Kështjella ose Rrethimi si hyrje në psikologjinë shqiptare
Romani i Ismail Kadaresë, Kështjella, publikuar fillimisht si tregim me titullin Daullet e Shiut dhe së fundmi, me titullin Rrethimi, është një roman i përmirësuar në vijimësi, ku përmirësimet duket se reflektojnë udhëtimin tonë të shkurtër e të trazuar që nga koha kur u botua për herë të parë.
Kur u botua fillimisht në vitin 1970, romani i Ismail Kadaresë Kështjella ishte një parashtrim i një mikrokozmosi mesjetar me jehonë në botën e atyre viteve. Romani flet për një kështjellë të vogël shqiptare që gjendet e rrethuar nga një ushtri e madhe turqish dhe na jep këndvështrimet e shkrimtarit mbi botën e asaj kohe përmes dialogjeve të pjesëmarrësve në atë betejë të madhe.
Titulli fillestar i romanit “Rrethimi” ka qenë “Daullet e shiut”. Në botimin e parë, 1970, me qëllim për të theksuar praninë shqiptare në vepër, u propozua titulli “Kështjella.” Ndërkaq, në botimin francez, më 1971, doli me titullin origjinal “Daullet e Shiut”, me të cilin u njoh në shumicën e përkthimeve të tjera.
Në veçanti, janë disa detaje nga romani që tingëllojnë si më shumë moderne se sa mesjetare.
E para, në dialog mes dy zyrtarëve turq mësohet për një mjeshtër topash, i cili ishte burgosur nga sulltani. Shkaku i burgosjes, sipas bisedës, ishte refuzimi i tij për të prodhuar topa akoma më të mëdhenj, me frikën se këto armë do të ishin të afta të shkatërronin njerëzimin. Kjo ngjan shumë me një alegori me armët bërthamore dhe frikën e katastrofës bërthamore të kohës së Luftës së Ftohtë.
E dyta, romani shpjegon se si superfuqitë e kohës, Peandoria Osmane nga njëra anë dhe Republika e Venecias nga ana tjetër, megjithëse shumë të ndryshme, ishin të gatshme të bënin biznes me njëra-tjetrën. Aq sa ushtria osmane ia beson furnizimin e saj gjatë fushatës në Shqipëri blerjeve të planifikuara nga tregtarët venedikas. Kjo gjithashtu ngjan me politikën e bashkëjetesës paqësore mes bllokut komunist dhe atij kapitalist.
E treta, në pak faqe ku ngjarjet tregohen nga brenda kështjellës, mbrojtësit që po luftojnë pa mbarim dhe kundër të gjitha gjasave për fitore, ankohen se nuk do të kenë mundësi t’i lënë pasardhësve kolonada dhe pallate mbresëlënëse sepse, siç e shpjegojnë ata vetë “nuk kishin kohë t’i ndërtonin”.
Ky është pak a shumë një lloj vajtimi i përhershëm i një pjese të shqiptarëve për mungesën e një “perandorie shqiptare”, e shkaktuar më së shumti nga fabulat e ringritjes historike të zhvilluara gjatë epokës së nacionalizmit nga shumë shtete, mes të cilave, shteteve tona fqinje si Serbia apo Greqia.
E katërta, mënyra se si Kadare përshkruan karrierën e ushtarëve turq ngjan shumë me tiparet e karrierës në çfarëdolloj diktature dhe në çfarëdolloj kohe. Për shërbëtorët e sulltanit ka vetëm dy rrugë: njëra, një përpjekje e pamëshirshme për t’u ngjitur lartë në karrierë ndërsa tjetra, një vdekje e atypëratyshme.
Kështjella është një roman që ka magjepsur si shqiptarët ashtu edhe të huajt për shkak të vlerave të veta universale. Në variantet e botuara pas viteve ’90, Kadare ka rishikuar disa aspekte në krahasim me variantin e parë. Njëri nga aspektet është forcimi i karakterit kristian të kështjellës së rrethuar, me përmendjen e kishave dhe kryqeve në të, aspekte që, siç imagjinohet, ishin tërësisht të munguara në variantin e parë.