Konga jonë europiane

E bëjmë t’i tregojmë se i japim pa duar fare si në biçikletë, edhe përplasemi në fund, edhe na dhemb. Na dhemb dyfish kur nuk na vlerësojnë “akrobacinë” që bëmë ne si europianë.

maxresdefaultRudi Erebara

Kjo zallamahia që na ndodh gjithmonë me raste ziafetesh si ndeshjet e futbollit të kombëtares ose kjo e fundit e eurosongut është sigurisht shfaqja më e kthjellës e europianizmit tonë. Se ne duam të dukemi europianë, por nuk jemi. Edhe ose nuk kemi qenë kurrë, ose nuk jemi bërë akoma, ose kemi qenë, u prishëm, edhe do bëhemi prapë. Tani, pse duhet të jemi europianë me detyrim është punë e madhe. Është aq e madhe sa kollarja dy kiloshe si shpatë romake që varin burrat nën mjekër se është europiane fort kjo punë. Edhe ne jemi eruopianë edhe duhet të dukemi europianë.

Më kujtohet se njëherë pata bërë një shkrim andej nga 1993 për një nga spektaklet e RTSH, ku europianizmi tregohej në mënyrë shumë domethënëse me zhveshje të përgjithshme të femrave dhe papijonizim kamarierësh të meshkujve. E mbaj mend titullin. Nuk shkohet në Europë për bythësh! – por më shumë mbaj mend se shumica më thanë turp të shkruash bythë në gazetë, edhe në faqe të parë edhe në titull për më tepër. Kam përshtypjen se nuk e kishin blerë as gazetën as nuk e kishin lexuar shkrimin, shumica.

Një pakicë më “shau” musliman, turk, dumbabist. Pati edhe nga ata që nuk e dinin, ose e dinin mirë, se isha pjesëtar i lëvizjes studentore, që më shanë komunist, kur të gjithë të zhveshurit e spektaklit perdridhnin bythët me gazelin e “poshtër” musliman e turk, për të fituar spektaklin. Ditët e sotme, këta nuk janë më pakicë. Janë shumicë. Shumicë sepse kaluan 25 vjet edhe ne nuk u bëmë as Europë, as nuk na njohin për europianë. Tani kjo shumica po del shpesh në gjendjen dëshpëruese që dmth: nuk na duan ne se jemi shqiptarë, kur ne jemi europianë, se Skëndërbeu shpëtoi gjithë Europën nga muslimanët.

Në këtë kuadër, psh, nxjerrim përfaqësuese një vajzë me emrin musliman Elhaida, (e cila ka qenë edhe është besoj muslimane) me dekolte të thella, të gjata, e të holla. Sepse ne duam të ngjajmë patjetër europianë si të gjithë në europë. Kollare si pallamanë anijesh edhe dekolte. Zhveshja, pas kaq e kaq vitesh, në fakt u ka kaluar këngëtareve me më pak, ose aspak talent në fushën e muzikës, por me paraqitje trupore “të bollshme” me një fjalë. Atëherë ja ku u kopsit pamja europiane.

Tani kënga. Njëlloj si me të gjitha tallavatë, që bëjnë sikur janë shqiptare, por janë indiane, turke edhe greke. Kemi sigurisht edhe tallava italiane. Marrim veglat edhe e bëjmë një këngë që t’i tregojmë të gjithë botës se ne “ta bojm kongës si ma do”. Këngëtaren e kemi që ta këndon si ma do. Çfar gjuhe ma do! Veshjen si ma do, ku është më e shtrenja më moderne. Edhe dalim e ngjajmë europianë, por jemi shqiptarë. Opa flamuri, droni, selvijet. Arsenali i plotë, ovacionet. Edhe na vjen zakonisht në fund dëshmërimi se nuk fitojmë. Pse? Sepse ne ecim rrugës për në Europë pa asnjë adresë. Ne nuk e dijmë se ku po shkojmë. Ku do të ndalim? Dijmë vetëm se jemi nisur.
Tani, rrugës jemi të bindur se të gjithë po na shohin, po na shajnë për vdekje ose janë të mahnitur botërisht me ne, talentin tonë dhe Skënderbeun që shpëtoi gjithë katolicizmin nga shfarosja, duke na sakrifikuar ne, etj etj, nga këto. Kështu që çfarë bëjmë, në çastin kur na bie të vlerësohemi, dmth, kur dallohemi, shquhemi nga “europa”, ne heqim duart nga timoni i makinës se duam t’u tregojmë atyre se ne e bëjmë si ta duan ata, edhe më mirë, edhe më bukur, njëlloj në fund të fundit.

