Kampionati botëror nuk do të jetë kurrë vetëm futboll

ELIAS GROLL, Foreign Policy

Për këdo që mendon se Kampionati Botëror do të jetë thjeshtë dhe pastër një lojë shumë e bukur, më lejoni t’ju thyej iluzionet. Gjeneralë në pushtet po e përdorin mirë këtë ngjarje në përpjekjet e tyre për Marrëdhënie Publike ndërsa në Nigeri frika nga terrorizmi ka vënë një re errësire mbi shpresat e vendit në Kampionatin Botëror.

Në Tailandë dhe Egjipt, ku ushtarakët së fundmi kanë marrë pushtetin, autoritetet kanë deklaruar se në një xhest bamirës kundrejt popullit, gjeneralët në pushtet do t’i bëjnë lojërat të disponueshme për të gjithë.

Si pjesë e fushatës së tyre për të sjellë “lumturi për popullin,” një lloj përpjekjeje post-moderne për marrëdhënie publike nga ushtarakët për të etiketuar grushtin e tyre të shtetit si një fitore të forcave të harmonisë dhe paqes, junta e Tailandës thotë se do të detyrojë televizionin publik të vendit ta transmetojë kampionatin falas.

Nëse nuk bëhej kështu, tailandezët do të duhej të blinin një dekoder 50 dollarësh – një çmim i paarritshëm për shumicën e popullit.

Për shkak të përkushtimit të qeverisë për “lumturinë” e popullit, qeveria do të kompensojë televizionet me një kosto prej 13 milionë dollarësh. Ky vendim vjen në njëkohë kur ushtarakët kanë dërguar gra me kamuflazh nëpër rrugët e Bangkokut për të rritur moralin publik.

Qeveria e Egjiptit nuk ka mbetur prapa. Pasi u betua si president, Abdel Fattah al-Sisi, ish-gjenerali që rrëzoi Mohamed Morsin nga posti i presidentit, deklaroi se edhe ai do t’i bëjë ndeshjet e Kampionatit Botëror të disponueshme nënshtetasit e vet. “Transmetimi i ndeshjeve do të jetë një dhuratë nga Presidenti Abdel Fattah al-Sisi për popullin e Egjiptit,” thotë Azmi Megahed, një zëdhënës për Federatën Egjiptiane të Futbollit. Marrëveshja nuk është aktualisht finale.

Sisi mundet natyrisht të përdorë mirë shtetin. Të mërkurën e shkuar, presidenti i sapozgjedhur i kërkoi ndjesë personalisht një gruaje që u sulmua seksualisht nga një bandë burrash që po festonin inaugurimin e tij. Dhënia e një spektakli për publikun e çmendur pas futbollit do ta ndihmojë atë të zhvendosë vëmendjen nga kjo ngjarje si dhe nga vijimi i shtypjes së Vëllazërisë Muslimane.

Ndërkohë në Nigeri, lajmi mbi Kampionatin Botëror është më i keq. Të frikësuar nga sulme të mundshme terroriste nga grupimi Boko Haram, autoritetet në shtetin verilindor të Adamavas kanë vendosur të ndalojnë shikimin publik të ndeshjeve. Për rrjedhojë, shumë banorë nuk do të jenë në gjendje të shohin ndeshjet e skuadrës kombëtare të Nigerisë, e cila pritet të ketë goxha sukses në Brazil.

Në vitin 2010, disa bomba në Kampala të Ugandës, gjatë finales së Kampionatit Botëror kur atentatorët vetvrasës shënjestruan një restorant dhe një lokal, 74 vetë mbetën të vrarë; dhe ndërsa Bob=ko Haram ka ndërmarrë një seri sulmesh së fundmi, përfshirë edhe rrëmbimin e qindra vajzave në një shkollë, nuk është surprizë që autoritetet janë të kujdesshme. Boko Haram e sheh futbollin si jo-islamik. Zyrtarët e Nigerisë thonë se kanë informacion se grupimi po përgatitet për sulme gjatë kampionatit.

You may also like...