Ju lutem, ndaloni drogën, jo avionët!

avioni-divjakeKjo historia e trafikut të drogës me avion qe gallatë, por reagimi i qeverisë me vendosje blloqesh betoni nëpër aeroportet e braktisura, duket akoma më gallatë.

Në botën e sotme qarkullojnë me mijëra dhe dhjetëramijëra avionë të vegjël, turistikë apo sportivë. Vetëm nga ai avioni Piper i Divjakës, Ëikipedia na thotë se ka 90 mijë copë në fluturim në 160 modele të certifikuara. Disa prej këtyre avionëve, kur janë të përdorur, mund të blihen për 100 mijë dollarë. Harxhojnë nja 100 mijë lekë të vjetra karburant për orë fluturimi. Në kushte normale, me 50 mijë lekë të vjetra, ose tri herë më shumë se sa bileta e autobuzit, do të mund të mund të shkoje një shëtitje deri në Sarandë, fjala vjen.

Kur kalon nga Rinasi dhe hipën në avion të madh, po të hedhësh sytë poshtë, dallon plot avionë të vegjël privatë të parkuar.

Qeveria u kompleksua nga ideja se aeroportet e braktisura ushtarake përdoren për trafik droge me avionë. Në vend që të shihte shkaqet e këtij problemi, pra fushat e mbjella me drogë çdo vit në mënyrë masive dhe veçanërisht, në vit zgjedhor, kur trafikantët kanë fuqi negociuese me politikanët, pasi të njëjtët trafikantë rezultojnë shpesh gangsterët lokalë të vjedhjes së votave, qeveria ka vendosur të bllokojë aeroportet ish-ushtarake. Arsyeja se pse avionët e drogës duket se kanë përdorur aeroportet e braktisura ushtarake nuk është aq shumë qenia e këtyre fushave si aeroporte të gatshme se sa fakti që këto pista janë shpesh larg zonave të banuara.

Bllokimi i aeroporteve të braktisura vështirë se do ta zgjidhë problemin. Video në Youtube tregojnë se këto lloj avionësh janë në gjendje të ulen në 10 metra, mjafton që të jetë tokë e sheshtë. Megjithatë qeveria është kompleksuar nga akuzat për përfshirje në trafik droge. Bllokimi i aeroporteve vështirë se do të bllokojë trafikun e drogës me avion. Fondet publike po çohen dëm për të shmangur në të ardhmen, jo trafikun, por akuzën se infrastruktura e forcave ushtarake ajrore, të cilat nuk ekzistojnë, po përdoren për trafik. Tani pritet që qeveria të fillojë të bllokojë me blloqe betoni çdo plazh e çdo fushë, jo për të ndaluar trafikun, por për të ndaluar akuzën.

You may also like...