Krijimi i imazhit të një politikani artist!

Xhabyni

Intervista e fundit e z. Rama nën një titull romantik (Elected Affinities) është një nga shembujt e shumtë të makinerisë propaganduese të qeverisë së re. Nuk është diçka e re kjo që po zbulojmë në këto rreshta të parë, sepse kryeministri i sotshëm dhe ish krye bashkiaku i Tiranës njihet për aftësitë e tij promovuese të punës së tij qoftë kjo dhe puna më e rëndomtë e tij. Kjo shihet dukshëm edhe në intervistën e sipërcituar ku ende thërritet si argument lyerja e fasadave të pallateve nga ana e tij.

Një vështrim të kujdesshëm të intervistës mund ta gjeni dhe këtu. Për të kuptuar këtë aftësi përshtatëse të Ramës me qasjen evropianiste, sidomos të disa artistëve, duhet fillimisht të kuptojmë se çfarë shohin shumica e lexuesve evropianë me Shqipërinë. Në ndihmë të kësaj përpjekjeje mjafton të përkujtojmë mësimet që na jep historiania e njohur Maria Todorova në librin e saj “Ballkani Imagjinar”, në kapitullin e parë të cilit Todorova na shpjegon se koncepti që Evropa perëndimore e sheh Ballkanin është nën suazën e një orientalizmi por të kontekstualizuar në Ballkan.

Është e qartë se kjo pikëpamje ka ndryshuar dhe evoluar me kalimin e kohës, natyrisht që ka studiues dhe hulumtues të sinqertë që mundohen të mos e agravojnë me epitete të shëmtuara Ballkanin (fjala vjen si fuçi baruti). Por, nga grupi i ballkanizuesve (pra orientalistëve të Ballkanit) kemi dhe prej atyre të cilët e shohin Ballkanin (pra dhe Shqipërinë) si një vend të çuditshëm që ka njerëz të çuditshëm që nuk ngjasojnë me Evropianët, që kanë pasur një tip që i dukej vetja mbret, një diktator gjakatar, një doktor të çuditshëm që ka bërë lloj-lloj gjërash dhe befas nga hiçi erdhi një djalë dy metrosh. Ky djali dy metrosh përmbush atë pikturën e tyre për këtë vend, është trendy, ka sjellje anti konvencionale, ka kulturë të përgjithshme, shkruan bukur, është jo pak libretin dhe krijon një art që në mos është kiç është antikonvencional për këtë vend.

Pikërisht këtë përshkrim duket se Rama arrin ta përkthejë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në vendin tonë, ku kritika kulturore por edhe kritika në vetvete është sakrilegj nuk gjenden shpesh kritikë të pastër ndaj veprimeve të tij. Kjo shoqëruar me një qasje të re që Rama bëri në politikën tonë të varfër, solli një risi dhe një pranim nga ana e popullit që jo pak herë u magjeps nga këto veprime. Fjala vjen të gjithë e mbajmë mend skenën kur Rama me sëpate në dorë udhëtonte nga njëri trotuar në tjetrin (duke luajtur rolin e atij që s’e di që ka kamera përballë) me një sëpate në dorë për të prerë një shtyllë druri të tensionit elektrik.

Në atë kohë intervistat e tij për revistat, që këtu shiteshin prestigjioze përherë e më shumë, kishin si fabul modelin e një artisti që nuk ishte politikan (madje atëherë nuk aderonte as në PS) por që punonte me përkushtim ndaj qytetarëve. Nën këtë prizëm nisi dhe beteja e tij për të arritur në krye të qeverisë, ai përdori të gjitha fintet e tij për të krijuar përshtypjen se ai nuk e donte pushtetin, nuk e dëshironte asfare politikën, por që po i shërbente qytetarit.

Kështu ndodhi që imazhi i kryetarit të bashkisë që fliste me megafon në komisione parlamentare, që nuk i bëhej vonë kur e nxirrnin me zog nëpër gazetat më të shitura të vendit (kujtoni pak foton) apo që doktori i ulërinte sa lart e poshtë disa deklarata të çuditshme që ia kish gjet ish spin doctor-i Baze. Rama krijoi një imazh aq pozitiv dhe larg politikës sa që dhe stafin e tij më të afërt në bashki e kishte të baraslarguar nga politika e PS dhe nga qeveria Nano. Ishte pikërisht imazhi i krye bashkiakut më të mirë, një çmim që ka dritë hijet e veta, por gjithashtu dhe betejat e fituara me rival të dobët duke shtuar këtu dhe një kritikë dhe opozitë primitive që i dhanë Ramës atë statusin e aq lakmuar prej tij. Ai, në sytë e artistëve dhe kritikëve të shumtë në Evropë, qe një evropian i vogël në këtë Ballkan!

