Konferenca islamike si kokë turku, ose sa qorra jemi përballë Europës

Gjergj Erebara

Komentet më të fundit të disa zyrtarëve shqiptarë mbi shkaqet e refuzimit të statusit kandidat nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian, përmendën edhe një herë një fantazmë të vjetër, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Konferencën Islamike. Në fillim Ilir Meta, dhe pastaj Edi Rama, akuzuan Berishën dhe Konferencën Islamike si përgjegjës për mosdhënien e statusit. Berisha qe fajtor për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë organizatë, ndërsa anëtarësimi në vetvete qe fajtor për mosdhënien e statusit.

Të dy argumentuesit, bashkë me Berishën duhet gjithsesi të mos harrojnë se janë mes faktorëve kryesorë të mungesës së integrimit të Shqipërisë. Me korrupsionin e tyre dhe me mungesën e thellë të respektit për shtetin ligjor si ligjësi e të jetuarit mirë dhe e zhvillimit ekonomik e social, kanë bërë që Shqipëria të jetë kjo që është.

Një analizë më racionale e arsyeve që sollën refuzimin e statusit kandidat për Shqipërinë nga disa vende anëtare të Brukselit sugjeron se refuzimi ka të bëjë me problemet politike të brendshme të vendeve refuzuese.

Në kohë krize ekonomike si kjo që Europa po përjeton dhe që është shumë më e thellë nga pikëpamja sociale sa tregohet nga rritja apo rënia e prodhimit të brendshëm bruto, është e qartë se një pjesë e votuesve po akuzojnë projektin e Bashkimit Europian si përgjegjës për krizën. Forcat politike nacionaliste po konkurrojnë me të djathtën tradicionale. Këto parti, përveç të qenit, të ekstremit të djathtë, janë edhe anti-emigrantë, shpesh, antihebraike, e natyrisht, anti-islamike. E djathta tradicionale nuk dëshiron të prodhojë më shumë municione për këto parti. Mjafton të shohësh lajmet, si psh sjelljen e kryeministrit të Britanisë Cameron kundër emigrantëve rumunë për ta kuptuar se refuzimi nuk ka shumë të bëjë me çfarë është Shqipëria apo çfarë kushtesh ka plotësuar (të cilat në fakt nuk i ka plotësuar), por ka të bëjë me politikën e brendshme të këtyre vendeve. Nacionalizmi dhe ekstremizmi nuk është se kanë inat vetëm shqiptarët dhe përkatësinë e tyre fetare. E kanë me të gjithë. Rumunët psh, të cilët nuk janë muslimanë, por janë emigrantë si ne, po humbasin shansin për fitimin e të drejtave të punës përmes procesit të hapjes së tregut Europian të punës, programuar për vitin 2014. Cameron doli kundër hapjes së tregut të punës, për shkak se ka një parti anti-europiane që po gërryn votat e partisë së tij.

Më vjen keq të konkludoj se as korrupsioni i gjithëpërhapur i politikës shqiptare, i cili është në nivel sistemik ku vjedhja e aseteve publike bëhet për të blerë vota dhe votat blihen për të garantuar vijimin e vjedhjes së aseteve publike, nuk është një faktor në refuzimin e statusit kandidat.

Në një situatë të tillë, një vend normal me një politikë normale do të duhet të përdorë realpolitikën për të gjykuar mbi integrimin Europian. Por jo! Ne nuk kemi një politikë normale. Ajo është më shumë e interesuar të gjejë justifikime, e madje të gjejë justifikimet më ekstreme që tërheqin vëmendjen e opinionit publik nga problemi i vërtetë te një joproblem, si anëtarësia e Shqipërisë në Konferencën Islamike.

Nja dy vite të shkuara, kur organizata Wikileaks publikoi kabllogramet diplomatike amerikane. Në to gjendeshin edhe nja 12 kabllograme që lidheshin me Shqipërinë dhe Konferencën Islamike.

Qe shumë gallatë, sepse nga njëra anë tregon se si funksion realpolitika dhe nga ana tjetër, se sa koqe i kemi patur funksionarët e lartë të shtetit.

Kabllogramet thonë pak a shumë se SHBA dhe shumë njerëz në BE e shohin anëtarësimin e Shqipërisë në OKI si një aset të vendit dhe jo si barrë, por tregojnë gjithashtu se realpolitika është ajo që përcakton vendimet dhe jo religjoni apo sentimentalizma të ngjashme. Është e qartë se politikanët e sotëm e kanë mësuar këtë. Por u leverdis shumë që të gjejnë një fajtor jashtë vetes për një problem të realpolitikës, duke dëshmuar edhe një herë se i konsiderojnë shqiptarët një popull delesh emocionale, jo qenie racionale që dinë të kuptojnë se çfarë po ndodh e pse po ndodh.

