Kthimi i Marksit, klasa punëtore botërore po bashkohet

 Me rritjen e vendeve në zhvillim, hendeku botëror në të ardhura po zvogëlohet ndërsa njerëzimi bashkohet përmes teknologjisë. Por a do të krijojë kjo një “proletariat botëror” sipas parashikimit apokaliptik të Marksit?

 Charles Kenny, Foreign Policy

Grave of Karl Marx Highgate Cemetery in London 2016 10Mbishkrimi mbi gurin e varrit të Karl Marksit në Londër është: “Punëtorë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” Natyrisht që nuk ndodhi këtu. Sado zhurmë që shkaktoi lëvizja botërore Pushto (Oçupy), ajo zgjati vetëm pak muaj dhe tashmë heshtja është e plotë. Nuk ndodh shpesh që të dëgjosh që punëtorët e fabrikave në Detroit po ngrenë  një kauzë të përbashkët me kolegët e tyre kinezë për t’i bërë ballë pronarit. Në të vërtetë, kompanitë gjigande shumëkombëshe kanë ngrënë fuqinë negociuese të punonjësve ndërsa punëtorët e fabrikave të botës së pasur janë bërë disa nga punëtorët më të painteresuar për të ndihmuar kolegët e tyre nëpër vendet e varfra.

Por ka një shkollë mendimi – dhe, jo, nuk është vetëm për profesorët trockistë të mbetur te Shkolla e Re – që parashohin një lloj klase botërore politike që po kthehet. Nëse është kështu, mund të jetë koha që elitat botërore të fillojnë të dridhen. Me siguri, kjo nuk tingëllon aq kërcënuese sa qe thirrja origjinale për luftë, por është një spektër i ri që shpejt mund të jetë duke gjuajtur për 1 për qindëshin e pasur të botës: ky është aktivizmi i shtresës së mesme.

Karl Marksi kishte një logjikë apokaliptike për luftën e klasave. Beteja e masës së gjerë të punëtorëve kundër numrit të vogël të plutokratëve kishte një rezultat të pashmangshëm: klasa punëtore 1, të pasurit 0. Marksi argumentonte se impulsi proletar revolucionar qe në themel mbarëbotëror – se klasat punëtore do të bashkoheshin në të gjitha vendet dhe përtej oqeaneve nga eksperienca e tyre e përbashkët e varfërisë shtypëse dhe jeta e pashpirt e fabrikës. Në kohën kur Marksi po shkruante, ideja që njerëzit e varfër qenë pak a shumë të ngjashmë në të gjitha vendet – ose së paku do të bëheshin të ngjashëm shpejt – qe një mendim i logjikshëm.

Sipas ekonomistit të Bankës Botërore Branko Milanovic, kur Manifesti i Komunizmit u shkrua më 1848, shumica e pabarazisë në të ardhura në nivel global udhëhiqej nga diferencat klasore brenda vendeve. Megjithëse disa vende qenë dukshëm më të pasura se të tjerat, ajo që vlente si e ardhur për ta bërë një njeri të pasur apo për ta dënuar me varfëri në Angli qe njësoj e vlefshme në Francë, në Shtetet e Bashkuara, madje edhe në Argjentinë.

Por ndërsa Revolucioni Industrial fitoi shpejtësi, barazia ndryshoi në mënyrë dramatike përgjatë shekullit që pasoi. Njëra prej arsyeve të parashikimeve të Marksit për revolucion global proletariati rezultoi se qe e gabuar. Vetëm pak vite pas Manifestit të Komunizmit, pagat për punëtorët në Britani filluan të rriten. Tendenca u shtri në pjesën tjetër të Europës dhe në Amerikën e Veriut. Bota hyri në një periudhë që ekonomisti i Harvardit Lant Pritchett me elegancë e quajti “divergjenca, koha e madhe”.

Të dhënat e projektit Maddison për statistikat historike sugjerojnë se prodhimi i brendshëm bruto më 1870 (me dollarë të vitit 1990 të axhustuar sipas fuqisë blerëse) qe rreth 3,190 dollarë në Britani, në krahasim me mesataren e Afrikës që qe 648 dollarë. Nëse i njëjri krahasim bëhet për Britaninë më 2010, atëherë PBB për frymë del 23,777 dollarë ndërsa mesatarja e Afrikës, 2,034 dollarë.

