Iku Lena, erdhi Prenga

Në shtator 2012, një punonjësi të Ministrisë së Financave i ngeli dopjogjashta në dorë. Ai pati për detyrë të dilte dhe të recitonte një deklaratë të Berishës kundër një grupi të vogël ish të përndjekurish politikë që kishin hyrë në grevë urie. Personi në fjalë kishte nivel të ulët administrativ. Ministri i kishte bërë bisht, zëvendësministrat gjithashtu. Atij ia kishin ngecur. Deklarata thoshte se Gjergj Ndreca nuk kishte të drejtë të kërkonte paratë e burgut, sepse kishte marrë 3 mijë dollarë lekë, mes të tjerash.

Gojët e liga thonë se as vetë kolegët e tij punonjës të Ministrisë së Financave nuk e kursyen djaloshin entuziast që pranoi të kryejë rolin e kamikazit në marrëdhëniet publike të kryeministrit. Ata e imitonin sa herë që kalonte korridorin: “Ka marrë tre mijë dollarë lekë”…. Sarkazma qe therrëse për shkak se Gjergj Ndreca si mijëra të tjerë kishin marrë 300 mijë lekë bono privatizimi, të cilat nuk i blen askush. Pra kishin marrë 300 mijë lekë me vrimë.

Dy vjet më pas, kemi një qeveri të re, një ministri tjetër që merr “përgjegjësinë” për ish të veliaj duke shperndare ndihma tek te perndjekuritpërndjekurit dhe të njëjtën deklaratë. Absolutisht të njëjtën. Na duhet një nivel sarkazme më i lartë. Është ministria e drejtuar nga Erjon Veliaj, i cili i çon ushqime dhuratë ish të përndjekurve, e deklaroi sot se Kujtim Kaziu, “ka përfituar dy këste”. Nuk merr mundimin të thotë se sa janë këto këste që ka përfituar dhe se sa i mbetet shteti borxh. Thjeshtë një injorim total. Kujtim Kaziu nuk duhet të qahet. Qeveria jonë socialiste i ka bërë të gjitha. Deklarata thotë në fund se qeveria e sotme ka dhënë plot “18 milionë dollarë” për ish-të përndjekurit. Ah, po! Ministria e Mirëqënies thotë se “ka ngritur një grup pune” për t’u marrë me këtë çështje.

Sa për kronikë, raportohet se Kaziu ka për të marrë 5 milionë lekë për vitet e burgut dhe ka marrë deri tani në dy këste, 1 milionë lekë. U deshën pesë vjet për të marrë 20 për qind të dëmshpërblimit. Me këtë ritëm, do t’i ketë marrë të gjitha brenda 20 viteve të ardhëshme.

Meqë Ministria e Mirëqënies nuk denjon të japë detaje përpos dy kësteve, po i kujtoj një copë nga premtimet elektorale të Partisë Socialiste, publikuar në faqen zyrtare të Partisë Socialiste te Kapitulli: Rilindje Sociale. Këto premtime janë marrë Copy Paste:

“Dëmshpërblim në vitin e parë të qeverisjes, për të gjithë ish-të burgosurat gra mbi 70 vjeç dhe ish të burgosurit burra mbi 75 vjeç.

Dëmshpërblim, brenda dy viteve në vijim, i të gjithë ish-të burgosurve që janë në jetë.

Dëmshpërblim, i trashëgimtarëve të të pushkatuarve dhe ish-të burgosurve, nga viti i tretë i qeverisjes.

Gjatë dëmshpërblimit, të gjithë ish-të përndjekurve që disponojnë letra me vlerë, nuk do t’u zbritet shuma në vlerën nominale, por vetëm vlera reale e tregut ose do t’u jepet mundësia për t’i përdorur në privatizime apo transaksione të ngjashme.

Gjatë dëmshpërblimit, të gjithë të përndjekurve që kanë privatizuar shtëpi, nuk do t’u zbritet vlera aktuale e tregut për shtëpitë, por vetëm vlera reale e tregut në vitin 1992, vit i privatizimit masiv të ish banesave shtetërore”.

E pra, premtimet janë të shumëllojshme. Por në lidhje me rastin e  Kujtim Kaziut, vlejnë disa pika. E para, dëmshpërblim i të gjithë ish të burgosurve, brenda vitit të parë në mënyrë të plotë, nëse kanë mbushur 75 vjeç. A e ka bërë qeveria këtë? Jo! Të paktën të mos na bëhet si Berisha e të na hapë barkun.

You may also like...