Lajmi mbi kabllogramet më poshtë:

Detajet

Shqipëria dhe Konferenca Islamike

Anëtarësimi

Vendi ynë u anëtarësua në OKI në vitin 1992. Berisha, në atë kohë President, deklaroi më vonë se synimi i anëtarësimit ishte përfitimi i ndihmave të mundshme nga vendet islamike

Ftohja

Qeveria socialiste, pas vitit 1997, reduktoi pjesëmarrjen në këtë organizëm, duke dërguar drejtues të nivelit të ulët. Një grup intelektualësh në Shqipëri kërkuan largim final

Debati

Në vitin 2006, ministri i Jashtëm spanjoll, Moratinos, sugjeroi që Shqipëria të përdorë anëtarësinë në OKI për të përcjellë mesazhe paqeje mes Lindjes dhe Perëndimit

Kosova

Shqipëria filloi të interesohet më shumë për OKI-n pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përpjekjet e saj duket se nuk bindën asnjë shtet për ta njohur pavarësinë

Kreditë

Anëtarësimi në OKI mori rëndësi të veçantë gjatë viteve të fundit, pasi u pa nga qeveria si një burim i mundshëm kredish për financimin e rrugës Tiranë-Elbasan

Palestina

Kreditë nga vendet arabe duket se po e nxisin qeverinë e sotme të mbajë një qëndrim pro Palestinës dhe kundër Izraelit në OKB, gjë që pëlqehet edhe nga Konferenca Islamike

Konkluzionet

Konferenca Islamike, Shqipëria dhe diplomatët amerikanë

* Mustafaj pyet Ries se çfarë të bëjë. Ries i thotë se është çështje e brendshme e Shqipërisë, por ajo e sheh pozitivisht.

* Siria thirri Serbinë si vëzhguese në Damask, por jo Kosovën.

* Diplomacia parlamentare e Topallit, e cila mbuloi flokët me shami dhe takoi Mubarakun nuk ndihmoi shumë. Egjipti u bë kundërshtari më agresiv i pavarësisë së Kosovës në OKI.

* Kundërshtimi i vazhdueshëm shqiptar për rezolutat e OKI pro Palestinës diskretituan vendin.

* Diplomatët shqiptarë rezultojnë naivë kur mendojnë se arsyet sentimentale do të luajnë ndonjë ndikim në vendimin e shteteve të ndryshme për të njohur pavarësinë e Kosovës, p.sh. mendimi që Egjipti do të mbajë qëndrim pozitiv, për shkak se kreu i Parlamentit është me origjinë shqiptare.

“Wikileaks”

Kabllogramet amerikane sugjerojnë se dilema shqiptare për anëtarësim në OKI nuk ka pasur rol për pavarësinë e Kosovës

Konferenca Islamike, asnjë ndikim për Kosovën

Gjergj Erebara

Dilema shqiptare për angazhim apo largim nga Organizata e Konferencës Islamike gjatë pesë viteve të fundit duket se nuk ka pasur asnjë ndikim, as pozitiv dhe as negativ, në vendimin e disa vendeve anëtare të kësaj organizate në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Lajmi bëhet i ditur nga një seri kabllogramesh diplomatike amerikane të publikuara nga organizata “Wikileaks”. Kabllogramet tregojnë se arsyet e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga shumë vende islamike si Siria, Egjipti apo Indonezia, nuk kanë aq lidhje me teorinë e “solidaritetit islamik”, por janë më së shumti pasojë e realpolitikës.

Kabllogramet japin gjithashtu të dhëna interesante mbi angazhimin e pasuksesshëm të diplomacisë shqiptare në ndihmë të pavarësisë së Kosovës, si dhe për vetë dilemën historike të vendit mbi anëtarësimin.

Mustafaj në dilemë

Në vjeshtën e vitit 2005, ministri i Jashtëm i asaj kohe, Besnik Mustafaj, i ka kërkuar opinion ambasadores amerikane Marcie B. Ries nëse Shqipëria duhej të largohej apo jo nga Organizata e Konferencës Islamike (OKI). Diplomatja Ries shpjegon se anëtarësimi në OKI është një çështje shumë e debatuar në Shqipëri, për shkak se opozita e përdor këtë për të sulmuar Kryeministrin Berisha si pro-arab dhe jo pro-europian.

