Jetojmë në një çmendinë, ku përgjegjësit nuk janë mjekë
Treshja e ish-aleatëve Rama, Meta dhe Veliaj, në mënyrë të përsëritur akuzuan gjatë ditëve të fundit njëri-tjetrin me ato që konsiderohen si fyerjet më të dënueshme me ligj: Shënjestrimi i dinjitetit të tjetrit. Gjuha e përdorur prej tyre dukshëm sugjeron se Shqipëria është me të vërtetë një çmendinë, një e tillë që nuk drejtohet nga mjekë.
Tashmë u bënë tre brenda dy ditësh: Fillimisht ishte Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pastaj Erion Veliaj dhe së fundmi, Edi Rama. Që të gjithë akuzojnë që të gjithë, jo për krimet e zakonshme që kanë akuzuar dhe përgëzuar njëri-tjetrin prej shumë vitesh tashmë, të tilla si korrupsion, hajdutëri, abuzim me detyrën, etj., etj., por për “çmenduri”.
Objekti i sherrnajës: dy zyra të një gjysmë-partie inekzistente të cilën të dyja palët e kanë ose e kanë pasur aleat.
Fillimisht ishte Meta ai që iu drejtua Veliajt të premten: “Mos iu bind më urdhërave të të çmendurit sepse ai do të nxjerrë kartelën e të sëmurit psikik”. [Link]
Poshtë postimit të Metës në facebookun zyrtar të tij një mbështetës i tij shkruan: “Qija robt atij pederastit të gjatë”. Njëzet e dy orë pas postimit, në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës nuk ka ndonjë ndërhyrje për t’i tërhequr vëmedjen mbështetësit apo për ta fshirë komentin.
Po të premten, Veliaj iu drejtua Metës: “President i çmendur! Burrat e dhunshëm, ata të alkoolizuar, jemi gati t’iu ofrojmë programe falas për rehabilitim, secili duhet të ketë një shans të dytë dhe ne jemi të gatshëm t’ua japim.” [Link]
Të shtunën, ndërhyri Rama: “Më lejoni që të mos bëj asnjë koment, sepse jemi në kushtet e një shfaqjeje që është klinikisht e rëndë dhe që natyrisht kërkon solidaritet njerëzor me këdoqoftë e jo më me dikë që është president i republikës dhe është me çrregullime të dukshme.” [Link]
Fillimisht le të shtrojmë faktet:
Sherri lidhet me ca zyra në një mjedis pronë publike. Veliaj thotë se zyrat e marra nga partia Fryma e Re Demokratike, janë zënë pa të drejtë prej tyre që prej vitit 2014. Kontrata e qirasë ka mbaruar prej katër vjetësh, thotë.
Për këdo që nuk e ka rastisur ende emrin e kësaj partie, kjo është partia e krijuar nga ish-presidenti Bamir Topi. Ajo është dukshëm në aleancë me Erion Veliajn por nja dy javë më paë, nënkryetari i saj Sali Shehu, në rrethana të cilat publiku nuk i di dhe që, normalisht as nuk ka arsye të çajë kokën për t’i ditur, ia mori partinë Topit dhe kaloi në aleancë me Partinë Demokratike. Megjithëse kontrata e qirasë, siç thotë Veliaj, ka skaduar prej katër vitesh, Veliaj i shkoi ndër mend të marrë zyrat e FRD-së menjëherë pasi kjo e fundit ndryshoi krah politik. Ndokush mund të thotë se lënia e zyrave pa kontratë qiraje për katër vjet nga ana e Veliajt përbën një abuzim me pronën publike prej këtij të fundit; në një qytet si Tirana, një zyrë kushton 200-400 euro qira në muaj dhe katër vjet qira përbëjnë disa nja dhjetë mijë euro “dëm ekonomik”! Ndoshta duhet të thërrasim SPAK për të hetuar në mënyrë që të konkludohet se “nuk ka elementë të veprës penale”.
Nejse! Faktet janë këto. Veliaj e përdor pronën publike sipas qejfit. Ia lë pa qira një partie aleate dhe ia heq në rast se ajo ndryshon krah politik.
