Kalendari artistik i Prokurorisë

Në skenë shfaqja me titull “Të gjithë në kërkim të Italianit”

10264963_435229906621680_8277691687108479891_nDitën e djeshme, për të disatën herë në këto dy vite, prokuroria ngriti siparin e shfaqjeve artistike për sezonin “Verë-Vjeshtë 2015”. Njësoj si më përpara, detajet e kësaj shfaqje na janë lënë të fshehta por ama armiku të cilin prokuroria ka vendosur ta arrestojë është bërë publik. Ai quhet Beketi, pasaniku italian i cili jo pak herë është përfolur për mafian dhe për pozicionin e parave të tij.

Natyrisht, gojët dashakeqe që vijnë më së shumti nga radhët e opozitës flasin për një inskenim nga ana e qeverisë kundër këtij pronari mediash që jo më larg se disa javë më parë kishte demaskuar përmes emisionit “Ça thu?” falsifikimin e kartave në Shkodër. Për të thënë të vërtetën, më duket disi e trashë kjo si justifikim, siç më duket i trashë justifikimi i atyre që qëndrojnë pranë mazhorancës se kryeprokurori Llalla paska arritur të kapë një evazion kaq të madh fiskal. Natyrshëm, pasi dëgjon këtë, të lind pyetja “Po si nuk kapën një shqiptar që ka mbi 20 vjet që bën evazion fiskal por kapën këtë Beketin?”. Por edhe kjo nuk është një pyetje e sinqertë sepse fakti që nuk kanë kapur dje nuk do të thotë që nuk duhet të kapin sot.

Gjithsesi, ka diçka që nuk shkon në këtë mes apo jo?! Ne, nuk na lë ajo hunda dhe nuhatja jonë e një vendi të drobitur dhe të goditur nga mizanskena që krijojnë zhurmë dhe amulli. Fjala vjen, nuk më vjen të besojë tek prokuroria e cila në arrestimet e saj të bujshme (kujtoni Fullani, Gjika, Doshi, Frroku) nuk ka bërë asgjë për t’i mbajtur brenda. Madje kur orgazma jonë popullore përfundoi e kuptuam që Prokurori kishte qenë një show-man! Prandaj, duke patur parasysh këtë histori dhe të shkuar e ftoj veten dhe shqiptarët që të mos kënaqemi me këtë arritje.

Gjërat kundër Beketit nuk janë dhe aq serioze. Kush e thotë këtë?! As më shumë e as më pak se sa ish prokurori Sollaku i cili është njëkohësisht dhe avokati i Beketit. Po mirë, do thotë dikush, a nuk i takon avokatit të mbrojë të pandehurin?! Po mirë, do i përgjigjesha unë, sa herë ka ndodhur që mbrojtja e një avokati ndaj arrestimit të personazhit VIP ka qëlluar e mangët apo e gabuar?!

Të gjitha këto ku mund të na çojnë?!

Sa më sipër, nuk është aspak një tentativë për të relativizuar apo për të zbutur gjendjen e nderë të pastrimit të parasë. Madje, askush mos të mendojë se unë po dëshiroj të mbroj Beketin, qëllimi i vetëm i kësaj përsiatjeje është se kjo që po bën Prokuroria është në vazhdën e spektaklit që i ka rënë për bixha për ta luajtur. Përndryshe, nuk mund të shpjegohet se si prokurori Llalla ka firmosur deri më tash katër flet arreste prej VIP-ash dhe ka arritur të dënojë vetëm arkëtaren dhe atë që i kishte futur paret në brekë duke dalë nga Banka e Shqipërisë i palarë.

Për të mos u harruar nga bashkëqytetarët e mi është dhe ajo çfarë ngjau disa muaj më parë në vendin tonë. Arben Frroku i pafajshëm, një bast që ritregoi se sistemi jonë gjygjësor e mbi të gjitha sistemi jonë i hetimit lënë për të dëshiruar. Pra, e thënë me fjalë të pakta…në fjalët e zotit Sollaku unë arrita të kuptoj që Beketi nuk do të arrestohet madje dhe se e gjithë kjo farsë do të përfundojë shumë shpejt. Aq shpejt sa që ne do e kemi mendjen për t’u zi për votat…ah po lajmi i vërtetë i kësaj dite qëndron në faktin se LSI po na ndërgjegjëson se vota nuk duhet shitur. E bukur kjo apo jo?!

You may also like...