Laiciteti selektiv!

Mirëpo shkruesi i këtyre radhëve nuk i intereson asfare diskutimi nëse duhet apo jo të ngrihet një pemë, interesi në këtë shkrim është përse kemi një laicitet selektiv? Përse laikët nuk flasin parimisht edhe kur vjen fjala për ngjarje të tilla?!

Xhabyni

Rëndom në Shqipërinë e post-diktaturës termi “laik” apo “shtet laik” është përdorur në mënyrë selektive, duke përkëdhelur njërën palë dhe diskriminuar negativisht palën tjetër. Jo pak herë, shumica myslimane është akuzuar se po kalon caqet e laicitetit në një shtet laik. Ligjërues dhe shkrues të ndryshëm jo pak herë (sidomos në raste specifike) kanë mbajtur qëndrime të asaj që quhet “laicitet muskulor” kundrejt fenomenve sociale si përjashtimi i femrave me shami nga shkollat, kryerja e namazit të Bajramit dhe jo vetëm në sheshe publike e shumë fenomene të tjera. Qëndrim i cili në raste të riteve apo shenjave të tjera dalluese, të religjionit të Krishterë, nuk kanë patur këtë reagim në median e shkruar apo vizive. Përkundrazi në ligjërimet e analistëve, në rastin e dytë, kemi vërejtur një fenomen sociologjik të shtetit që është ai i “laicitetit anglo-sakson”.

Për të qenë më të qartë për lexuesin, më duhet që të ndërhyjë me një shpjegim të vogël se çfarë quajmë “laicitet muskulor” dhe “laicitet anglo-sakson”. Forma e parë e laicitetit quhet e tillë sepse tenton që të ndërtojë një shtet sa më larg të jetë e mundur nga religjioni, gjithashtu një shtet i tillë përpiqet që edhe fenë ta izolojë në mënyrë të tillë që ajo dhe ritet e saj të qëndrojnë sa më larg sferës publike. një shfaqje e tillë e laicitetit mund të gjendet në Francë. Ndërkohë që forma e dytë e laicitetit është ajo e modelit anglo-sakson, e cila nuk e ka edhe aq problematike qasjen e religjionit ndaj shoqërisë qoftë edhe në sferat publike të saj. Ndryshe nga forma e parë, ky lloj laiciteti përpiqet që të përqafojë vlera etike të caktuara fetare në të mirë të komunitetit.

Siç e citova në paragrafin e parë, në Shqipërinë tonë ka dy standarte gjykimi, kur vjen fjala për myslimanët ato janë përherë nën tutelën dhe nën llupën e laicizmit të modelit të parë. Ndërkohë që kur vjen fjala për të krishterët ky lloj laicizmi transformohet në një formë të atillë sa që hapësira publike duhet të dorëzohet me vetëdije të plotë.

Shembujt për të reflektuar këtë qasje të ligjërimit publik të laicitetit mbi këto dy grupe mundet të duken qartazi në reagimet që mundet të gjenden fjala vjen edhe kur myslimanët përdornin deri më dje sheshin Skëndërbej apo sot një pjesëz të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Reagime që flasin se një hapësirë publike, që i përket të gjithëve, nuk ka asnjë arsye që të zihet për orë të caktuara nga një grup besimtarësh. Argumentimi i cili rrotullohet rreth frymës së laicitetit të shtetit. Mirëpo megjithëse reagimin ndaj kryerjes së namazit për Bajramin e gjejmë në formën e një kritike për thyerjen e laicitetit, këtë reagim të ngjashëm nga laikët elitar nuk e vërejmë në rastin kur shteti me dorën e tij thyen laicitetin.

Sikurse, jemi mësuar tanimë në qendër të cilitdo qytet të vendit nga data 6 dhjetor e deri në 6 janar ngrihet një pemë që ironikisht nga disa persona quhet ende “Pema e Vitit të Ri”. Shkruaj ironikisht sepse në të vërtetë ajo pemë në të gjithë botën quhet “Pema e Krishtlindjeve”. Përpara se të zgjerohem më tej më duhet të kryej një sqarim të vogël në formën e një paranteze.