I gjithë ky përshkrim i përciptë nuk ka për gjasë të tregojë jetën e Ramës, por dëshiron të jetë një tregues se si Rama përdor median dhe afinitetet e saj për të promovuar veten si personi që shqiptarët kanë kërkuar për të dalë nga bataku. E tillë qe dhe vepra e tij (në fakt është një vepër ku janë futur zyrtarisht dhe 2 persona të tjerë) e fundit. Kurbani, ishte një duf dhe një lëngim që Rama nxori pasi humbi kështjellën e tij, një farë soj dëshmie dhe kthim përgjigje për të gjithë akuzat që i qenë ngritur atij vite më parë. Duke filluar që nga lyerja e fasadave, 20% i famshëm e deri tek bindja e tij për të shpëtuar vendin nga bataku Sali (që në 2005) e deri tek raportet e tij me Metën.

Në fund ai libër qe një lexim jashtë klasë për të gjithë anëtarët e PS, e kjo nuk përbën habi për një vend si puna jonë ku lideri është profeti dhe i pagabueshmi. Por synimi dhe qëllimi i Ramës, parë në dritë hijet e veprimeve që erdhën më pas, ishte përdorimi i medias (në këtë rast përmes librit) si një mjet që ai të shpjegonte heshtjen e tij disa mujore dhe përgjigjen ndaj akuzave për të cilat ai kurrë s’pranoi të fliste në një debat. Ishte një rikthim i aq dëshiruar në sytë e atyre që e kishin ngritur si shpëtimtar për të fituar forcat e nevojshme të një opozite që asokohe dukej e humbur dhe pa busull.

Sot, makineria e tjerrësve të imazhit dhe kuratorëve të hapave tenton gjithnjë e më shumë të shfaqë një anë të medaljes që të gjithë e duam. Rama ka të njëjtën sjellje dhe qëndrim si i Berishës duke dalë çdo ditë dhe çdo sekondë në televizione (kujtoni pak sa e ka anatemuar Berishën për këtë fakt në opozitë) duke qenë aktori kryesor në çdo moment por edhe aktori jo protagonist më i mirë. Qëndrimet e tij, përpos fjalimeve më elokuente dhe që të prekin zemrën, janë një tregues se jo pak herë sofizmi i tij është mbulues i të vërtetave therëse që mbulon.

Le të marrim shembullin e armëve kimike, fjalimi i tij ishte i mbuluar me aq shumë sofizma dhe dredhi sa që në popull u krijua përshtypja (që ende është) se Rama jo vetëm dëgjoi popullin në thirrjen e tij por edhe veproi si një burrë shteti. Duke na hedhur hi syve, fjalimi i tij na bëri të harrojmë heshtjen e Ramës kur pyetej për armët, po-në parimore tek amerikanët dhe menefregizmin e tij ndaj të rinjve që zunë bulevardin. Sërishmi media i erdhi në ndihmë, sërishmi media (mikesha më e mirë e Ramës?) e risolli jo pak herë në skenë me disa pyetje bajate dhe pa kuptim. Pyetje të cilave Rama diti dhe do të dijë t’i përgjigjet mirë, aq sa për të dalë po aq i larë sa doli madje mund të dalë edhe një nga ata që nuk donin të vinin këto armë.

Në fund, mund të them se Rama është ndër kuratorët më të mirë të imazhit të tij. kjo jo falë shkollimit se sa aftësisë së tij për të kuptuar siç duhet mentalitetin e gazetarëve (me të cilët ka punuar jo pak nga 92’-98’). Afritë përzgjedhëse me të cilët ai zgjedh personat që do t’i kurojnë imazhin janë në fakt një shembull që nuk duhet ndjekur sepse krijojnë përshtypjen e të jetuarit në një vend të mrekullueshëm, në një vend të ndërtuar me fjalë e jo dhe aq me vepra. Përpjekja e tij është që të përjetësoj shprehjen “ore, po qenke artist fare” edhe në fushën e politikës.

 

 

You may also like...