Ironia Lazarat

Ironikisht ndërhyrja e papritur e policisë në Lazarat, na tregoi për të n-të herë se çfarë klase politike sharlatanësh dhe humoristësh kemi. Na tregoi për të n-të herë elitat e rreme të këtij vendi.

Xhabyni

Lazarati është një nga treguesit se si është ndërtuar shteti në këto vite post-diktaturë, gjithashtu është një tregues se si kemi ndërtuar kapitalizmin tonë alla shqiptarçe që Çilit nuk i pëlqen kur ia përmend.

Ironikisht ndërhyrja e papritur e policisë në Lazarat, na tregoi për të n-të herë se çfarë klase politike sharlatanësh dhe humoristësh kemi. Na tregoi për të n-të herë elitat e rreme të këtij vendi.

Nga njëra anë Aleanca Kundër Drogës e ngritur nga vetë dora e Lulzim Bashës, i cili na ka treguar gjithë këtë kohë se ka qenë shumë i shqetësuar për punën e drogës sikundër dhe deputeti Berisha që ishte i shqetësuar dhe kishte shumë informacione. Nuk thanë asnjë fjalë, po xhanëm asnjë koment për sa i përket aksionit të policisë në Lazarat. E pabesueshme për Berishën që dinte se droga trafikohej me avion dhe nëndetëse. E si ka mundësi që këto dy shtylla të fuqishme të një opozitarizmi po kaq të fuqishëm nuk mundën dot të shpreheshin? E të mendosh që këto shtylla të opozitarizmit nga dashuria e madhe për vendin dhe luftën kundër baronëve të drogës, që për muaj me radhë nuk u morën me asgjë tjetër përveç drogës, heshtën! Madje as pickimi i Ramës por as emri i djalit të Luiza Xhuvanit në listën e atyre që goditën policinë nuk e tronditi heshtjen stoike dhe të frymëzuar nga mësimet e Zenos.

Ndërkohë që kampi i aleancës së plotfuqishme kundër drogës dhe baronëve të saj heshtte, kampi tjetër nxori ministrin e brendshëm në variantin Chuck Norris. Aq komik qe ai variant saqë edhe ish kryeministri Berisha që e quan veten një njeri politik por që dje kish zgjedhur të bënte komente mediokre për një ndeshje futbolli, i tërhoqi vëmendjen aq shumë saqë e lëshoi një koment. Rama nga ana tjetër nuk foli asnjë fjalë për ato emërime kriminale të kryera prej kastës së tij që tregojnë më së paku që lufta në Lazarat nuk është dhe aq e ndershme. Çfarë mund të presim kështu nga një qeveri e cila nga një anë niset të godasë të jashtëligjshmit e Lazaratit dhe nga ana tjetër emëron persona të inkriminuar në qeveri?! Thjesht një show të radhës ashtu që Ramën ta lëvdojë Fyle, si përherë fundja!

Që të jemi më të pastër. Të gjithë kemi ironizuar veprimet e një ministri i cili i lutej banorëve të mos mbjellin drogë, apo një drejtori policie që e kishte mendjen të luante kalçeto me Lazaratin, por dje policia vendosi ta sulmojë Lazaratin. Është e disata herë që policia e sulmon apo e rrethon Lazaratin, por deri më tani ky fshat ka qenë macja e zezë e policisë, po tamam siç është Italia për Gjermaninë në futboll.

Problemi Lazarat është i thjeshtë, ai fshat është i jashtëligjshëm. Ai fshat nuk e njeh ligjin e shtetit tonë por njeh ligjin e kriminelëve të cilët jetojnë në Tiranë. Po ku është ndryshimi mes të jashtëligjshmit dhe kriminelit? I jashtëligjshmi është ai individ i cili nuk e njeh ligjin dhe nuk do t’i nënshtrohet atij ndërkohë që krimineli është ai i cili e njeh ligjin por e shkel atë. I pari është i gatshëm ta luftojë policinë dhe çdo instancë shtetërore apo ligjore, ndërkohë kriminel nuk është i gatshëm ta luftojë shtetin ama është i gatshëm ta blejë dhe ta korruptojë atë.

Problemi sot është që kriminelët në gjithë këto vite i kanë blerë politikanët tanë kryesorë, i kanë blerë partitë politike dhe në vend që ato të paguajnë për krimet e tyre ndodh e kundërta. Por kjo nuk do të thotë që shteti nuk duhet të futet në Lazarat, përkundrazi ai duhet të hyjë dhe të tregojë autoritetin e vet por kjo nuk duhet të mbyllet me kaq siç pritet të ndodhë. Shteti duhet të dënojë dhe të burgosë kriminelët që ndodhen në Tiranë, që kanë ngritur një perandori të fuqishme që zë rreth 20% të PBB-së të këtij vendi.

Shteti pikërisht këtu e ka betejën e tij të vërtetë, sepse edhe nëse nesër Lazarati do të bie si kështjellë kjo nuk do të thotë asgjë, një tjetër Lazarat do të ngrihet nga kriminelët që qarkullojnë paratë dhe ekonominë në Tiranë. E kështu do të bëhet një rreth vicioz i cili nuk mund të mbyllet deri në çastin kur kriminelët të cilët sponsorizojnë fushatat e partive politike të jenë ende vërdallë.

You may also like...