Kromi i Bulqizës, luftë nervash mes sindikatës dhe kompanisë koncesionare

Hidhet ideja për të shitur rezervat e kromit për të paguar rrogat

Gjergj Erebara, Bulqizë

Të punësuarit e asaj pjese të kompleksit minerar të Bulqizës, që punojnë për kompaninë “Albanian Chrome”, përbëjnë pjesën më të madhe të të punësuarve në këtë kompleks minerar ku zyrtarisht punojnë 26 kompani, ndërsa jozyrtarisht askush nuk e di me siguri. Të 700 minatorët e ACR-së mbyllën dje ditën e 37 të grevës. Shumë prej tyre e kanë të paqartë se çfarë po ndodh dhe nuk janë të informuar se ku e pse janë bllokuar negociatat me punëdhënësit. Trembëdhjetë prej tyre gjenden në një grevë urie nëntokë, ndërsa disa dhjetëra të tjerë qëndrojnë vazhdimisht në hyrje të galerisë në mbështetje të atyre që janë nëntokë. Pas sulmimit të zyrave të administratës nga disa sindikalistë, kompania e ka ulur në minimum praninë e zyrtarëve të vet në terren.

“Unë mendoj që greva është e drejtë dhe duhej të ishte organizuar më parë”, thotë Ferat Kurti, një prej punonjësve të sistemit të ajrimit të minierës, ndërsa qëndron në qendër të qytezës së Bulqizës. “Unë nuk kuptoj dot asgjë”, thotë ai, i pyetur se çfarë po ndodh aktualisht. Megjithëse e mbështet grevën, Ferati thotë se sindikata që ka organizuar grevën, një grupim i njohur në mënyrë informale si “sindikata e majtë”, është në fakt “e vetëzgjedhur.” Por kjo fjalë mjafton që një grup i konsiderueshëm njerëzish ta sulmojnë. “Ky është dizinformim”, thotë njëri prej tyre. “Ti do të na sjellësh sërish sindikatën e Gëzim Kalasë”, shton ai. Një tjetër bllokon lenten e aparatit fotografik dhe na urdhëron të mos bëjmë fotografi. Na sugjerojnë të shkojmë të flasim me minatorët që gjenden në hyrje të galerisë së grevës së urisë. Sindikata e Gëzim Kalasë është një grupim tjetër i njohur si “sindikata e djathtë”.

Minatorët e Bulqizës, si të gjithë shqiptarët, janë plot dilema politike. Disa prej tyre dyshojnë te sindikatat që organizuan grevën, por nuk kanë dëshirë t’i shprehin qëndrimet e veta publikisht për shkak se akuzohen menjëherë për “grevëthyes” dhe “të korruptuar nga pronarët”. Të tjerë kanë frikë se grevistët kanë një axhendë të fshehur politike.

Taf Koleci, një prej sindikalistëve që ka organizuar grevën, e argumenton në mënyrë të shkëlqyer kauzën e vet.

“Kërkesa jonë kryesore është që në minierë të ketë investime. Në qoftë se nuk ka investime për të hapur një pus të ri në thellësi, atëherë miniera e ka jetën e shkurtër. Koncesionarët kanë dhjetë vjet që shfrytëzojnë atë pjesë minerali që gjendet lehtë”, thotë ai.

Sipas minatorëve, kompania ka katër vjet që ka nisur ndërtimin e dusheve dhe gardërobës, por nuk e ka përfunduar ende.

Ky është realiteti i të gjithë industrisë minerare të Shqipërisë. Që nga kriza e madhe e viteve ’80, shfrytëzimi i resurseve të kromit i ka dhënë prioritet fitimit të shpejtë të parave dhe jo jetëgjatësisë.

“Kërkuam një rritje pagash prej 20 për qind, por tani komisioni i grevës mendon se edhe 40 për qind është e realizueshme”, thotë Koleci duke treguar aftësi të jashtëzakonshme negocimi në kushtet e mungesës së konkurrencës. ACR nuk ka se ku të gjejë punëtorë të tjerë dhe sindikata mund të rrisë kërkesën për sa kohë kompania e mban. E njëjta metodë negocimi u përdor me sukses në fund të vitit 2009, kur sindikata kërkoi fillimisht 30 për qind rritje pagash, e më pas arriti të marrë 50 për qind.

Por duket se ka një element që po ecën në dëm të aftësive negociuese të sindikatës. Ky është elementi kohë. Minatorët kanë tashmë 37 ditë në grevë dhe kompania nuk ka ndër mend t’u japë paga për ditët e grevës. Data e rrogave është duke u afruar. Disa prej minatorëve po mendojnë të shesin rezervat e kromit të akumuluar në sheshin para minierës, në mënyrë që të shpërndajnë pagat e muajit.

