Kolonializmi, mjaft më me ndihma – duhet të flasim për reparacione
Debati përreth reparacioneve mund të jetë kërcënues, për shkak se ai kundërshton narrativën aktuale mbi zhvillimin, në një kohë që ndikimi i kolonializmit në formën që bota ka sot nuk mundet kurrsesi të injorohet.
Jason Hickel, Guardian
Kolonializmi është një nga ato gjëra që nuk supozohet se lejohet të diskutohet në shoqëritë e ngritura – së paku jo në shoqëritë që gjenden në veri të Mesdheut. Shumica e njerëzve nuk ndjehen mirë kur përmendet kjo temë dhe më së shumti parapëlqejnë të bëjnë sikur kolonializmi nuk ka ndodhur.
Në fakt, ky duket se është edhe pozicioni zyrtar i shumë shteteve. Në narrativën dominuese të zhvillimit ndërkombëtar të përhapur nga institucionet, nga Banka Botërore te Departamenti i Mbretërisë së Bashkuar për Zhvillim ndërkombëtar, historia e kolonializmit është fshirë në mënyrë rutinë. Sipas historisë zyrtare, vendet në zhvillim janë të varfra për shkak të problemeve të tyre të brendshme, ndërsa vendet perëndimore janë të pasura për shkak se kanë punuar më shumë dhe kanë mbajtur vlerat dhe politikat e duhura. Dhe për shkak se perëndimi ndodh të jetë më i përparuar, vendet e tij në mënyrë bujare japin “ndihma” për pjesën tjetër të botës – diçka të vogël për t’i ndihmuar vendet e varfra.
Nëse pranohet ndonjëherë kolonializmi, ai tregohet jo si një krim, por më së shumti si një përfitim për të kolonizuarit – një shkallë në shkallaren e zhvillimit.
Por historia flet krejt ndryshe dhe na vë ne përballë pyetjeve të vështira mbi një temë tjetër që europianët parapëlqejnë ta shmangin: reparacionet. Por pavarësisht se sa përpiqen europianë, kjo temë rishfaqet sërish dhe sërish. Së fundmi, pas një debati në Oxford Union, deputeti indian Shashi Tharoor ringriti me forcë kauzën e reparacioneve, me një fjalim që u bë viral, duke tërhequr më shumë se 3 milionë shikime në YouTube. Dukshëm kjo çështje ka prekur një nerv.
Debati mbi reparacionet është kërcënues pasi ai sfidon drejtpërsëdrejti narrativën e zakonshme të ndihmës për zhvillim. Ai sugjeron se varfëria në pjesën jugore të planetit nuk është një fenomen natyror, por një fenomen që është krijuar. Dhe ai debat i paraqet vendet perëndimore jo si bamirës, por si plaçkitës.
Kur vjen puna te trashëgimia kolonialiste, disa fakte janë gati gati tepër tronditëse për t’u kuptuar. Kur Europianët mbërritën në atë që sot është Amerika Latine më 1482, ky rajon duhet të ketë qenë i banuar nga 50 deri në 100 milionë banorë vendës. Nga mesi i viteve 1600, popullata e tyre pati rënë në rreth 3.5 milionë. Shumica dërrmuese e tyre u shfarosën nga sëmundjet e huaja dhe shumë prej tyre u masakruan, vdiqën në skllavëri apo vdiqën nga uria pasi u përzunë nga tokat e tyre. Qe si të thuash, holokausti në përmasa shumë herë më të mëdha.
Çfarë po kërkonin Europianët? Argjendi qe një pjesë e madhe e asaj që kërkonin. Mes viteve 1503 dhe 1660, 16 milionë kilogramë argjend u transportuan për në Europë, shifër kjo e barabartë me tri herë rezervat europiane të këtij metali. Nga fillimi i viteve 1800, rreth 100 milionë kilogramë argjend u morën nga damarët e Amerikës Latine dhe u pompuan në ekonominë europiane, duke dhënë kaq shumë kapital për revolucion industrial. Për të kuptuar përmasat e kësaj pasurie, imagjinoni një eksperiment të thjeshtë: nëse 100 milionë kilogramë argjend investohet në vitin 1800 me normë interesi prej 5 për qind – kjo është mesatarja historike – sot, ky investim do të kishte një vlerë prej 165 trilionë dollarësh. Kjo është një shumë e paimagjinueshme.
Europianët ngopën nevojat e tyre për punë nëpër koloni – në miniera dhe plantacione – jo vetëm duke skllavëruar amerikanët indigjenë por edhe duke transportuar skllevër përmes Atlantikut nga Afrika. Deri në 15 milionë të tillë. Vetëm në kolonitë e Amerikës së Veriut, europianët shfrytëzuan 222,505,049 orë pune të detyruar nga skllevërit afrikanë mes viteve 1619 dhe 1865. E vlerësuar me pagën minimale amerikane të sotme, me një normë modeste interesi, kjo punë është e barazvlefshme me 97 trilionë dollarë – më shumë se i gjithë Prodhimi Botëror Bruto.
