Kur populli është i vetëm

 

Xhabyni

Përpos Papës në botë ekziston edhe një tjetër person i cili flet ex cathedra ky është kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndryshe flet nga selia e partisë dhe ndryshe vepron nga zyra e Bashkisë Tiranë. Kësisoj kur Basha ndodhet në zyrën e partisë ai flet për një qeveri oligarkësh, mafiozësh, hajdutësh që punojnë në kurriz të popullit dhe për interesat e tyre klienteliste.  Madje ai një nga arsyet se përse i ka ndërprerë shpesh marrëdhëniet me parlamentin gjenden pikërisht tek këto forma të mazhorancës për të qeverisur.Nga protesta e sotme para Prefektures

Të vjen çudi ama kur sheh se si kryetari i opozitës i zënë kaq shumë në luftën për një qeveri të drejtë dhe kundër shtypjes së popullit, merr një vendim arbitrar për të larguar disa tregtarë nga Uzina Dinamo. Akoma dhe më e çuditshme bëhet ky bashkëpunim me oligarkët e pushtetit kur fjala vjen Prefektura e Tiranës ka muaj që ka bllokuar zgjerimin e bulevardit. Si mundet vallë që bashkia dhe prefektura të bien dakord për një çështje të tillë ndërkohë që për situata më sensitive ato as nuk denjojnë të ulen në tavolinë?

Të mendosh që bashkia dhe prefektura janë bashkuar për hir të qytetarëve se tregu na qenka një nga tregjet më të pista të vendit e ka rrezik për qytetarët, nuk më duket një argumentim i fortë. Së pari, as bashkia dhe as prefektura nuk po kërkojnë që ta restaurojnë tregun dhe për këtë po i kërkojnë tregtarëve të zhvendosen derisa ai të rregullohet. Së dyti, në Tiranë shitet në gjendje më të mjerueshme tek Pazari i Ri, rruga Fortuzi e kështu me radhë. Kushtet higjienike të këtyre tregjeve janë më të rënduara se sa Tregu Dinamo. Së treti, përflitet se një nga deputetët e parlamentit po tenton të hapë një mega market me agroushqimor e duke e parë tregtarët e tregut Dinamo si konkurrentë ato po e mbyllin atë.  Së katërti, më duket e habitshme që Bashkia e Tiranës, që përpara disa viteve ka investuar në këtë treg e që kjo zonë nuk është përcaktuar si zonë ndërtimi të dalë për largimin e këtyre tregtarëve.

Po të pyesësh tregtarët përflitet që një nga ministrat e LSI-së, po përpiqen që të monopolizojnë të gjithë produktet agroushqimore dhe ato blegtorale. Duke përdorur metodologjinë e ushqimit të shëndetshëm ato po u marrin dhe atë pak mënyrë jetese qytetarëve duke monopolizuar tregun e duke e dërguar konkurrencën drejt vdekjes.

Pra këtu kemi të bëjmë me një rast tërësisht oligarkësh. Një rast që fjala vjen opozita duhet ta kishte si emblemë të luftës së saj kundër oligarkisë që reciton aq bukur në çdo dalje për shtyp. Por kësaj radhe opozita, pra bashkia, nuk është më opozitë por pjesë e oligarkisë. Ajo bashkë me pushtetin qendror po bashkëpunojnë që t’i hedhin mes katër rrugëve tregtarët dhe po ashtu po punojnë kundër interesave të qytetarëve. Madje këto tregtarë kanë paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Nëse kjo është e vërtetë ngrihen dy pyetje kryesore për opozitën (sepse mazhoranca dukshëm nuk i intereson halli i këtyre tregtarëve).

Si ka mundësi që opozita që akuzon për oligarkë mazhorancën e sotme, që punon kundër interesit të qytetarëve bashkëpunon me këto të fundit kundër interesit të qytetarëve? Si ka mundësi z. Basha i cili po mban konferenca për të na treguar dështimet e qeverisë bashkëpunon me këtë qeveri në vendime arbitrare kur ulet në kolltukun e kryetarit të Bashkisë?

Sa më sipër tregojnë një përgjigje të qartë për atë që do të shohë. Për interesat e tyre personale z. Basha harron se kush janë oligarkët dhe bashkëpunon me to edhe kur këto janë kundër interesit të qytetarëve. Kjo dyfytyrësi si e mazhorancës edhe e opozitës tregon qartazi se sa fort të lidhur janë këto dy entitete me njëra tjetrën dhe se sa përzemër kanë kauzën e qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi.

You may also like...