Në periudhën komuniste, pra gjatë formimit të njeriut të ri socialist, vendi i jonë me vendim kushtetute në vitin 1967 u shpall si “shteti i vetëm ateist në botë”. Kështu, të gjitha festat fetare ishin të ndaluara të kryheshin dhe të festoheshin, ndaj lindi nevoja për një festë e cila do t’i mblidhte të gjithë njerëzit meqënëse festa fetare nuk kishte më. Atëherë, festa e “Vitit të Ri” hyri në treg fuqishëm si një festë në të cilën haej, pihej dhe bëhej qejf me bollëk (natyrisht për atë kohë).Butaforia e kësaj feste u kompleksua me simbolikën e grabitur nga festa e Krishtlindjeve, kështu Bredhi i Krishtlindjeve dhe Plaku i Krishtlindjeve u shndërruan në Pemën e Vitit të Ri dhe Plakun e Vitit të Ri.Pema e Krishtlindjeve ne qender te Tiranes

Njëzet e gjashtë vjet pas rënies së komunizmit në kulturën tonë, pra në atë që ne u mësojmë fëmijve tanë në institucione shtetërore, është një miksim mes mbetjes së gënjeshtrës komuniste (meqë ende sot trashëgohet emërtimi “Pema e Vitit të Ri”) dhe asaj që praktikisht një laik parimor do ta quante “thyerje të laicitetit”. Akoma më tej, bashkitë e pjesës më të madhe të qyteteve të vendit ngrenë atë që është “Pema e Krishtlindjeve” në mes të qytetit me paratë e taksapaguesve që nuk janë vetëm të krishterë, duke abuzuar jo vetëm me parimin e barazisë por edhe me atë të laicitetit. Cilado qoftë arsyeja e këtij veprimi, qoftë edhe komercializmin apo edhe të dukurit perëndimor (pra, me u duk si bota!), ky mbetet një abuzim i parimit të shtetit laik.

Mirëpo shkruesi i këtyre radhëve nuk i intereson asfare diskutimi nëse duhet apo jo të ngrihet një pemë, interesi në këtë shkrim është përse kemi një laicitet selektiv? Përse laikët nuk flasin parimisht edhe kur vjen fjala për ngjarje të tilla?!

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet të kemi parasysh që qasja e intelektualëve edhe elitës tonë të rreme është më së paku kulturaliste. Sikundër e citon qartësisht në librin e tij “Arratisje nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja” studiuesi Enis Sulstarova por edhe publicisti Ervin Hatibi në shumë prej eseve të tij. Ligjërimi publik i elitës kulturore, ka si tendencë që të islamizojë apo ta bëjë sa më lindor (kij parasysh fjala vjen epitetet: anadollak, sulltan) kundërshtarin. Pjesë të kësaj elite natyrisht që janë përbërëse kryesore të “laicizmit muskulor” kur vjen fjala tek myslimanët ndërkohë që për besimet e tjera ky lloj laicizmi shndërrohet në anglo-sakson.

Atëherë problemi qëndron në raportin mes intelektualëve dhe myslimanëve, i cili buron në vizionin që elita ka ndaj këtyre të fundit. Për elitën tonë, qartazi një shumice të tyre, myslimanët përbëjnë një ngërç. Për shumicën prej tyre, myslimanët përbëjnë një pengesë që ne nuk na fut dot në Evropë e kjo pengesë artikulohet haptazi edhe nga politikanët e cilitdo kahu politik. Mjafton të kemi parasysh se çfarë tha Meta pak ditë pasi BE na refuzoi titullin e statusit kandidat. Pra tjetri mysliman është problemi dhe duke qenë i tillë (sidomos kur është femër e mbuluar) atëherë laiciteti duhet të jetë i shtrënguar dhe muskuloz. Mjafton të mendosh që Nënë Tereza nuk përbën thyerje të laicitetit nëse ndodhet brenda një shkolle apo kopshti por një studente me shami përbën problem, lëre pastaj të flasim për një mësuese të tillë në shkolla publike.

Përkthimi i këtij laiciteti musukuloz që e ka burimin tek paragjykimi ndaj Tjetrit dhe tek përpjekja për të nxjerrë edhe nga pleshti dhjamin e identitetit Europian, por edhe ky i fundit sipas një premise kulturore të gatuar kohë më parë në një Europë paranojake ndaj tjetrit dhe jo Europën e vlerave që tenton të përcjell sot.

Për ta mbyllur, megjithëse neve jemi gjithnjë e më pranë Evropës vazhdojmë të qëndrojmë gjithnjë e më larg vlerave që ajo përpiqet të rrezatojë. Ky laicitet i zvjerdhur i cili vihet në veprim vetëm kur “ata” janë në skenë dhe që futet në sirtarin e bashkëjetesës fetare kur “këto” hyjnë në skenë nuk i bën mirë as shoqërisë dhe as vlerave që një shoqëri e shëndetshme kultivon. E po kjo formë e zvjerdhur e laicitetit i shndërron myslimanët si ato dekorimet që ne i nxjerrim nga fundi i dollapit vetëm kur na vijnë miq nga shpia, thjesht për t’i treguar se sa larmi kemi!

You may also like...