Kur qytetarët janë Kurbani

Të ruash shtëpitë karakteristike të një qyteti është një detyrim jo vetëm ndaj të shkuarës por edhe një dëshmi për të ardhmen. Por, nëse kjo ruajtje e së shkuarës bëhet në kurriz të njerëzve atëherë historia dhe gjithçka tjetër nuk ka më vlerë.

Ditën e sotme disa qytetarë të Tiranës, kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese një padi ndaj qeverisë e cila me një akt arbitrar, sipas tyre, u ka ndaluar të zhvillojnë pronën.

Të kërkosh të mbrosh një zonë si logjikë duhet të investosh tek ajo zonë, kjo do të thotë që qeveria duhet të rialokojë fonde përmes të cilave duhet të restaurojë shtëpitë të cilat ka vendosur t’i mbrojë. Por, të ndalosh zhvillimin e pronës me arsyetimin se këto shtëpi janë monumente kulture dhe nga ana tjetër t’i lësh në degradim ato ndërtesa është më së paku padrejtësi.

Dikush nga banorët është shprehur që kjo zonë u kthye në monument kulture meqenëse aty ndodhet shtëpia ku është themeluar Partia Komuniste, të mendosh se e gjithë kjo është kryer për të mbrojtur shtëpinë e dashur të partisë, do të qe e vërtetë sikur ajo të kishte mbetur ashtu siç ka qenë në vitet e themelimit. Mirëpo, shtëpia e partisë, njësoj si partia, ka ruajtur karakteristikat e “bijve” të saj duke i hyrë rrugës së vështirë të metamorfozës duke u shndërruar në një vilë.

Atëherë ku qëndron lepuri? Për të kuptuar këtë duhet të kemi parasysh historikun politik në këtë vend. Sa herë që vendi ka shkuar pranë zgjedhjeve vendore apo qendrore përherë gjendet diçka për të cilën duhet të luftohet, kështu qeveria aktualisht ka gjetur një metodë përmes të cilës të vë në vështirësi premtimet e Bashës.

Ky i fundit edhe pse nuk ka bërë asgjë për Tiranën ka vendosur të bëjë propozimin e një Trami, i cili dukshëm është një karrem për të testuar nga njëra anë qeverinë dhe nga ana tjetër për të justifikuar mosplotësimin e këtij premtimi.

Ndërkohë që qeveria qendrore bën kurban qytetarët e një zone, të cilëve i detyron të jetojë në shtëpi që janë të pabanueshme për të mbushur kështu tekën apo hakmarrjen e një kryeministri. Si përherë kurban janë qytetarët, siç e dimë kur njeriu shtrëngohet në një cep dhe atje mbërthehet reagimi i tij është ekstrem, sido që të jetë vendimi i gjykatës.

Çfarë do të thotë kjo? E thjeshte, mjaftojmë të kujtojmë shtëpinë e ish prefektit Qazim Mulleti e cila u la të rrënohej duke qenë se qeveria dhe bashkia nuk begenisën që ta restauronin, të njëjtin fat do ta ndjekin dhe shtëpitë e këtyre banorëve. Arsyeja është e thjeshtë; nuk mund të jetosh nën një çati e cila sa herë që bie shi ke frikën se mos të bie mbi krye.

You may also like...