“Ambasadorja u përgjigj se ndonëse anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare është një vendim kombëtar, SHBA-ja e vlerëson si pozitiv faktin që OKI ka një anëtar të moderuar dhe të përgjegjshëm”, shkruhet në kabllogramin 06TIRANA602.

Ries komenton më poshtë: “Ne kemi dëgjuar nga USUN se në të shkuarën, ambasadori i Shqipërisë ka dhënë informacione të vlefshme mbi aktivitetet e OKI. Ne duhet të shpresojmë që një lloj bashkëpunimi i tillë të vijojë”.

Basha i zhgënjyer

I takoi ministrit tjetër të Jashtëm, Lulzim Bashës, të zhgënjehej dhe t’u raportonte diplomatëve amerikanë se po mendonte të çanëtarësohej nga OKI, pasi vendet anëtare të konferencës nuk pranuan të njohin në bllok pavarësinë e Kosovës.

“Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, shprehu lodhje me Organizatën e Konferencës Islamike, jo vetëm në lidhje me ngadalësinë e saj në njohjen e pavarësisë së Kosovës, por edhe përpjekjeve nga ‘peshat e rënda’ për të margjinalizuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në organizatë. Ai sugjeroi se Shqipëria mund ta rimendojë anëtarësinë në OKI”, thuhet në kabllogramin 08TIRANA184 e marsit 2008. Tre vjet më pas, Basha përdori disa hoxhallarë në Tiranë për mbështetje për zgjedhjen e tij si kryebashkiak.

Basha, sipas kabllogramit, beson se një lidhje e vjetër gjaku mund të përcaktojë vendimin e Egjiptit, në atë kohë nën sundimin diktatorial të Mubarakut, të njohë pavarësinë e Kosovës. “Ai shpjegoi rëndësinë e Egjiptit për Shqipërinë dhe i tha ambasadorit se kryetari i Parlamentit të Egjiptit ka prejardhje shqiptare”.

Kryeparlamentarja shqiptare, Jozefina Topalli, në prill 2008 vizitoi Egjiptin dhe shumë vende të tjera arabe. Kabllograme amerikane të publikuara nga “Wikileaks” për diplomacinë parlamentare nuk ka, por pavarësisht optimizmit të Bashës dhe vizitës së Topallit, Egjipti nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Përkundrazi, ky shtet u bë një kundërshtar aktiv i njohjes në Konferencën Islamike.

Dështimi në negocim u duk qartë pak kohë pas kësaj. Në maj, në takimin e OKI-t në Damask, Serbia rezultoi edhe më e fuqishme se sa Kosova, ndërsa Egjipti i Mubarakut punoi vazhdimisht kundër. Sipas një raporti diplomatik nga Xheda në Arabinë Saudite, rezulton se zyrtarët turq në OKI u përpoqën për të ndihmuar rezolutën, ndërsa pikërisht zyrtarët egjiptianë punuan për ta bllokuar.

Në qershor 2008, Shqipëria ia arriti të kalojë për diskutim rezolutën, pavarësisht pengesave egjiptiane për ta bllokuar atë. Kabllogrami 09JEDDAH186 i majit 2008, raporton mbi takimin e OKI-t në Damask. Shqipëria i pati kërkuar Sirisë që të lëshonte një ftesë për Kosovën në rolin e vëzhguesit. Siria, në vend që të lëshojë një ftesë për Kosovën, lëshoi një ftesë për Serbinë. Shqipëria mësohet se protestoi dhe kërcënoi se do ta braktiste takimin. Sekretariati i OKI-t pranoi të heqë emrin e Serbisë nga tavolina.

Kabllogrami 08TIRANA502 tregon se si Basha doli gjerësisht i pasuksesshëm për të bindur anëtarët e OKI-t për rezolutën.

“Basha ishte i pasuksesshëm në përpjekjet e tij për lobim”, thuhet në raport. Algjeria dhe Tunizia e kundërshtuan pavarësinë, duke thënë se deklarata e Shqipërisë mund të jetë në kundërshtim me një deklaratë të mëhershme të krerëve të shteteve të OKI-t. Algjerianët dhe tunizianët kundërshtuan gjithashtu.

Diplomatët shqiptarë raportuan në ambasadë se shumë nga zyrtarët e vendeve anëtare të OKI-t nuk e kishin të qartë se çfarë ishte Kosova dhe se për çfarë arsye ajo kishte shpallur pavarësi të njëanshme.

