Lajmet e ditës si nuk i keni parë kurrë, edicioni i mbrëmjes

Ruritania News Agency 11 Shtator 2013
Deputeti Sali Berisha u ndje shumë i bezdisur sot nga ideja që do t’i duhej të qëndronte në Kuvend për tre orë pa e hapur gojën. “Ku jam mësuar unë për të qëndruar pa fol?” shtroi ai pyetjen retorike para se të largohej. “Më mirë po shkoj po them ndonjë gjë në Facebook se më hanë duart”, (dhe goja) shtoi ai.

1237227_383283791798714_635639310_o“Mu për veten teme po m’shijon shumë karrigia e deputetit. Kisha tetë vjet pa u ul këtu,” tha Dash Shehi, i cili vijoi të qëndrojë në sallë.

Ndërsa lexonte programin e qeverisë së vet në Kuvend, kryeministri Edi Rama urdhëroi reformë të thellë në ndërtesën e kryeministrisë, zyra e tij e re. Si punë e parë, u hoq stema e 100 vjetorit të pavarësisë që qe harruar aty që nga viti i kaluar. “Ma hiqni sysh atë stemë katunarësh,” mësohet të ketë thënë Rama.

Me t’u hequr stema, shqiptarët e varfër që kaluan aty pari e harruan urinë, kriminelët ulën armët të frikësuar nga ndryshimi ndërsa mjekët u betuan se nuk do t’i rrjepin më pacientët që bien në dorë të tyre.

Tre të punësuarit në heqjen e stemës u mbajtën shënim nga ministri i mirëqënies si të parat vende pune të krijuara nga qeveria e re, e cila tashmë do të krijojë edhe 299,997 vende të tjera pune.

Media ish-opozitare reagoi shumë e zemëruar ndaj ish-qeverisë për veprimet e saj në sallën e kuvendit. Një komentator tha se nuk qe bërë fare pishman që e kishte rrëzuar nga pushteti Berishën. “Mirë ia bëmë qenit,” shtoi ai.

Vijojmë me lajme të tjera

Miley Cyrus doli lakuriq në një video të re shpërthyese.

Vladimir Putin e bindi botën se mënyra e vetme e vlefshme për të ndëshkuar një vrasës maniak, është t’i heqësh mundësinë që të kryejë vrasje masive.

“Në rast se Asadit i ndalohen armët kimike, ai do të detyrohet të vijojë të vrasë sirianët nga njëqind në ditë dhe jo nga njëmijë e dymijë. Kjo do ta luajë mendësh,” mësohet të ketë thënë Putin.

Ndonëse ka kaluar një vit e gjysmë që kur Rezart Taçi dorëzoi një garanci bankare të falsifikuar në tenderin për blerjen e Albpetrol, kryeprokurori Adriatik Llalla vendosi të kërkojë sot informacion nga banka që supozohet që e ka lëshuar këtë garanci me vlerë 85 milionë euro. “Qeveri e re, hesape të reja,” mësohet të ketë thënë Llalla.

Durim Gjojdeshi qe pranë punës që do ta rehatonte nga paratë për disa kohë, falë një kilogrami pluhur të bardhë që kushton në treg të hapur mbi 1 milionë dollarë, por një polic mësohet se ia hoqi shansin.

Fund

 

You may also like...