Aktualisht, 14 kombe të Karaibeve janë në proces për të hedhur në gjyq Britaninë për reparacione për skllavërinë. Ata thonë se kur Britania abrogoi skllavërinë më 1834 ajo kompensoi jo skllevërit por pronarët e skllevërve me një shumë prej 20 milionë paundësh, të barazvlefshme sot me 200 milionë paund. Ndoshta ata do të kërkojnë reparacione për një shumë të barazvlefshme me këtë, por kjo është vetëm një vlerësim i kursyer: reflekton vetëm çmimin e skllevërve dhe nuk na thotë asgjë për vlerën totale që ata skllevër prodhuan përgjatë jetëve të tyre, dhe as traumën që ata përjetuan, as për ata qindramijëra skllevër që punuan dhe vdiqën gjatë shekujve para vitit 1834.
Këto shifra tregojnë vetëm një pjesë të vogël të historisë, por na ndihmojnë të imagjinojnë shkallën e vlerës që u transferua nga Amerikat dhe Afrika për në xhepat e europianëve pas vitit 1492.
Europa nuk i zhvilloi kolonitë. Kolonitë zhvilluan Europën.
Pastaj vjen India. Kur Britanikët morën kontrollin e Indisë, ata riorganizuan tërësisht sistemin bujqësor, duke shkatërruar praktikat tradicionave të subsistencës për të krijuar mallra fitimprurëse për eksport në Europë. Si pasojë e ndërhyrjeve britanike, deri në 29 milionë indianë vdiqën gjatë uria përgjatë pak dekadash të shekullit 19, në atë që historiani Mike Davis e quan “holokausti i epokës së vonë viktoriane”. Nëse vendosen në rresht, trupat e tyre mund të mbulojnë gjatësinë e Anglisë 85 herë. Dhe kjo ndodhi ndërkohë që India po eksportonte sasi të stërmëdha ushqimesh, deri në 10 milionë tonë në vit.
Kolonizatorët britanikë punuan gjithashtu për ta transformuar Indinë në një treg të kapur nga mallrat britanike. Për ta bërë këtë, ata shkatërruan industritë mbresëlënëse vendase. Para se të mbërrinin britanikët, India kishte 27 për qind të ekonomisë botërore, sipas ekonomistit Angus Maddison. Në kohën kur britanikët ikën, pjesa e Indisë qe ulur në vetëm 3 për qind, E njëjta gjë i ndodhi Kinës. Pas Luftërave të Opiumit, kur Britania pushtoi Kinën dhe detyroi të hapë kufijtë ndaj mallrave britanikë në kushte të pabarabarta, pjesa e Kinës në ekonominë botërore ra nga 35 për qind në vetëm 7 për qind.
Ndërkohë, Europianët rritën pjesën e tyre në PBB-në globale nga 20 për qind në 60 për qind gjatë epokës koloniale. Europa nuk i zhvilloi kolonitë. Kolonitë zhvilluan Europën.
Dhe ne ende nuk kemi filluar të flasim për Afrikën. Në Kongo, vetëm për të cituar një shembull të shkurtër, siç e shkroi historiani Adam Hochschild në librin e tij Fantazma e Mbretit Leopold, uria e Belgjikës për fildish dhe gomë vrau rreth 10 milionë kongolezë – afërsisht gjysmën e popullsisë së vendit. Pasuria që u nxorr nga kjo plaçkitje u dërgua në Belgjikë për të financuar arkitekturë shumë të bukur dhe vepra publike mbresëlënëse, përfshirë harqe dhe parqe dhe stacione hekurudhore – të gjitha shenja të zhvillimit që zbukurojnë Brukselin sot, selinë magjepsëse të Bashkimit Europian.
Ne mund të vijojmë. Është tunduese ta shohësh këtë thjeshtë si një listë krimesh, por është shumë më tepër se kaq. Këto shembuj tregojnë konturet e sistemit ekonomik botëror që qe dizenjuar për qindra vjet për të pasuruar një pjesë e vogël të njerëzimit në kurriz të shumicës.
Kjo histori e bën narrativën e zhvillimit ndërkombëtar të duket paksa absurde, dhe hapurazi, false. Frankie Boyle kishte të drejtë: “Edhe bamirësia jonë është në thelb patronizuese. Jepi një njeriu një peshk që ai të ushqehet për një ditë. Jepi një grep dhe ai mund të ushqejë veten. Në mënyrë alternative, mos i helmo ujërat, rrëmbe stërgjyshërit në skllavëri dhe pasaj ktheu 400 vjet më pas duke folur bajga mbi peshkun.”
Ne nuk mund të vendosim një çmim për vuajtjet e pësuara nga kolonializmi. Dhe nuk ka mjaftueshëm para në botë për të kompensuar dëmet që ai shkaktoi. Ne mundemi, gjithsesi, të ndalojmë së foluri për bamirësi dhe në vend të kësaj të pranojmë borxhin që perëndimi ia ka pjesës tjetër të botës. Akoma më e rëndësishme, ne mund të punojmë për të shkatërruar instiktin kolonizues sa herë që ai rikthehet në kokat tona dembele, siç po ndodh aktualisht përmes grabitjes së paligjshme të tokave, shfrytëzimit të paligjshëm financiar dhe marrëveshjeve të padrejta tregtare.
Shashi Tharoor argumentoi për një pagesë reparacionesh simbolike prej 1 paundi – në shenjë pranimi të faktit historik. Kjo nuk mund të bëjë shumë për të zbutur vuajtjet e vazhdueshme të atyre vendeve që u shkatërruan nga kolonializmi. Por së paku mund ta vendosë historinë ashtu siç duhet dhe të na vë ne në rrugën drejt ribalancimit të ekonomisë botërore.