Rama, Meta e Veliaj, përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit kanë lavdëruar njëri-tjetrin deri në qiell aq sa kanë sharë dhe akuzuar njëri-tjetrin. Veliaj fillimisht e ka sharë Metën si hajdut, pastaj e ka lavdëruar dhe i është gëzuar mbështetjes së tij elektorale ndërsa tani thotë se presidenti është i çmendur, i alkoolizuar dhe i tillë që ka nevojë për rehabilitim”. Meta e ka sharë Ramën me shprehjen e famshme “kokëpalar” ndërsa më pas e ka lavdëruar si bashkësocialist dhe kryeministër i vlefshëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe, me mbështetjen e tij, është bërë president. Rama e ka sharë Metën si hajdut, pastaj ka shijuar bashkëqeverisjen me të falë edhe votave të makinerisë së tij elektorale dhe tani është i betuar t’i bëjë gropën politike pak a shumë duke i imituar teknikat e tij zgjedhore, duke i rrëmbyer bashkëpunëtorët e tij në krim dhe duke i integruar ato të kombinuara në listat e tij elektorale krahas elementëve të njohur të dosjeve 184 dhe 339.
Ndërsa akuzon presidentin që ai vetë ka zgjedhur si të çmendur, Rama gjendet në gjyq me një gazetar (mes shumë gjyqeve të tjera që ka hapur), pasi është ndjerë i fyer. Termi i përdorur nga gazetari dhe që është subjekti gjykimi: “Rama është i sëmurë”. Me një fjalë, Rama (me shumë të drejtë), ndjehet i cënuar në dinjitetin e tij nëse dikush i thotë “i sëmurë” ndërsa ndjehet në të drejtën e tij ta përdorë këtë term kundër kundërshtarit të tij politik.
Çekuilibrimet e treshes më të fuqishme në Shqipëri, Metës, Ramës dhe Veliajt, përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, nuk janë çekuilibrime të shëndetit mendor; janë çekuilibrime të interesave politike: dukshëm që të tre janë top nga mendja.
Nëpër të gjithë botën, ka miliona njerëz me probleme të shëndetit mendor. Ata nuk janë as presidentë, as kryeministra dhe as kryebashkiakë. Në shumicën dërrmuese nuk i kanë rënë askujt në qafë, as nuk kanë vjedhur kënd dhe as nuk kanë akuzuar ndokënd për vjedhje. Persona të tillë vuajnë stigmën mesjetare të të qenit të tillë. Për shekuj me radhë ata u mbyllën nëpër institucione të posaçme. Bota e qytetëruar përgjatë shekullit të njëzetë kuptoi se të jesh me probleme të shëndetit mendor nuk do të thotë doemos të përbësh rrezik publik. Bota e qytetëruar i mbylli çmendinat një nga një dhe i la të sëmurët e shëndetit mendor të jetojnë jetën e vet. Në Shqipëri, mbyllja e spitaleve psikiatrike nuk ka ndodhur. Në to vijojnë të jetojnë njerëz që nuk ka pse të jetojnë të burgosur, por vijojnë të vuajnë makthet e shoqërisë nga stigma e shëndetit mendor. Shqipëria ka një spital psikiatrik në afërsi të Krujës, ku kushtet janë mesjetare. Të tre udhëheqësit tanë që shtiren si të çmendur kanë për detyrë të ndërtojnë një spital të ri për ta nxjerrë Shqipërinë nga mesjeta por për momentin duket se janë të zënë për dy zyrat e asaj gjysmëpartisë ku njëri nënkryetar i shërben Lali Erit ndërsa tjetri ka vendosur të kandidojë jashtë listës fituese te Partia Demokratike.
Rama, Meta dhe Veliaj nuk pësojnë asgjë nga sharjet që i bëjnë njëri-tjetrit. Të tjerët, personat me probleme të shëndetit mendor, janë ata që vuajnë stigmën e paaftësisë së treshes më të famshme të Shqipërisë për të gjetur sharje më të rafinuara se sa: “i çmendur”, “me kartelë”, etj., etj.
Sa për ne të tjerët, ne të cilët nuk shajmë ndokënd si i çmendur dhe as nuk kemi zënë zyra, por jemi të detyruar të dëgjojmë ndotjen e herë pas hershme të mjedisit publik nga ata që shtiren si të çmendur, ne mund të themi se ndoshta nuk jemi të çmendur, por gjithsesi jemi budallenj mjaftueshëm sa kemi lejuar të na mbyllin në një çmendinë, ku drejtuesit e çmendinës nuk janë mjekë.
P.s.
Vlen gjithashtu të rikujtojmë se të shtirurit si i çmendur është një taktikë politike e njohur në Shqipëri. Rikujtoni pak Sali Berishën pas 21 janarit, kur kërcënoi haptazi qytetarët me konflikt civil. Ose Metën gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Ose Metën sot. Morali i fabulës: kur ndonjë politikan shqiptar gjendet në vështirësi për të marrë atë që do, ai i kërcënon të tjerët duke kërkuar t’i hapet rrugë sepse përndryshe çmendet dhe e kthen përmbys çmendinën tonë të përbashkët.