E bëjmë t’i tregojmë se i japim pa duar fare si në biçikletë, edhe përplasemi në fund, edhe na dhemb. Na dhemb dyfish kur nuk na vlerësojnë “akrobacinë” që bëmë ne si europianë. Nuk e harroj sa mijëra herë e klikuan shqiptarët edhe e përhapën videon kur ajo ishte e veshur me shami e këndonte Kuran në Shqipëri, kur këngoi Elhaida në italjonçe, edhe shkëlqeu në Itali. Pse? Po ec e gjeje pse të gjitha këngëtaret e Kosovës nëpër faqet e tyre në fejsbukëra kështu, kanë videot me dhe pa brekë edhe domosdoshmërisht një ose dy xhami, thënie të Kuranit dhe njëfarë krenarie se janë muslimane.

Ec e gjeje?! Jo! Është pikërisht kjo. Ne harrojmë se kemi patentë biçiklete dhe ecim me Ferrarri si gjithë europianët e tjerë. E ka përgjigjen kjo punë në mungesën e identitetit shpirtëror, i cili nuk po na gjen dot paqe. E vetmja fushë në të cilën shkëlqyen dhe jemi konkurrentë në tregun europian është krimi. E njëjta psikologji. Fatkeqsisht, ka plot, e plot që mendojnë se droga e krimi përderisa sjellin fitime të mëdha është punë, sepse kështu e bën edhe gjithë Europa.

Po kjo Evropa kurvë që nuk na pranon kur e kemi shpëtuar jetën, një rrenë e pashoqe kjo, e ardhur vetëm nga injoranca dhe e plehëruar nga diktatura komuniste me: popullin më të madh të botës e fanarin ndriçues të njerëzimit. Skënderbeu dhe Enveri shpëtimtarët e botës. Elhaida këndon, në Vjenë del një njeri me flamur, me tre bile, serbët e poshtër e quajnë provokacija, fryma e përgjithshme krenohet e quan dron. Medemek arritje e madhe droni që u ngrit në Serbi, për mua një akt thellësisht i papërgjegjshëm, i cili inkriminohet si akt kur vuri në rrezik jetën e 20 a më shumë bashkëkombasve në atë stadium sporti. Atëherë pse e bëri ky tipi i Vjenës këtë punë, kur aty kishte me mijëra flamurë të tjerë shqiptarë që valëviteshin për çikë të qejfit në liri të plotë?! Për protagonizëm. Për t’u dukur. Për të nxjerrë bythën.
Brenda kësaj panorame “gjëmojnë” fjalët muslimanët shqiptarë, kosovarët e më the të thash, se një njeri me origjinë shqiptare, nga Londra shkon e plas me bombë për Isis në Irak. Ai shkon e vdes atje për bindjen e tij. Ne na del shqiptar, njëlloj si Elhaida, ose ballisti me flamur, ose ai që i vodhi makinën bekamit. Edhe e ka justifikimin po njëlloj, siç e bëjnë ata, europianët, po e bëjmë dhe ne. Nuk po bëjmë asgjë më shumë. Ne kemi qenë të gjithë të krishterë por Turqia e poshtër. Vjen nje km turk në Shqipëri, opa del Skënderbeu edhe nga presidenca edhe në rrugë. (nuk e kuptoj në fakt pse e heqin nga presidenca bustin. Ne kemi pasur 11 kryeminister në perandorinë otomane. Me qindra e me mijëra përfaqësuesh të perandorisë otomane në nivele nga më të ndryshmet. Por jo, janë turqit e poshtër thuhet dhe harrojmë me ndërgjegje “të qetë” që për pavarësinë kemi dy burra njërin deputet të parlamentit turk, tjetri komandantin e rojeve të sultanit! Sigurisht protagonizmi me çdo kusht.
Edhe kështu vazhdojmë ca herë mërzitemi e ca herë qeshim, se nuk ka shtet prandaj…

Shënim: Ky shkrim është marrë pa lejen e autorit, por ky nuk është problem!

You may also like...