Kriza në origjinë: Euro dhe profecia e Friedman

Milton Friedman qe një kritik i hapur i euros. Ai deklaroi se kjo monedhë do të zgjaste më pak se një e katërta e jetës së tij, pra më pak se 25 vjet, i sugjeroi Italisë të ruante makineritë që shërbejnë për prodhimin e liretës dhe i sugjeroi vendeve të tjera anëtare të mbajnë në magazinë monedhat kombëtare sepse do t’u hynin në punë një ditë. Megjithatë, Friedman i uroi suksese politikbërësve europianë kur këta të fundit e hodhën hapin pa kthim.

“Kursi i këmbimit mes monedhave të ndryshme ofron një mekanizëm mbrojtjeje përballë tronditjeve ekonomike, të cilat i godasin vendet e ndryshme në mënyrë të ndryshme. Me krijimin e Euros, vende të ndryshme po e hedhin këtë mekanizëm mbrojtjete. Me çfarë po e zëvendësojnë?!”, – tha Friedman.

Euro ka jetuar dhjetë vjet deri tani dhe është përballur sakaq me krizën e parë të rëndësishme. Siç qe parashikuar, një vend si Greqia u godit nga kriza. Ajo nuk ka rrugëdalje. Në anën tjetër, Gjermania po përjeton situatë të mirë. Prodhimi rritet, papunësia ulet. Po të kishte monedhën e saj, Greqia do ta zgjidhte brenda natës krizën dhe do ta niste nga e para. Por kjo nuk mund të ndodhë. Greqia duhet të zgjedhë rrugën e gjatë dhe pjesa tjetër e Eurozonës do të vuajë pikërisht pamundësinë e Greqisë për të zgjedhur rrugën e shkurtër, atë të zhvlerësimit të monedhës.

“Euro do të bëhet një burim problemesh të mëdha, jo një burim ndihme. Euro nuk ka precedent. Për aq sa unë di, nuk ka ekzistuar kurrë një bashkim monetar që prodhon një monedhë fiat (e pagarantuar me kundërvlerë), e përbërë nga shtete të pavarura. Ka patur bashkime bazuar te ari apo argjendi, por jo në një monedhë fiat, pasi kjo e fundit ka tendencë të inflacionohet politikisht nga shtetet e pavarura,” – tha Friedman.

Megjithatë, euro sot ekziston. Dështimi i saj qe i padëshiruar edhe nga vetë Friedman, i cili nuk besonte. Problemi i euros duket se qëndron te fakti i thjeshtë që qeveritë e pavarura nuk i respektojnë rregullat bazë, deficit buxhetor vjetor nën 3 për qind dhe borxh publik nën 60 për qind. Vetë krijimi i euros kishte një mëkat fillestar, pasi pranoi Italinë dhe Greqinë me borxhe publike më të larta se sa maksimumi i lejuar.

Por çfarëdo që të ketë ndodhur më herët, Europa sheh nga e ardhmja. Euro është një fakt dhe pyetja është se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Aktualisht sugjerohet që Greqia dhe vendet e tjera në vështirësi duhet të ulin shpenzimet publike, rrjedhimisht të ulin pagat dhe çmimet në ekonomitë e tyre. Në rast se del me sukses, kjo metodë do të rrisë eksportet e tyre. Vendet e pasura të Eurozonës dhe FMN-ja do të blejnë përkohësisht borxhet e vendeve në vështirësi, deri sa këto të fundit të jenë në gjendje të eksportojnë, rrjedhimisht fitojnë para. Në rast se kjo dështon, Banka Qëndrore Europiane mund të detyrohet të prodhojë euro dhe t’i përdorë për të blerë borxhet e Italisë. Në këtë rast, borxhet e vendeve të padisiplinuara do të paguhen nga të gjithë banorët e eurozonës njëherësh.

Përgatiti: Gjergj Erebara

Kriza në Origjinë është një rubrikë e përditshme e “Shqip” për shpjegimin e krizës aktuale botërore. Do të publikohet çdo ditë te faqja e ekonomisë. Tema për 3 dhjetor: “Euro, një xhaketë që duhet ta veshin të gjithë”.

You may also like...