INSTAT manipulon shifrat e punësimit
Shifrat e ndryshuara të punësimit
Të punësuar 2009
Ishte 972 mijë
Bëhet 900 mijë
Të punësuar 2012
Ishte 922 mijë
Bëhet 959 mijë
Të punësuar 2013
Bëhet: 967 mijë
Të vetëpunësuar në fshat 2009
Ishte: 568 mijë
Bëhet 496 mijë
Të vetëpunësuar në fshat 2012
Ishte: 485 mijë
Bëhet: 522 mijë
Qeveria “vetëpunëson” më shumë fshatarë nga sa pati në vitin 2009
Ndryshojnë shifrat, krijohet grafiku në rritje, por jo aq sa pretendon Partia Demokratike
Gjergj Erebara
Instituti i Statistikave publikoi disa ditë më parë të dhëna të reja dhe dukshëm të ndryshuara mbi punësimin në Shqipëri, në krahasim me shifrat që vetë INSTAT pati publikuar më parë. Nuk është e qartë nëse ndryshimet kanë lidhje me debatin elektoral aktual mbi punësimin, por statistikat e reja, hedhin poshtë tezën e përsëritur të socialistëve për “humbje të vendeve të punës” si pasojë e taksës së sheshtë.
Statistikat e reja të INSTAT kanë ulur me disa dhjetëra mijë numrin e njerëzve të klasifikuar si të punësuar në vitin 2009 si dhe kanë rritur shifrën e të punësuarve për vitin 2013.
Nëse më parë, statistikat tregonin rënie të “punësimit”, tashmë ato tregojnë rritje. Nëse më parë, PS deklaronte se gjatë qeverisjes së PD-së “janë ulur” vendet e punës, një deklaratë kjo e bazuar te statistikat e INSTAT-it, me të dhënat e reja, kjo gjë nuk mund të thuhet më.
Statistikat
INSTAT raporton dy kategori punësimi: a) Punësimi urban, të dhënat për të cilat mblidhen nga Ministria e Punës dhe që tregojnë shqiptarët e punësuar me sigurime shoqërore dhe; b) të vetëpunësuarit në bujqësi. Këto llogariten me përafërsi nga INSTAT. Zyrtarisht, në fshatin shqiptar nuk ka të papunë. Çdokush që është në moshë madhore ka një copë tokë dhe rrjedhimisht është “i vetëpunësuar”. Por për shkak se Shqipëria është një vend në urbanizim, ku njerëzit gjithnjë e më shumë po ikin nga fshati për në qytet apo për në emigrim, rrjedhimisht është e pritshme që popullata rurale dhe, rrjedhimisht, të “vetëpunësuarit” në bujqësi, të ulen. Gjatë viteve, mbi qeverinë kanë rënë shumë kritika për “metodologjinë” e statistikave të punësimit, të cilat nuk tregojnë ndonjë gjë reale dhe nuk japin as ndonjë panoramë të vlefshme për politikëbërje. Nëse ne e dimë se sa njerëz ka në fshat, nuk e dimë se sa prej tyre do të duhet të zhvendosen në qytet, rrjedhimisht nuk e dimë se çfarë politikash të bëjmë për zhvillimin industrial apo urban. Por qeveria ka thënë se metodologjia është marrë nga Bashkimi Europian dhe, për rrjedhojë, është e padebatueshme.
Fshati i lumtur
Ndryshimi i numrit të të punësuarve është kryer përmes rillogaritjes së numrit të shqiptarëve që klasifikohen si “të vetëpunësuar” në bujqësi. Vetë INSTAT thotë: “Në mungesë të të dhënave administrative për sektorin privat bujqësor, punësimi në këtë sektor është vlerësim bazuar në Anketat Vjetore të Forcave të Punës, 2008-2011. Ky vlerësim, për vitet 2008-2010, është bazuar në projeksionet e popullsisë 2001-2021 dhe do të përditësohet si rezultat i revizionimit të të dhënave të vetë kësaj ankete me retrospektivën e popullsisë bazuar në Censusin e vitit 2011, ndërsa të dhënat e AFP 2011 janë peshuar me popullsinë e Census 2011”.
