Integrimi

Xhabyni

Një nga konceptet më të rëndësishme në matematikë është ai i integralit, i cili bashkë me të small_2_integrimi_bekundërtin e tij, pra derivatin, krijojnë dy operacionet më të rëndësishme të njehsimit. Integrali nuk është gjë tjetër vetëm se njehsimi i një funksioni që përbëhet nga një variabël reale brenda një segmenti si interval. Ndërsa profesori i matematikës në fakultet përpiqej të shpjegonte me fjalë të përgjithshme integralin ai dha një shembull nga jeta e përditshme, e krahasoi rëndësinë e integralit me procesin e integrimit të vendit tonë në Evropë duke zhbërë kështu një leksion të gjatë mbi rëndësinë e integralit; gjithashtu duke na hequr mundësinë të dëgjonim nga ai rëndësinë e këtij koncepti që qe zanafilla e debatit mes dy mendjeve më të ndritura të matematikës dhe fizikës, Njuton dhe Lajbnic.

Krahasimi më i thjeshtë që mund e bënte të prekshëm konceptin e integralit, për profesorin e matematikës, ishte integrimi evropian. Ta mendosh kështu do të thotë të perceptosh që ai është një makth dhe një ëndërr për të gjithë qytetarët e vendit tonë, të cilët ditë për ditë ëndërrojnë përqafimin e ngrohtë të nënës së dashur Evropë. Megjithëse po të bësh një pyetësor të shpejtë ndër atdhetarët tanë me shumë mundësi që nuk do dimë të themi fjala vjen se kush janë shtetet anëtare në BE, fundja nuk kemi ndonjë arsye për t’i ditur se kush janë por kur çështja na shndërrohet në aq të rëndësishme sa që integrali të na shpjegohet me integrimin diçka duhet të jetë apo jo?

****

Nëse do ta qasnim jo matematikisht por sociologjikisht, për të shpjeguar integrimin do na duhet të kthehemi në vitin e largët dhe të afërt 1991, ku në sheshe brohoritej “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Europa ishte për to, antiteza e komunizmit, liria, begatia dhe pasuria. Të rrethuar në një kafaz me gjemba dhe të fshikulluar për 50 vite nga aparatçikët e një sistemi i cili prodhoi një dehumbanizim të pagëzuar si njeriu i ri socialist, të përbuzur dhe të lënë në mëshirë të fatit duke qenë se Partia nuk kishte më as bar për t’i ushqyer; e shihnim Europën si parajsën e mohuar. Ndaj shpëtimi duhet të qe atje, kështu që ato ikje masive nga dyert e atdheut të cilit ne i këndonim dhe i kërcenim valsin e lumturisë drejt dyerve të Evropës së lirë ishin shenja e parë se ne e donim Evropën, pa kuptuar asnjëherë nëse Evropa realisht na donte apo jo ne.

Megjithëse qenë njohur me shqiptarët vite përpara luftës së dytë dhe të parë botërore, shumë prej tyre kishin ardhur në këtë orient ballkanas dhe na shihnin si një specie e çuditshme (sidomos Bajroni) duke na përshkruar dhe telendisur me të gjitha format e mundëshme të orientalizmit, që qe aq në modë evropës asaj kohe. Pak përpara fillimit të luftës së parë botërore perëndimi na shihte si një mish të huaj (ashtu siç shihte gjithë ballkanin fundja) duke na trajtuar në një formë imagjinare që nuk puqej fare me realitetin. Natyrisht qe epoka e mbisundimeve kulturore, ku iluminizmi i ndritur evropian mbisundonte çdo formë dije tjetër. Ballkani për evropën qe diçka e huaj, e çuditshme, një farë parapërgatitje përpara se të shkonin në orientin e çuditshëm.

