Kulmi! Orë të tëra debatesh jobuxhetore… por jo tamam, ka edhe më keq
Dy ditë dhe netë debatesh të ndërprera vetëm për të fjetur gjumë debutuesit, u transmetuan live në dhjetëra televizione, në dhjetëra lajme gazetash, po mbyllen me diskutime pa fund që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me projektligjet për buxhetet dhe ndryshimet fiskale. Në këtë maratonë ku deputetët garuan për të kapur vëmendjen e publikut me lloj lloj absurditetesh dhe që në orët e vona të ditës së hënë konkurruan bindshëm me kanalet pornografike, vetëm se pa kod kontrolli prindëror, u fol për koqe, bythë, burrëri, (mungoi ndjeshëm elementi femër, gjë që qe për të ardhur keq), por kurrsesi për taksa, tatime e buxhet.
Nuk është tamam kulmi! Në fund fare, debati teorikisht duhej të shoshiste çështje të rëndësishme kombëtare, borxhi publik, rritjen e taksave, menaxhimin e deficitit buxhetor, pasojat në jetët e njerëzve. Sido që të rëndësishme, një buxhet shteti apo një ndryshim taksash nuk sjell as parajsë e as ferr. Sjell diçka të mesme, të mërzitshme edhe për ata që i kanë qejf statistikat. Ca javë më parë, i njëjti debat u zhvillua me forcë të paepur në parlament, por në atë rast po diskutohej një gjë edhe më e parëndësishme. Po miratohej buxheti faktik i vitit 2012. Buxheti faktik është një si tip raporti që qeveria ia dërgon parlamentit për ta informuar se në vitin paraardhës ka patur kaq të ardhura e aq shpenzime. Ky akt është krejtësisht i parëndësishëm nga pikëpamja praktike. Por deputetët tanë nuk lënë asnjë rast për t’i shpëtuar për të ofruar spektaklin e tyre. Dhe ajo çfarë thonë, nuk ka asnjë lidhje me atë që po miratohet.
Debati parlamentar i ditëve të fundit i tregoi edhe një herë shqiptarëve se si ligjvënësit e tyre përpiqen t’i shpëlajnë trurin duke përdorur çdo mjet të mundshëm në dispozicion. Dhe media për fat të keq na demonstroi me rëndësinë që i dha këtij spektakli, se në shumicën dërrmuese nuk ka ndonjë funksion real në shoqërinë shqiptare. Duke raportuar pa fund çfarë flitet në parlament, por pa marrë mundimin për të shtuar një rresht për të thënë se gjuha shumëkuptimëshe me bythë dhe koqe nuk ka lidhje me buxhetin e shtetit apo taksat e reja, ajo është kthyer në një farë zyre për marrëdhënie publike. Para do vitesh, dikush tha me të drejtë se televizionet në Shqipëri janë bërë Facebook për politikanë. Tani që kemi edhe politikanët në FCB dhe që parlamenti ka hapur Live Stream, nuk kemi nevojë reale për televizione. Dhe për sa kohë, gazetat nuk do të thonë se koqet dhe bythët nuk kanë lidhje me projektbuxhetin, nuk është se kemi nevojë as për to.
Vetëm se ky spektakël parlamentar sheh veten dhe beson në mënyrë të rrejshme se i gjithë populli po e ndjek me ankth se çfarë i tha aksh deputet aksh deputeti, si luajti ai me stereotipet popullore, si ia tha me kunj por pa ia thënë. Në fakt shqiptarët vijojnë jetën e tyre normale, me të mirat e të këqijat e krizës.
Secili ndjek rutinën e vet dhe të gjithë duken normalë. Shumë shpejt, ligjvënësit tanë do të na mblidhen në sallën e kuvendit me besimin se e gjithë bota është e çmendur me përjashtim të tyre. Në fakt është e kundërta. E gjithë bota është normale me përjashtim të tyre.