Në tërësi, rezulton se realpolitika ishte shkaku se pse një pjesë e botës islamike e njohu pavarësinë e Kosovës dhe një pjesë tjetër nuk e njohu dhe vijon të mos e njohë.

Parimorë në dukje – pragmatistë në përmbajtje

Ndoshta pas dy dekadash, Shqipëria duket se e ka zgjidhur dilemën e anëtarësimit në Organizatën e Konferencës Islamike. Këtë vit, Banka Islamike për Rindërtim dhe Zhvillim, një organizatë pjesë e Konferencës Islamike, i akordoi qeverisë shqiptare rreth 400 milionë dollarë kredi, të cilat qeveria synon t’i përdorë për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Ndryshe nga imazhi që ka ndërtuar për veten si vend që udhëhiqet nga parime të larta, përgjatë të gjithë historisë së Shqipërisë paraja duket se ka caktuar drejtimin.

Shqipëria e shpallte veten mbrojtëse të parimeve marksiste-leniniste, por kur këto të fundit nuk prodhuan më financime nga Kina, qeveria njohu Organizatën për Çlirimin e Palestinës dhe tentoi të joshte vendet arabe. Një libër i vitit 1983, i firmosur nga Enver Hoxha, tentoi të zëvendësonte Kinën me vendet arabe. Deklarata e Berishës se është anëtarësuar në OKI për të përfituar ndihma, është gjithashtu kuptimplotë. Edhe vëzhgimit të hollë të ambasadorit Withers nuk i shpëtoi kjo tendencë kur raportoi se Shqipëria ishte treguar e gatshme të pranonte më shumë ish të burgosur të Guantanamos nga sa ishte e përballueshme për të.

 

Debati

Vendimet e vendeve islamike për mosnjohjen bazoheshin në arsye joislamike

 Antiamerikanizmi dhe frika e precedentit përcaktuan kundërshtimin

Frika se Kosova përbën një precedent në ligjin ndërkombëtar, fryma antiamerikane e disa shteteve anëtare të OKI-t dhe mbi të gjitha, tradita e vendeve asnjanëse e kohës së Luftës së Ftohtë qenë arsyet kryesore që ndaluan një pjesë të vendeve anëtare të Konferencës Islamike në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Lajmi bëhet i ditur nga kabllograme të ndryshme amerikane të publikuara nga “Wikileaks”. Në të gjitha rastet, lidhjet e karakterit sentimental, si përkatësia fetare e mazhorancës së shqiptarëve duket se nuk ka luajtur asnjë rol, as pozitiv dhe as negativ, në vendimin e këtyre vendeve. Indonezia i përgjigjej shpesh pyetjes së diplomatëve amerikanë mbi njohjen e Kosovës: “Nuk kemi marrë ende një vendim të prerë”, ndërkohë që shqetësimi kryesor lidhet me faktin se sa precedent për lëvizje të ndryshme separatiste brenda Indonezisë mund të përbëjë deklarimi i njëanshëm i pavarësisë nga Kosova. Të njëjtin shqetësim duket se kishte edhe Egjipti. Konsideratat për Gazën dhe për mundësinë e shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanshme nga Palestina ishin argumentet që nxisnin zyrtarët e regjimit diktatorial të Mubarakut të kundërshtonin me ashpërsi përpjekjet e Shqipërisë në OKI.

Ndërkohë, disa vende të tjera si Irani, dukej se nxiteshin nga mosmarrëveshjet e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mos njohur Kosovën.

 

Diplomacia

Komenti amerikan për anëtarësimin në OKI

“Kemi nxitur Shqipërinë të mbetet anëtare”

“Qeveria e Shqipërisë është në disavantazh në lobingun mes vendeve të OKI-t, për shkak të traditës së fortë laike të këtij vendi. (Shënim: Përgjatë viteve ka pasur sugjerime sporadike brenda Shqipërisë, se vendi ka shumë pak gjëra të përbashkëta me këtë grup dhe duhet të largohet. Ambasada e ka nxitur vazhdimisht qeverinë e Shqipërisë të vijojë të marrë pjesë në OKI si një shembull i politikës së moderuar.) Pavarësisht kësaj, përqasja e Shqipërisë në lobimin mes vendeve të OKI-t ishte i fortë dhe strategjik në formulimin dhe prezantimin e pavarësisë së Kosovës si një çështje e veçantë dhe e ndryshme nga konfliktet e tjera rajonale. Lauka tregoi se bindja e shumicës së 57 anëtarëve të kësaj organizate për njohjen e pavarësisë së Kosovës do të kërkojë diplomaci me durim dhe të koordinuar”.

You may also like...