Ilir Meta; E Vërteta

Kush e mban në jetë politikisht LSI-në? A mundet që një krijesë e tillë politike të gëzojë karizmën përballë qytetarëve dhe votuesve apo e gjithë kjo është një lojë e shtirur që na paraqet një realitet të ndryshëm?

Xhabyni

Kur kingmaker-i, Meta, festoi ditëlindjen e tij të mbushur me aq shumë histori, legjenda, thashetheme dhe të vërteta Fatos Lubonja shkroi se do të vinte një çast ku Metës do t’i kthehej gjithçka kundër. Në fakt, po të lexosh idenë e atij shkrimi të dukej sikur Metës po i tregohej me një përshpitshmëri se ato që ka në krah një ditë prej ditësh do ta shqyenin edhe ky shpjegim qe plotësisht i kuptueshëm për Metën në atë periudhë.meta-ne-profil

Sot, Meta është tërësisht i sikletosur dhe arsyet janë të kuptueshme. Ish aleati i tij për të cilin ai ka “debulesë” arriti që përmes përvojës së tij politike t’i shndërrojë një çështje si ajo e Doshit në një debat mirëfilli politik. E gjitha kjo ka një qëllim të qartë e që lidhet me eliminimin politik të Ilir Metës, të atij personi që arriti të shkërmoqte PD-në jo si pasojë e ndonjë ideologjie apo vepre të mirë por vetëm përmes parasë.

Ndonëse një lider me një pushtet të tillë sa t’i shtijë frikën cilitdo prej aleatëve të tij, ai në vetvete nuk ka pushtet ose më saktë pushteti i tij është tërësisht i rremë dhe i pavërtetë. Partia e tij politike më së shumti i ngjan një sekti i cili ka një kryetar ndaj të cilit të gjithë binden verbazi dhe në fund të muajit i dorëzojnë çantën e dhuratave. Vetë emri i kësaj partie “Lëvizja Socialiste për Integrim” nuk është gjë tjetër vetëm se iluzioni shqiptar i njëzet e pesë viteve përmes të cilit kemi gënjyer veten për të vjedhur më shumë.

Pikërisht këtë pushtet iluzionar, që kryetari i kuvendit e mban përmes shantazhit dhe dhunës, nuk e preferojnë qytetarët e vendit. Kjo është dëshmuar qartazi në çdo miting të drejtuar kundër tij. Më 21 janar 2011, kishte shumë shqiptarë që protestuan kundër Metës ndërkohë që më 12 mars 2015 ka po aq shqiptarë të tjerë që protestojnë po kundër Metës. E vërteta, pra Ilir Meta, është se Shqiptarët nuk e duan atë dhe partinë e tij edhe pse makinacionet e tij politike ndihmojnë që ai të jetë përherë në pushtet. Këto makinacione nuk lidhen dhe aq me fuqinë që ai ka mbi shqiptarët si elektorat por më së shumti me fuqinë që ai ka ndaj partive politike dhe strukturave të tyre.

Por a po vjen realisht fundi politik i Metës?!

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje është e vështirë, sepse siç e përmenda më sipër ai është treguar përherë një person që ka arritur t’i bindë kryetarët e partive të mëdha se nuk mund të bëjnë dot pa të. Megjithëse populli mund të jetë i gatshëm që ta zbojë atë nga qeveria, mendim që shqiptarëve nuk u shqitet nga mendja edhe pse Meta është treguar i aftë të blejë analistë mediokër me shumicë për t’i bindur për të kundërtën.

Hera herës, kur shoh Ilir Metën më kujtohet gjenerali i famshëm romak Gnaeus Pompei Magnus. Ka disa ngjasi që më risjellin në mendje lidhjet e tyre; e këtu nuk e kam fjalën për ngjashmërinë fizike (Pompei flitet se ka patur një trup të bëshëm, qafë të trashë e kështu me radhë), e as për raportin e Pompeit me letërsinë dhe artet, por fakti se Meta njësoj si Pompei qe i gatshëm të blinte kundërshtarët dhe votuesit e tij përmes parasë dhe dhunës fizike. Ndonëse një gjeneral i famshëm, Pompeit i mungonte ajo karizëm dhe kjo sillte një indiferencë të popullit ndaj gjeneralit madhështor që kish arritur të nënshtronte gjeneralët e mëdhenj të Tylisit në lindje.

Në po të njëjtën mënyrë, Meta, po zhbëhet dita ditës në këtë betejë që ka nisur, e ka të qartë që qytetarët nuk e duan sepse ai nuk mëshiron asgjë nga vlerat dhe cilësitë që i kanë mbetur kësaj shoqërie. Jo se liderët e tjerë i zotërojnë të plota, por më së paku ato kanë disa grima të atij morali që tek LSI nuk ekziston. Tentativat e tij për të tërhequr si militantë disa veteranë përmes rikthimit të figurës së Hoxhës në modë, përfunduan në një barsaletë e cila thjesht sa ringriti një debat të papërfunduar por që vështirë se mund të prodhojnë militantë besnik.

Praktikisht, Ilir Meta ka vdekur elektoralisht, nëse ai do të vazhdojë të jetojë politikisht kjo do të vijë nga oksigjeni që do t’i japë një nga partitë e mëdha. Por, cilado nga partitë që do të veprojë kështu duhet të hedhë sytë nga historia, jo për të lexuar mbi Gnaeus Pompei Magnus…por për të lexuar mbi gjarprin në gjirin e PD-së që nga 71 deputetë përfundoi në 40 e kusur të tillë!

You may also like...