Letër tim biri në Ditën e Pavarësisë

001

I dashur Arni,

Sot është Dita e Pavarësisë, ditëlindja e vendit tonë. Ti sapo ke bërë vaksinën e parë. Po rrekem të të shpjegoj së ç’domethënie ka kjo ditë, përveç pushimit për prindërit, kurorave me lule dhe fishekzjarrëve. Kur ta kesh kuptuar rëndësinë e 40 burrave që firmosën Aktin e Pavarësisë do të jesh një adoleshent që lexon letërsi të mirë, dëgjon muzikë të arrirë e s’do ta kesh mendjen te këshillat e mia. Ndaj do të të duhet ta zbulosh vetë, siç na është dashur të gjithëve ne.

I dashur bir,

Shqipëria nuk është vendi i ndërtesës më të lartë në botë, njeriut të parë në hënë, vendi që ka zgjedhur një shqiptar nga trojet për president, dhe ku Skënderbeu i Korçës është kampion i padiskutueshëm në futboll (në fakt, kjo ka ngjarë 🙂 ).

Vendi ynë nuk është i përsosur. Në historinë tonë 102 vjeçare kemi bërë gabime, shumë madje. Kemi një histori ku disa grupe njerëzish i kemi trajtuar tmerrësisht keq, duke filluar pak a shumë që nga dita e parë e lindjes të Shqipërisë. Kemi zgjedhur disa udhëheqës shumë të këqij (pavarësisht se jemi shumë të polarizuar në këtë pikë) dhe brengat e vendimeve të tyre i vuajmë ende sot. Ne shqiptarët, gëlthasim shumë kur nuk kuptohemi, kurse kohët e fundit duket sikur gëlthasim për çdo gjë. Por e di çfarë? Ne vijojmë të përpiqemi.

I ndrituri im,

Kjo tokë e këta njerëz ishin këtu prej mijëvjeçarësh, shkruanin e bënin tregti shumë para popujve më të civilizuar të botës së sotme. Por ai momenti i lindjes së Shqipërisë, më 28 Nëntor, 1912, ishte i veçantë. Shqiptarë nga trojet nënshkruan dhe puthën flamurin për themelimin e një kombi me principe bashkimi, e jo ndarje. E në fakt sot, ndarje kemi.

E di cila është një ndër gjërat më të bukura të aktit të pavarësisë? Në atë copë letër të firmosur në anën e përparme nga 34 vetë e të në pasmen nga 6 të tjerë, asnjë nga nënshkruesit nuk ka shkruar titujt që mbante në Perandorinë Osmane. Kjo është ndërgjegjia e kulluar e atij vendimi historik. Por, kjo ndërgjegje e kristaltë ka ngelur vetëm “draft” i asaj që kemi bërë gjer sot duke e parcelizuar këtë komb e pushtetin që buron prej tij.

E sërish bir, vendi ynë është më i mirë se ç’e mban veten. Ja shiko këto njëqind e dy vite. Artistët, mendimtarët, shkrimtarët e kësaj toke vijojnë të “pushtojnë” botën sërish e sërish.

Biri im i ëmbël,

Shqipëria është një “punë në progres”. Nuk mund të themi ende “u kry”! Sa herë që mendojmë që jemi duke e bërë mirë punën tonë, na del që mund ta bëjmë edhe më mirë. Por na duhet ta përcaktojmë të gjithë bashkë se çdo të thotë “mirë”.  Pak a shumë siç bëjmë në shtëpizën tonë.

Mbretthi im,

Ky vend nuk është i përsosur. Por përmes gjakut dhe lotëve, me diplomaci dhe kompromis, me bisedime dhe dhembshuri, po rritet çdo ditë. Në jetën tënde dhe të fëmijëve të tu do të ngjajnë gjëra që ne sot i shohim si të pamundura. Një vend i bashkuar. Një udhëheqës nga Kosova do të na drejtojë të gjithëve. Shqipëria do të marrë pjesë në një botëror, e Korabi do të jetë shpallur kampion i Superligës Shqiptare (kjo për t’i bërë qejfin mamit).

Biri im,

Malet, luginat dhe bregu i Shqipërisë janë zilia e të gjithëve. Shqipja që ti në emër mban! Sepse ky vend ka një shpirt të pashuar. Ia ka dalë t’u mbijetojë hajnive dhe luftrave vëllavrasëse edhe këto njëqind e dy vite ashtu si askush tjetër. Si askund tjetër, i çfarëdo feje shqiptari qoftë, për të nuk ka zëra më të bukur se thirrja për t’u falur në xhami dhe këmbana e kishës.

I shtrenjti im,

Çdo ditë piqemi me njerëz që bëjnë për Shqipërinë ato gjëra që deri dje i kemi konsideruar të pamundura. Por ka shumë të tjera në listë? A ta bëjmë një listë tok?

Së pari, e më së shumti, Shqipëria duhet të fillojë të mos zbatojë verbërisht këshillat e të huajve. Kjo do të tingëllonte shumë mirë të thuhej nga një i huaj, por ç’rëndësi ka, e vërteta një është.

Së dyti, të festojmë të mirën e suksesin që kemi mes nesh. S’e kam fjalën vetëm për talentin që i kemi falur botës, por për të gjithë ata shqiptarë të thjeshtë e të ndershëm që të mirëpresin krahëhapur me bukë e kripë e zemër.

Së treti, përse të mos e shfrytëzojmë këtë njëqind e dy vjetor për të kthyer në prioritete interesat kombëtare, interesat shqiptare, mbi ato të “padronëve” të huaj? Dhe t’ua kërkojmë këtë udhëheqësve tanë me këmbëngulje .

Së katërti, a nuk ka ardhur koha të lëmë mënjanë ndasitë. Në të mirë e në të keq, të mengjërt e të djathtë, veriorë e jugorë, kemi e do të kemi vetëm njëri tjetrin.

Së fundmi, të mos harrojmë asnjëherë pikat tona të forcës. Kemi fqinjë të vështirë, por kemi edhe vëllezër fqinjë. Vendndodhja dhe diversiteti i Shqipërisë është pasuria më e madhe e këtij vendi dhe urë lidhëse mes dy kulturash. Historia jonë na jep dlirësinë shpirtërore për të cilën disa nga fqinjët tanë do të vrisnin (dhe kanë vrarë) për ta pasur.

Jemi njëqind e dy, por nuk kemi nevojë për botoks. Për kombet 102  është shumë pak për të dalë në pension. Ndaj të mbledhim fuqitë që kur të jemi 105 e 110 të kemi arritur disa nga piketat e planit tonë. Kemi dy rrugë, ose të jemi në anën e atyre që luftojnë për Shqipërinë, ose të atyre që luftojnë në të. Ky vend do të zhvillohet e begatohet.

Mbretthi im Arni,
Ti sot po shijon një ditë pushimi me mamin e babin. Unë të flas (siç bëj përherë) për këtë ditë, e ti të folurën time e ke veç muzikë për veshët. Por kjo është sfida. Vitin tjetër, do të ta shpjegoj më mirë.

Babai yt krenar,

 

*Nga blogu Argus, i Xhafer Rakipllarit

You may also like...