Kompleksi i Rozafës në qendër të Tiranës

12961263_10154106558606926_2866223046642354636_o

Në fillim ishte një shesh, ai u la i pashtruar për vite dhe vite me rradhë. Makinat nuk guxonin të kalonin aty për shkak të gropave të stërmëdha. Kryebashkiak ishte Edi Rama. LRI bëri një protestë demonstruese në shesh duke hedhur zhavorr për të mbyllur gropat. Kuptohet, qe koha kur LSI kishte hyrë në marrëveshje me Bashën. Rama ankohej se nuk e riparonte dot sheshin për shkak se e kishte bllokuar qeveria qëndrore, konkretisht Berisha.

Pastaj, një arab dha paratë për ta riparuar sheshin. Qeverisë Berisha nuk i pëlqeu, e la ashtu. Pastaj erdhi Lul Basha, ai e ndryshoi brenda natës projektin dhe bëri atë shesh që kemi sot. Qeveria qe e tija, kështu që nuk u bllokua. Basha u akuzua se kishte bërë një shesh pa shesh, d.m.th, kishte ndërtuar diçka që nuk përfshinte asnjë shatërvan, hera e parë që nga krijimi i sheshit që shatërvani mungonte, ndoshta nga të paktat raste në historinë e njerëzimit kur një shesh, quhet shesh, por nuk ka as një çezmë e as një shatërvan. Më tej, Basha kishte bërë një si tip hapësire të gjelbër po pa stola e pa rrugë kalimi. Pastaj bëri një si tip lulishteje që ngjan më shumë me një fidanishte se sa me lulishte. Gjithsesi, problemi sikur u zgjidh. Ca milionë euro u harxhuan si pa shumë bujë.

Basha u akuzua me shumë të drejtë se po përjetonte kompleksin e Rozafës. Çdo gjë që ka bërë paraardhësi, është gabim, e shëmtuar dhe e pavlefshme. Duhet të ndryshohet.

Por pastaj arabi dha ca para të tjera për të zgjatur bulevardin e Tiranës. Këtë herë, Basha u ankua se e bllokoi qeveria qendrore, d.m.th, Rama.

Rama mori postin e kryebashkiakut më 2015. Gjëja e parë që bëri, qe të ndryshonte sërish sheshin. Mos mendoni se po e bën Veliaj këtë punë. Rama është kryebashkiaku i parë dhe i fundit i çdo qyteti shqiptar.

Projekti i sheshit të ri ngjan, në stilin e të gjitha punëve të Ramës, i bukur për fotografi, për të tjerat nuk ka rëndësi. Nuk ka kurrfarë përgjigjeje për pyetjen se si do të menaxhohet trafiku, psh. E rëndësishme është që të kemi një mundësi për fotografi. Të tjerat nuk kanë rëndësi.

Pastaj kemi edhe ndihmën e Fotoshopit. Si pasojë e kompleksit që i kanë krijuar nga akuzat shumë të drejta se po masakron parkun e vetëm në qytet për të ushqyer urinë e tij për objekte që rrinë bukur në fotografi elektorale, Erioni e ka mbjellë sheshin e ardhshëm të Tiranës me aq shumë pemë në fotoshop, sa nuk merret vesh nëse e di që qyteti është një vend ku nganjëherë duhen edhe trotuare ku të ecin njerëzit.

A, harruam diçka. Nuk pashë asgjëkundi se sa do t’i kushtojë shqiptarëve kjo seancë e re e kompleksit të Rozafës.

12916867_10154106552016926_68966855398693931_o

 

P.S. Që nga shkrimi i këtij blogu në prill 2016 kanë ndodhur zhvillimet e mëposhtme:

  1. Projekti i zbatimit të Sheshit Skënderbej u fitua në një seri tenderësh nga kompania Fusha sh.p.k me një kosto totale prej afro 17 milionë eurosh.
  2. Erion Veliaj i dha doza nacionalizmi folklorik sheshit të ri duke pretenduar se aty do të përdoreshin “gurë nga të gjitha trevat shqiptare”. Një lajm i paverifikuar më vonë bëri të ditur se Ambasadori Grek në Tiranë kishte refuzuar të merrte pjesë në ceremoninë e inagurimit në protestë ndaj asaj që quhej “Gurë nga Çamëria”.
  3. Problemi i trafikut mbeti i pazgjidhur.
  4. Cilësia e punimeve në shesh duket mediokre.
  5. Në qershor 2018, bodrumet e Bibliotekës Kombëtare u përmbytën duke dëmtuar mijëra libra. Në të njëjtën datë bodrumet e Bashkisë Tiranë u përmbytën duke dëmtuar mijëra dokumente. Deri më 21 korrik 2018, nuk ka të dhëna nga se u shkaktua përmbytja, por dyshimet lidhen me cilësinë e keqe të punimeve në shesh.

You may also like...