtë iu hodhën në fyt e reaguan ashpër shumë shqiptarë që u ndien të sharë nga heroi. Por së fundmi, Schmitt duket se është shqiptarizuar duke hyrë në debate që, nga pikëpamja akademike, nuk ka pse kurrsesi të jenë kaq të ashpra.

Megjithëse libri i tij mbi Skënderbeun qe i këndshëm dhe me informacion të ri për publikun shqiptar e të shpjeguar ndryshe, si çdo gjë në këtë botë edhe disa pjesë goxha të mira të librit qenë të debatueshme, si p.sh, interpretimet psikoanalitike mbi personazhe të shekullit të pesëmbëdhjetë.

Por ajo që është bërë më gajasëse së fundmi dhe që lë vend për më shumë kritika, është një seri komentesh e shkrimesh të historianit zviceran, ku ai u kthehet me një gjuhë të pazakontë akademike e hyn në debat, niveli i temperaturës së të cilës, është paksa i lartë për të qenë brenda botës së mërzitshme të universitetit. Schmitt duket se së fundi ka vendosur të mbështesë tezën se shqipja ndoshta nuk është pasardhëse e ilirishtes, ose më saktë, ai thotë që nuk mund të vërtetohet vijimësia gjuhësore nga ilirishtja te shqipja, gjë që në mënyrë të pashmangshme nga media banale shqiptare interpretohet si mohim i vijimësisë. Ai reagon disi ashpër ndaj kritikave dhe kritikon me egërsi historiografinë zyrtare, siç e quan ai, historinë e prodhuar deri më sot nga shqiptarët për shqiptarët. Këtu ai humbet kontekstin. Historia nuk është shkruar gjithmonë për nga kureshtja. Përkundrazi, pothuajse gjithmonë është shkruar për përfitime propagandistike. Shqiptarët nuk janë as të parët dhe as të fundit për këtë, përfshirë edhe të ashtuquajturën “historiografi zyrtare”

Sipas kohës, edhe hipotezat

Schmitt me tezat e tij provokative duket se nuk arrin ose e ka shumë të vështirë ta kuptojë se historiografia shqiptare, ajo zyrtare e ajo jozyrtare, është shkruar si e gjithë historia botërore: për t’iu përgjigjur nevojave të kohës kur është shkruar. Tejkalimet që historianët shqiptarë kanë bërë, janë as më pak e as më shumë sesa tejkalimet e bëra nga historianët në të katër anët e botës. E veçanta është se historianët shqiptarë iu përgjigjën pyetjeve ekzistenciale në procesin e formëzimit të vetëdijes kombëtare.

Nuk bëmë asgjë të çuditshme

Në vitet 1920, kur traktatet e shkëmbimit të popullatave turke (nënkupto myslimane) me popullatat kristiane mes Turqisë dhe vendeve të Ballkanit u hartuan dhe u vulosën me bekimin e fuqive të mëdha, qe tërësisht e logjikshme që shqiptarët të kërkonin një argument për t’iu kundërvënë këtyre teorive të neveritshme. Traktatet në thelb thoshin se një popullatë otomane, siç e quan Schmitt Shqipërinë e vitit 1945, mundej fare lehtë të dërgohej në Anadoll dhe se kjo qe diçka normale. Reagimi qe i ethshëm, shqiptarët u vetëshpallën autoktonë, madje-madje, iliro-pellazgë, pa e vrarë mendjen shumë për delikatesa arkeologjike apo gjuhësore. Askujt nuk ka pse t’i mbetet hatri për këtë, sado i ditur të jetë. Shumë popuj bënë të njëjtën gjë. Në atë kohë, kishte edhe teori se njerëzit me ngjyrë në Afrikë nuk ishin autoktonë në Afrikë, madje-madje, se kishin ardhur në kontinent pothuajse në të njëjtën kohë me kolonizatorët e bardhë. Historia ka qenë pothuajse gjithmonë politike. Një disiplinë e përdorur për t’i dhënë një aureolë shkencore propagandës politike të kohës se kur u shkrua.

