Kali konsull, Themie Thomai dhe Kejdi Mehmetaj

Histori të turbullta në hapësirë dhe kohë

Në Romën e Lashtë perandori Kaligula mori famë për emërimin e kalit të tij si konsull, (ekujvalenti i kryeministrit). Kjo ka gjasa të jetë histori e pavërtetë, tregon një historiane për BBC. Sipas Mary Beard, ka shumë gjasa që ngjarja të ketë qenë një shaka. Kaligula u tall me aristikratët senatorë, të cilët qenë teorikisht përfaqësues të popullit, duke i thënë se ata qenë aq pa vlerë, sa ai mund të emëronte edhe kalin e vet për kryeministër, po të donte.

Në vitin 1976, vit fushate spastrimesh në rradhët e partisë së Punës, një kryetare kooperative u mor nga Lushnja dhe u emërua Ministre e Bujqësisë. Nuk ka shumë informacion mbi Themie Thomain dhe nuk kam dëshirë ta paragjykoj. Nga një kërkim rezulton se ajo qe 31 vjeç kur emërua ministre. Qëndroi në këtë post për 14 vjet, duke u bërë një nga ministrat më jetëgjatë të periudhës 45 vjeçare komuniste.

Nuk dihet gjithashtu se çfarë e shtyu byronë politike të bënte këtë zgjedhje. Në vitin e largët 1976, inxhinjerët u futën në burg apo u ekzekutuan. Ministrat me një të shkuar të arsimuar u futën gjithashtu në burg, zëvendësministrat u vranë. Në të njëjtën kohë, ministrja e bujqësisë vijoi të qeverisë gjatë dhe gjatë. Nga kohëzgjatja, të jep përshtypjen se duhej të qe një ministre e suksesshme. Për aq sa dihet, kjo qe një periudhë e tmerrshme sa i përket prodhimit ushqimor të vendit. Eksperimentet politike të ndërmarra si tufëzimi krijuan një brez shqiptarësh të kequshqyer, pasojat ndjehen edhe sot. Një raport i UNICEF vëren se një pjesë e vdekshmërisë foshnjore të kohës sonë, i dedikohet faktit se nënat e sotme qenë fëmijët e rritur pa proteina në vitet 1980. Ka gjasa që Themija të mos ketë patur fare faj për të gjitha këto. Por fakti qe që regjimi komunist nuk mendoi të ndryshojë ministren edhe ndërsa punët shkonin keq dhe më keq. Dhe Themija duket se nuk qe në gjendje të kuptonte se si po shkonin punët sepse po të qe, normalisht do të bënte diçka për ta ndalur katrahurën.

Dje, më 1 gusht, morëm vesh se parlamenti i Shqipërisë do të ketë deputeten më të re në historinë e vendit, ndoshta edhe botës. Në parlament kemi 140 deputetë dhe pjesa më e madhe e tyre janë të panjohur, siç ka gjasa të mbesin edhe pasi të kenë mbyllur mandatin e deputetit. Por Kejdi Mehmetaj u bë menjëherë e njohur. Shumica e gazetave dhe agjencive të lajmeve e vunë në dukje. Ajo do të bëhet 19 vjeç në 14 gushtin e ardhshëm. E ka zgjedhur për të qenë deputete Ilir Meta. Kemi parë në të shkuarën deputetë 25 vjeçarë, të sapodalë nga shkolla. Tani kemi një deputete që do t’i duhet të mungojë në shkollë gjatë seancave të gjata parlamentare. Themija dhe Kejdi më ngjajnë si dy qenie krejtësisht të pafajshme për çfarë u ka ndodhur. Por shpresoj që Kejdi ta kuptojë më shpejt se sa Themija se çfarë po bën.

You may also like...