 

Negociatat

Bisedimet mes kompanisë dhe minatorëve, kanë ngecur jo aq shumë për mosmarrëveshje mbi kërkesat e minatorëve sesa për mosmarrëveshje mbi procedurat se si mund të arrihet në një marrëveshje. ACR thotë se nuk dëshiron të negociojë me dy sindikalistët, Kol Nikolla dhe Taf Koleci dhe sipas administratorit Giga Bedineishvilli, ky është një kusht i panegociueshëm. Kompania thotë se sindikata ka organizuar bastisjen e zyrave të saj në Bulqizë e ka keqtrajtuar një zyrtar të sajin. Ajo ka bërë një denoncim penal. ACR kërkon gjithashtu që bisedimet të kryhen në një ambient “të qetë”, që sipas Bedineishvillit, nënkupton një vend të ndryshëm nga Bulqiza. Kompania ndihet jokomode në një ambient ku zyrtarët e saj janë sulmuar dhe zyrat e saj janë thyer.

Koleci, nga ana e tij, thotë se Bedineishvilli i braktisi bisedimet e përcaktuara për pak ditë më parë, pasi u bë tapë në një lokal në Qafën e Buallit. Administratori i kundërpërgjigjet duke thënë se kjo gjë nuk është e vërtetë. ACR ofroi gjithashtu Tiranën dhe Peshkopinë si vende alternative takimi përveç Bulqizës. Negociatat janë veçanërisht të vështira për shkak të mungesës së një ndërmjetësi. “Ne nuk kemi komunikim formal me kompaninë. Aktualisht komunikojmë përmes medias”, thotë Koleci.

Ndërmjetësi është i vështirë për t’u gjetur në një ambient ku konkurrenca për kontrollin e burimeve të kromit ka shkaktuar përplasje të armatosura herë pas here.

“Qeveria është në tërësi e korruptuar”, përgjigjet Koleci pasi pyetet nëse Ministria e Ekonomisë mund të ndërmjetësojë mes kompanisë dhe minatorëve.

Vetë Ministria e Ekonomisë ka pasur një sjellje të çuditshme në lidhje me grevën. Javën e kaluar deklaroi se e ka gjobitur kompaninë ACR me 56 milionë lekë, por rezultoi se bëhej fjalë për 5.6 milionë lekë nominale. Reparti i Shpëtimit të Minierave inspektoi minierën dhe e deklaroi atë të pasigurt, gjë që u interpretua si një fazë e parë drejt ndërhyrjes së qeverisë për t’i dhënë fund grevës. Koleci thotë se “miniera është e sigurt”. Punëtorët e mirëmbajtjes, janë në punë, pavarësisht se nuk i kanë marrë pagat.

 

Prodhuesit e vegjël

Kamionët e kromit vijojnë të dalin nga Bulqiza

 

Ndërsa minatorët e kompanisë ACR gjenden në grevë, kamionët e ngarkuar deri në majë me krom vijojnë të transportojnë mineralin më të rëndësishëm të Shqipërisë nëpër Qafën e Buallit në drejtim të Elbasanit apo Portit të Durrësit.

Në kompleksin minerar të Bulqizës aktualisht punojnë zyrtarisht 26 kompani të ndryshme, të cilat kanë nga 10, 20 apo më shumë minatorë dhe vijojnë të nxjerrin krom. Këta prodhues të vegjël, ku kanë ndodhur edhe pjesa më e madhe e aksidenteve fatale në punë gjatë viteve të shkuara, nuk kanë grevë. Prodhimi aty vijon duke përfituar edhe nga një rritje e kërkesës si pasojë e bllokimit të minierës më të madhe nga greva. Vijojnë punën në të njëjtën kohë edhe tregtarët piratë, të cilët punësojnë njerëz me mëditje për të grumbulluar krom nga malet me materiale që para kohës së komunizmit u hodh nëpër shpate.

Të varfrit grumbullojnë krom familjarisht duke kërkuar nëpër këto male, pjesë minerali të pasur që ka shpëtuar nga seleksionimi paraprak. Pagesa e tyre varion nga 3 mijë në 7 apo 8 mijë lekë për ton krom të mbledhur. Shpesh, në luftën e ashpër për kontrollin e burimeve, policë nga Tirana janë marrë për të përzënë të varfrit që kërkojnë krom, si pasojë e ndërhyrjeve të kompanive zyrtare apo gjysmëzyrtare.

Një pjesë e kromit eksportohet për në Kinë nga Durrësi, por një pjesë tjetër blihet nga ACR, e cila e kthen në Ferokrom në impiantin e saj në Elbasan, gjë që ia rrit ndjeshëm vlerën. Shqipëria ka burime të tjera kromi në Kukës dhe Tropojë, por këto burime japin mineral jo aq të pasur sa Bulqiza, i cili është një burim i rrallë në botë, pasi ka përmbajtje kromi 30-45 për qind, ndërsa në të ashtuquajturën zona D, nxirret mineral me përmbajtje 55 për qind. Gj. Erebara

You may also like...