Kujtimet e tyre, të viteve 90’, nuk kanë qenë fort të këndshme për shqiptarët e parë që shkuan atje, prej nesh kishte dhe shumë të cilët abuzuan me mikëpritjen e Evropianëve që jo pak herë na shihnin si disa krijesa të tjera që kanë jetuar në një vend të çuditshëm. Për Shqipërinë ata kishin dëgjuar madje ndoshta ndonjë syresh edhe kishte parë ndonjë dokumentar, sepse PPSH gjithnjë ka qenë e predispozuar të krijoi imazhin e një Shqipërie të lumtur dhe këtë e tregojnë shumë dokumentarë (francezë më së shumti). Por asnjëherë ato nuk kishin parë një shqiptar përballë tyre, flas një shqiptar që nuk qe diplomat ambasade, por një shqiptar të thjeshtë me flokët bishtpëllumb, pak mustaqe ose baseta. Ndaj për to, ne ishim një farëlloj specie e huaj, ai tjetri që ato gjithnjë e kishin perceptuar por asnjëherë parë përballë.

***

Për ne, evropianët qenë kulmi i kulmeve, ne donim të ishim si ata, ëndërronim të jetonim si ata. Madje, jeta jonë qe e motivuar nga ato që kishim dëgjuar për to nga prindërit dhe prindërit tanë nga radiot dhe televizionet. Ne e donim Evropën dhe e imitonim pa kushte! Një dashuri të tillë politikanët jo vetëm që e përjetuan por edhe e privatizuan duke e kthyer në qëllimin e tyre të ekzistencës politike. Në këtë mënyrë ato justifikonin ekzistencën e tyre me shkuarjen në Evropë sepse në të vërtetë ëndrra e çdo shqiptari ishte të shkonte tek dashuria e mohuar. Kështu elozhet dhe lavdet për komunizmin u zëvendësuan me ato për evropën.

Rrugëtimi evropian, u tendos gjithnjë e më shumë në vitet e para të nënshkrimit të pakteve me BE, ëndrra e Evropës u morr nga politikanët prej një thënie popullore (që nënkuptonte tërësisht diçka tjetër) dhe u stilos sipas interesit të tyre duke e kthyer drejtimin nga lartë-poshtë. Qe mjaft e dukshme edhe është mjaft e dushke qe vendi dhe shoqëria jonë janë ende larg ligjshmërisë evropiane (këtë nuk do shumë mend për ta kuptuar) por përherë politika ka ditur të implementojë lavazhin e mendjes mbi dështimin e suksesshëm. Anëtarësimi u shndërrua, sipas politikës, si guri i Sizifit përherë ndodhte diçka dhe anëtarësimi na rrokullisej poshtë ndërkohë që nga ana tjetër në popull propagandohej ligjshmëria e kësaj ëndrre. Aq shumë e lidhi politika anëtarësimin me ekzistencën e saj sa që kur z. Rama u bë kryetar bashkie Tiranës filloi t’i vishej një mbiemër i ri, kryeqyteti evropian që udhëhiqet nga një kryebashkiak me shije evropiane që është shpallur Kryebashkiaku numër një në botë. Një parapërgatitje e mirë për ngjyrimin emocional që ky i fundit do t’i jepte fasadave të qytetit nën moton për një Tiranë Evropiane, por që lë të hapur pyetjen se çfarë qe Tirana para tij? Natyrisht që përgjigjet vijnë vetiu, ajo qe një skëterrë, një qytet fantazëm komunist, një mejhane e shëmtuar otomane e kështu me radhë sepse asesi nuk mund të mendohet që vendi ka qenë mirë përpara se të evropianizohej. Dija, mendimi, zhvillimi, civilizimi u përcaktuan si dukuri dhe aftësi evropiane nga ana e elitës intelektuale, që ishte produkt eksluziv i politikës dhe hera herës ishte zhgualli i fundit ku një politikan i larguar apo i dështuar strehoej.

Ndërkohë që vendi lëngon në mijëra e miliona padrejtësi të mbartura nga gabimet e së shkuarës që ripërsëriten në të tashmen demokratike. Politika vazhdon të këndojë të njëjtën këngë në një zhanër shumë larg realitetit tonë dhe shumë pranë këngëve të realizmit socialist ku i evokohej bindshëm idealit të integrimit komunist. Të tejhuajzuar nga kënga që këndojnë njerëzit e thjeshtë (sidomos kur janë në pushtet), ato vishen me petkun e udhëheqësit e premtojnë t’i nxjerrin njerëzit nga errësira drejt dritës, që është Evropiane, me premtimin se nën këtë dritë ato do të gëzojnë begatitë e mëdha për të cilat kanë ëndërruar dhe kanë brohoritur. Por nëse i pyet se çfarë kuptimi ka në të vërtetë integrimi, ato do të përgjigjen “Një lesh i madh është”, njëlloj si ai politikani në barsaletën e premtimeve elektorale.