Kjo do të thotë se INSTAT e rillogariti numrin e fshatarëve të “vetëpunësuar” dhe nuk është për t’u habitur, që rillogaritja nxori një numër më të vogël fshatarësh më 2009 dhe më të lartë në 2013.
Rillogaritja
INSTAT ka kryer vazhdimisht rivlerësime për numrin e popullsisë në fshat dhe numrin e fshatarëve të vetëpunësuar dhe siç është e pritshme, që të dyja kanë ardhur në rënie. Por në statistikat e reja të INSTAT, çudia është se ato janë në rritje. INSTAT tashmë pretendon se Shqipëria kishte 496 mijë fshatarë më 2009 dhe 522 mijë më 2013. Rrjedhimisht, numri total i të “punësuarve” ndryshoi. Tashmë INSTAT vlerëson se më 2009, në Shqipëri ka pasur 900 mijë të punësuar, të cilët janë rritur në 967 mijë. Por sido që të dalin “rillogaritjet”, sërish INSTAT duket se nuk është në gjendje të justifikojë me statistika pretendimin e qeverisë, e cila thotë se në katër vjet ka hapur 200 mijë vende pune.
Debati politik
Statistikat e punësimit u kthyen në një debat politik disa kohë më parë, kur Partia Socialiste lexoi në publik një raport të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë nuk prodhon vetë statistika për punësimin, por ripublikon të dhënat e përgatitura nga INSTAT dhe nga Ministria e Punës. Gjithsesi, PS deklaroi se në bazë të statistikave dhe Bankës së Shqipërisë, 52 mijë vende pune janë humbur në Shqipëri në katër vitet e fundit. Në mënyrë të përsëritur, socialistët deklaruan se është taksa e sheshtë ajo që ka sjellë “humbjen e vendeve të punës”. Në një rast, një deputet deklaroi në Parlament se në fshat, gjatë një viti, “janë humbur 12 mijë vende pune”.
Në thelb, denoncimi i PS-së ishte një spekulim mbi spekulimin. Qeveria fryu shifrat e “të vetëpunësuarve” në bujqësi dhe nxori se në Shqipëri ka papunësi të ulët. Më vonë, po qeveria vendosi ta ulë disi numrin e “të vetëpunësuarve”, të cilët në fakt nuk ekzistojnë. Opozita u ankua për humbjen e vendeve të punës që nuk ekzistojnë. Në fund, qeveria vendosi t’i rrisë sërish “të vetëpunësuarit” që nuk ekzistojnë.
Punësimi prioritet
Megjithëse zyrtarisht papunësia në Shqipëri është më e ulët se sa mesatarja e Bashkimit Europian, të tria partitë kryesore i kanë mëshuar punësimit dhe hapjes së vendeve të punës në fushatat e tyre zgjedhore. PD pretendon se ka hapur 200 mijë vende pune gjatë katërvjeçarit të fundit, ndërsa premton hapjen e 250 mijë vendeve të tjera. PD deklaron se nga hidrocentrali i Devollit dhe nga gazsjellësi Transadriatik, “do të hapen 40 mijë vende të reja pune”, gjë që është ekzagjerim i tepruar për shkak se Devolli kërkon disa mijëra punëtorë gjithsej gjatë ndërtimit dhe disa qindra gjatë operimit dhe në të njëjtat nivele është edhe gazsjellësi.
PS pretendon se numri i të punësuarve ka rënë me 52 mijë në katër vitet e fundit dhe premton se do të hapë 300 mijë vende në katërvjeçarin e ardhshëm. LSI-ja, bashkë me PS-në, besojnë se mund të hapin 150 mijë vende pune vetëm në sektorin e bujqësisë. Ekspertët thjesht vënë buzën në gaz përballë këtyre deklaratave.