Kriza në origjinë: Euro, një monedhë e vlefshme për pleqtë, e rrezikshme për të rinjtë

Demografia konsiderohet një forcë që e jep goditjen me vonesë, por që kundrejt saj, vështirë se ka ndonjë rrugë shpëtimi. Demografia si një diferencë që pengoi mirëfunksionimin e euros u eksplorua fillimisht nga një bloger me emrin Edward Hugh, një britanik që jetonte me pagën e tij si pedagog me orë të shkurtuara, i cili e mësoi ekonominë jashtë kornizave akademike dhe sot konsiderohet si një analist i respektuar. Ai parashikoi prej kohësh defektet e euros të shkaktuara nga dallimet e mëdha demografike mes Gjermanisë e Francës në njërën anë dhe Greqisë, Spanjës, Irlandës dhe vendeve të tjera në krahun tjetër.

Argumenti i tij është i thjeshtë: Gjermania e ka moshën mesatare 45 vjeç. Shumica e popullatës ka vite që mendon për pensionin, gjë që krijon një shoqëri të prirur nga kursimi. Është ndryshe Greqia apo Spanja, ku popullata është e re dhe gjatë dekadës së fundit ka patur më shumë interes të blejë makinë, të blejë shtëpi dhe të shijojë jetën. Në kushtet e tregut që vetërregullohet, Gjermania me kursime të larta do të kishte interesa të ulëta dhe Greqia me huamarrje të lartë duhej të kishte interesa të larta. Por kjo gjë nuk ndodhi sepse kredimarrësit grekë përdorën kursimet e gjermanëve, të cilat ishin të lira.

“Kush qe shkaku që këto vende nuk konvergjuan në një mesatare me vendet e tjera të Europës,” – pyet veten Hugh. “Është për shkak të demografisë. Ndërsa popullata plaket, ka gjithnjë e më pak njerëz në moshën 20-40 vjeç të interesuar për të blerë shtëpi, kështu që ata kursejnë më shumë. Vendet me popullatë më të re janë më më të interesuar për kredimarrje.”

Kombinimi i një popullate të re me interesa të ulëta sjell rritje të shpejtë të çmimit të shtëpive, gjë që shkakton edhe fluskat ekonomike që shpërthyen në vitin 2009. Pagat u rritën, gjë që nxiti shpenzime edhe më të mëdha dhe që e bëri edhe më të vështirë për industritë e këtyre vendeve për të konkurruar me kursimtarët gjermanë apo hollandezë.

Ekujlibri demografik në Europë konsiderohet shpesh si një katastrofë. Në shumë vende, tashmë prej dekadash ka më pak se 1.5 fëmijë për nënë. Modeli aktual i botës është që minimalisht gjysma e popullsisë duhet të punojë për të mbajtur gjysmën tjetër që përbëhet nga fëmijë dhe të moshuar. Kjo nënkupton që dy prindër të rrisin së paku dy fëmijë. Në rast se rrisin vetëm një, siç po bën shumica e Eurpianëve sot, atëhere ky fëmijë do të duhet të punojë sa për dy për të mbajtur prindërit e vet kur këta të fundit të dalin në pension.

Përgatiti: Gjergj Erebara

Kriza në Origjinë është një rubrikë e përditshme e “Shqip” për shpjegimin e krizës aktuale botërore.

You may also like...