Njëqind e dyzet vjet më parë, Afrikanët mesatarisht kishin të ardhura sa një e pesta e britanikëve. Sot ato kanë më pak se një të dhjetën.

Megjithëse shumë amerikanë janë mërzitur nga pagat e inflacionuara deri në absurd për bankierët, faktet e forta ekonomike nuk janë parë me vëmendje: ndërsa Perëndimi filloi rritjen e vet të qëndrueshme, hendeku në të ardhura mes vendeve filloi të zëvendësojë hendekun në të ardhura brenda vendeve.

Kjo do të thotë se një punëtore shërbyese në Londër mund të jetë ende në vështirësi për të plotësuar nevojat e veta, por nëse e dërgojmë atë në Lagos, ajo do të jetojë si mbretëreshë. Nëse ndjeheni keq për bonuset e larta të bankierëve, kini parasysh këtë fakt: Milanovic vlerëson se të ardhurat mesatare për 5 për qind të popullsisë më të pasur në Indi, është e barabartë me të ardhurat mesatare të 5 për qindëshit më të varfër në Shtetet e Bashkuara.

Njësoj si bankat dhe multinacionalet, pasuria dhe varfëria tashmë janë të globalizuara. Punonjësit më të ulët të bashkive në Europë dhe në SHBA janë shumë më të pasur se sa homologët e tyre në vendet në zhvillim dhe ato janë shumë më mirë se sa shumica e njerëzve në vendet në zhvillim që vijojnë të mbijetojnë me të ardhurat e fermave të vogla apo bizneseve mikro.

Na vjen keq Karl: fakti i thjeshtë se të varfrit në Europë dhe Amerikë kanë të ardhurat e asaj që përbën elitën në standardet e Azisë së Jugut dhe Afrikës, është arsyeja se pse punëtorët e të gjitha vendeve nuk janë bashkuar.

Kongresi i dytë i Internacionales Komuniste më 1920, dënoi atë që shihej si tradhti nga shumë socialistë Europianë dhe Amerikanë gjatë luftës së Parë Botërore, të cilët “përdorën mbrojtjen e atdheut për të fshehur të drejtat e borgjezive të tyre dhe për të skllavëruar kolonitë e tyre.”

Përfaqësuesit e mbledhur argumentuan se mosbesimi i gjeneruar duhet të “shkulet me rrënjë pasi imperializmi të jetë shkatërruar në vendet e zhvilluara dhe pasi e gjithë baza e jetës ekonomike të vendeve të prapambetura të jetë transformuar në mënyrë radikale.”

Megjithatë e gjitha kjo mund të ndryshojë shpejt. Globalizimi mund të shihet si fjala kyçe e viteve 1990, por është ende një punë në progres. Ndërsa tregjet botërore të ndërlidhura bëhen gjithnjë e më të ndërlidhura, të ardhurat mesatare po përafrohen. Gjatë dhjetë viteve të fundit është parë se vendet në zhvillim rritjen shumë më shpejt se sa vendet e pasura, duke zvogëluar hendekun në të ardhurat mesatare. Ekonomisti Arvind Subramanian vlerëson se Kina më 2030 do të jetë po aq i pasur sa i gjithë Bashkimi Europian sot dhe se Brazili nuk do të jetë shumë pas, duke u aftuar te PBB për frymë në rreth 31 mijë dollarë. Indonezia, mendon ai, do të shohë PBB për frymë prej rreth 23 mijë dollarësh, po aq sa ka sot Koreja e Jugut.

E thënë thjeshtë, kjo do të thotë se brenda hapësirës së një gjenerate, një pjesë e madhe e botës së shpejti do të jetë e pasur, ose së paku shtresë e mesme solide. Sipas parashikimeve që unë kam zhvilluar me kolegen time Sarah Dykstra në Qendrën për Zhvillimin Global, rreth 16 për qind e popullsisë së Tokës jeton në vende mjaftueshëm të pasura për t’u cilësuar si “të pasur” nga standardet e Bankës Botërore. Nëse normat e rritjes ekonomike vijojnë siç kanë qenë në të shkuarën, 41 për qind e popullatës së botës do ta gjejë veten te fasha e të ardhurave të larta më 2030.