***

Intelektualët e viteve të post-komunizmit, qenë produkt ose i politikanëve pa ndonjë post politik me peshë ose intelektualës e nomenklaturës së shkuar të cilët hoqën flamujt e Marksit dhe Engelsit për të përqafuar idetë liberale. Kjo lloj specie që u përhap e trajtoi komunizmin si një aksident historik, si një fatkeqësi që na ra për pjesë pasi hoqëm fatkeqësinë e madhe të pushtimit turk duke krijuar kështu një vijë lidhëse me kristianizmin e shqiptarëve përpara se të myslimanizohen. Ismail Kadare do të ripunonte veprën e tij “Kështjella” duke e mbushur atë me kryqe, kisha dhe xhamia e duke na treguar një Skëndërbe atlet të Krishtit si për t’i puthur dorën vëllait të ri të madh.

Formati i intelektualëve vazhdoi të mbetej po i njëjti si në kohën e regjimit monist arsyet nuk do shumë mend për t’i kuptuar. E rëndësishme për to nuk qe njehtësimi i shoqërisë shqiptare në kushtet natyrore me premisat e një Evrope të bashkuar nën disa besime themelore, përkundrazi ato kishin me rëndësi të kishin një put të ri. Ky put i ri, që quhet Evropë, do t’i shërbente mendjeve të prodhurara në dehumanizimin enverist për të elaboruar akoma më tej lidhjen Pellazgjiko-perëndimore me identitetin e sotshëm shqiptar që detyrimisht është perëndimor.

***

Në një sondazh të kryer para pak kohësh në vendet e ballkanit u vërejt që shumica e tyre nuk kishin asfare besim në qeverinë e tyre. Qytetarët e Shqipërisë në masë u përgjigjën se ato nuk kishin besim tek asnjë organizëm qeveritar por ama kishin besim tek NATO. “Identifikimi i institucioneve ku besojnë më shumë apo më pak qytetarët është shumë i rëndësishëm për ata që punojnë për të reformuar këto institucioneSondazhi ofron shembuj pozitivë, ndërkohë që ndihmon për të përcaktuar institucionet më në nevojë për reformim” tha Jeff Lovitt, drejtor ekzekutiv i PASOS. Ndërkohë që Marija Vuksanoviç, nga Qendra për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut….tha se nuk është çudi që politikanët kanë kaq pak përkrahje.“Përveç mungesës së transparencës dhe llogaridhënies nga partitë politike, qytetarët nuk mendojnë se partitë punojnë në të mirë të tyre, por në të mirë të simpatizantëve dhe anëtarëve të tyre… Kjo shpjegon se përse qytetarët kërkojnë rrugë të tjera për t’u mbledhur dhe përse numri i atyre që abstenojnë dhe që dalin në rrugë për të protestuar është në rritje” shtoi ajo.

duke iu rikthyer edhe një herë asaj që përmenda në fillim, mbase arrijmë të kuptojmë se për çfarë realisht e kemi dashur dhe e duam Evropën. Në fillim e donim vendin tonë ta bënim si Evropa dhe kur pamë që politikanët dhe intelektualët tonë na e vodhën këtë slogan kemi menduar që të besojmë më shumë tek NATO se sa tek partitë politike që zgjedhim të na qeveresin. Duke kuptuar se në këto vite të demokracisë tranzitore nuk kemi bërë asgjë për të njehtësuar veten dhe vlerat tona me ato çka janë vlera për bashkësinë ku aspirojmë, jemi përpjekur të nihilizojmë veten dhe të shkuarën tonë jo nga ndonjë lëvizje me burim popullor por nga një injektim i dozave evropianocentriste përmes metodave enveriste. Duke shndërruar kështu integrimin në një togfjalësh të pakuptimtë në kohë, hapësirë dhe mendjet e njerëzve, kjo duhet të ketë qenë arsyeja e moskuptimit të krahasimit mes integralit dhe integrimit në atë orë matematike.

You may also like...