Legalizimet si skemë piramidale

Shqiptarët tashmë janë përballë një fakti të kryer. I ashtuquajturi proces legalizimesh të ndërtimeve pa leje me çmim toke disa dhjetëra herë më të lirë se tregu ka krijuar një skemë piramidale. Dhjetëramijëra shqiptarë paguan paratë me mendimin se po blinin tokë me çmim të lirë. Disa qindra, përgjithësisht biznese të fuqishme, firma ndërtimi me pallate e hotele, përfituan çertifikatën e pronësisë. Pjesa tjetër, shqiptarët e varfër që kanë ndërtuar pa leje në tokë të huaj deri tani nuk kanë marrë asgjë.

Skema funksionon pak a shumë kështu:

Në Shqipëri janë disa qindramijëra njerëz që kanë paguar 200,300 apo 400 mijë lekë të rinj si çmim për tokën. Një pjesë e tyre kanë paguar gjysmën me bono privatizimi, dmth jo me para reale. ALUIZNI i ka marrë këto para për të paguar pronarët e tokave të zëna me çmimin e tregut. DMTH nqs ata që shpresojnë se do të legalizohen kanë paguar 1, 2 apo 3 dollarë për metër katror, qeveria duhet t’u paguajë pronarëve 5, 10 apo 100 dollarë për metër katror.

Ata që kanë përfituar nga procesi i legalizimeve janë para së gjithash biznese. Pallate që kanë zënë tokën e komshiut duke dalë nga leja e ndërtimit, dhe së fundmi, siç u denoncua nga Partia Demokratike dhe nga ALUIZNI, hotel Diplomat. Këto përfitues të procesit të legalizimeve vështirë se mund të klasifikohen si të varfër. Ata kanë përdorur për të paguar tokën, paratë e mijëra të varfërve të tjerë, të cilët nuk janë legalizuar dhe as që ka ndonjë shans të legalizohen. Nuk ka shans të legalizohen për shkak se dikush do të duhet të paguajë tokën në të gjitha rastet kur ajo ka origjinë pronësie private. Dhe sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, qeveria nuk ka të drejtë të lëshojë certifikatë pronësie për një copë tokë pa paguar më parë pronarin.

Shkurt e thjeshtë, janë mbledhur para nga shumë nën premtimin e shitjes së tokës me çmim të lirë, ndërsa këto para janë përfituar nga bizneset, ata që janë në majë të piramidës së pushtetit shqiptar, kompani ndërtimi, biznese, hotele.

You may also like...