Shkurt, nëse vendet në zhvillim vijojnë të rriten me normat që kemi parë së fundmi, pabarazia mes vendeve do të ngushtohet – dhe pabarazia brenda vendeve do të kthehet si burimi dominues i pabarazisë së botës.

A do të thotë se Marksi kishte të drejtë – vetëm se me gati dy shekuj gabim? Jo!

Realiteti është se klasa e re e mesme do të ketë jetë të cilat klasa punëtore e epokës Viktoriane në Britani vetëm sa mund ta ëndërronte. Ata do të punojnë nëpër fabrika moderne dhe zyra në vend që të punojnë nëpër punishte të errëta si ferr. Dhe ata do të jetojnë gati 40 vjet më gjatë se sa mesatarja e njerëzve më 1848 bazuar te jetëgjatësia e pritshme në lindje. Por a do të ndajnë ata një kauzë të përbashkët me punonjësit e fabrikave përtej oqeanit?

Ndoshta, por kjo jo për shkak se barrikada është opsioni i vetëm. Marksi parashikoi se klasa punëtore botërore do të bashkohet dhe do të revoltohet për shkak se pagat gjithkund do të shtyhen drejt kufirit të mbijetesës. Por ndërsa pagat rriten dhe barazohen nëpër botë, vuajtjet e proletariatit – puna e rëndë, pagesat e ulëta – sot më shumë se kurrë po zëvendësohen me paga më të mira e punë më të lehtë. Dhe kjo po nxjerr qindramilionë njerëz, vetëm në Kinë, jashtë nivelit të varfërisë. Dukshëm revolucionet komuniste të gjysmës së parë të shekulit të njëzet dolën shumë më të këqija sa i përket standardeve të jetesës se sa tregjet e mirërregulluara të gjysmës së dytë.

Por kjo nuk do të thotë se Uorren Bufet (Ëarren Buffett) duhet të marrë frymë i lehtësuar. Në fakt, është pikërisht për shkak se të pasurit dhe të varfrit do të dukej njësoj si në Londër ashtu edhe në Lagos arsyeja se pse punëtorët e botës më 2030 do të bashkohen.

Ndërsa teknologjia dhe niveli i tregtisë po e sjell njerëzimin më afër dhe më shumë bashkë, punëtorët e botës, që parashikohet të jenë rreth 3.5 miliardë, në fund mund të kuptojnë se sa shumë gjëra kanë të përbashkëta me njërit-tjetrin dhe sa të ndryshëm janë në krahasim me elitat super të pasura në vendet përkatëse.

Ata do t’i bëjnë presion qeverive që të bashkëpunojnë për t’u siguruar që djersa dhe gjaku i tyre nuk do të pasurojë me tepri elitën botërore kapitaliste por do të shpërndahet në mënyrë më të barabartë.

Ata do të punojnë për të mbyllur parajsat fiskale ku plutokratët e botës fshehin të ardhurat e tyre dhe do të kërkojnë traktate për të shmangur “garën drejt zeros” në lehtësimin e rregullave të punës dhe nivelit të taksave që zakonisht sot dizenjohen për të tërhequr kompani dhe investime.

Ata do të cysin qeveritë për t’u siguriar që nuk do të jenë vetëm më të pasurit e botës ata që përfitojnë nga stili global i jetesës – duke kërkuar hapjen dhe lëvizjen e lirë të punës jo vetëm brenda vendeve por edhe në rang botëror.

Dukshëm nuk është tamam një revolucion proletariati. Por sërish, klasa e mesme nuk ka qenë kurrë mes revolucionarëve më të egër – ka qenë gjithmonë mes revolucionarëve më efektivë. Dekada e ardhshme nuk do të jetë aq shumë të shohës politikë ku të varfrit e dëshpëruar sulmojnë plutokratët por ku shtresa e mesme e kryen këtë punë. Në fund fantazma e Karlit gjithsesi mund të buzëqeshë.

 

You may also like...