Shikoni për shembull Gjermaninë. Një zyrtar gjerman i Mesjetës i shkroi një përfaqësuesi të Papës më 1457, (në të njëjtën kohë me Skënderbeun) dhe i tha se Perandoria e Shenjtë Romake (Gjermania e kohës) qe në gjendje të mjeruar për shkak të taksave të Romës në krahasim me kohët e lashta. Zyrtari i Vatikanit i tha se në fakt, në antikitet, Gjermania qe një vend barbar dhe rrjedhimisht u tregoi për herë të parë gjermanëve për ekzistencën e një shkrimi të vjetër. Pak më vonë, një zyrtar tjetër i Papës, i cili kësaj here po përpiqej të joshte gjermanët për të hyrë në luftë kundër osmanëve, u tregoi atyre të njëjtën histori, por në krah të kundërt. Kësaj here, lashtësia qe e lavdishme. Kjo copë e dytë historie pati pasoja të rënda për historinë e Europës në tërësi. Zbulimi i gjermanëve qe një personazh me emrin Arminius, i cili më pas u konsiderua si origjina e krenarisë gjermane, por emri i tij, dukshëm latin, nuk u shijoi shumë! Martin Luteri mendoi se ai duhej ta kishte pasur emrin Herman. Pra Herman si një gjerman, të cilin, romakët e thirrën Arminius. Ato pak rreshta në historinë e Romës që flisnin për Arminiusin u bënë shpejt vepra letrare të shumta në Gjermani, bashkë me ngritjen e nacionalizmit. M’u kujtua kjo puna e Arminius kur pashë debatin se pse shqiptarët e njohin në historinë e vet të atin e Skënderbeut si Gjon dhe jo siç ia referojnë emrin burimet e huaja.

Schmitt ka edhe paragjykimet e zakonshme ndaj orientit, gjë që dallohet në një shkrim të tij për publikun gjerman. Në këtë kontekst, me gjithë informacionin dhe këndvështrimin e ri që na ofron, historiani Schmitt vështirë se mund të mburret për gjykimin e historisë pa paragjykime.

Në një intervistë për median gjermane, Schmitt na tha pak kohë më parë se Shqipëria në vitin 1945 qe një shoqëri otomane. Ky në fakt qe konkluzioni i paraqitjes së situatës. Po shpjegonte se në atë kohë Shqipëria qe një vend i prapambetur, me analfabetizëm të lartë, pa industri, me mungesë barazie për gratë etj., etj. I gjithë arsyetimi mund të pranohej disi në rast se nuk do të përmendte togfjalëshin “shoqëri otomane” si etiketë e prapambetjes. Po kur vjen fjala, Sicilia, që në të njëjtën kohë ose vetëm pak dekada më parë, qe në të njëjtën situatë me Shqipërinë sa i përket industrializimit, analfabetizmit dhe të drejtave të grave, a mund të quhej “shoqëri otomane”? Jo, ajo do të quhej thjesht shoqëri e prapambetur, ose për të përdorur termin delikat të kohëve tona, “vend në zhvillim”, ose “vend me të ardhura të ulëta.”

Historia shkruhet sipas nevojave. Në disa raste, historishkruesit duhet të plotësojnë ekzigjencat e udhëheqësit, në raste të tjera, të një grupi më të gjerë njerëzish. Në raste të rralla, historia shkruhet për kuriozitet dhe në këtë rast, vlera e saj praktike është më e madhe.

Historianët shqiptarë i kanë shërbyer atdheut, por edhe udhëheqësit të radhës që ka synuar të përdorë intelektualët e radhës për të legjitimuar sundimin e vet.

Historia për rrjedhojë rishkruhet në mënyrë të vazhdueshme. Rishkruhet sepse ndryshon sundimtari, ose sepse historianët ndihen më të lirë për të dhënë interpretime alternative. Por një mosmarrëveshje në shkallë të gjerë mbi teorinë e vijimësisë iliro-shqiptare, nuk ka pse të marrë tonalitete të tilla. Pasardhës të ilirëve apo jo, sot për shqiptarët nuk ndryshon asgjë. Europianët e kanë kuptuar se origjina mijëvjeçare nuk përbën argument për shpërngulje popullatash. Disa prej tyre, madje e kanë kuptuar kompleksin paragjykues që kanë ndaj të tjerëve dhe po punojnë të korrigjohen. Në fund, historia vijon të shkruhet sipas ekzigjencave, qofshin ato kolektive apo personale.

You may also like...