Librat: Bota e fshehtë e një lexuesi

Ivana Dervishi

17

Leximi i një libri është një proces ndërveprues i shqisave, mendjes dhe fantazisë. Gjatë kohës kur sytë shkasin ngadalë nëpër çdo germë të faqeve të bardha, miliona qeliza punojë për të përcjellë jo vetëm informacionin, por edhe për krijimin e një projektimi mistik që ndodh në një nga sallat e fshehta të kinemasë së mendjes sonë.

Për këtë arsye lexuesi nuk mund të jetë aspak objektiv, pasi mënyra sesi funksionojnë gjërat gjatë leximit, e shtyn atë gjithnjë e më shumë për nga subjektivizmi. Leximi është një proces i përbërë, që nxit emocione të shumëllojshme tek ai që ka pranuar të bëhet pjesë e një libri.

Është një këndvështrim interesant perceptimi i lexuesit si një faktor i brendshëm i librit. Ai nuk është thjeshtë një person i jashtëm, që zgjedh të mbajë në dorë disa fletë të gërvishtura me shkronja. Lexuesi është shumë më tepër se aq, me plot gojën ai mund të shihet si një ndryshore e ekuacionit të çdo libri.

Personazhet dhe përshkrimet, elementë të rrëfimit që prej zanafillës së librave dhe të pandashme që atëherë, nuk mundet kurrsesi të mos nxisin asnjë reagim tek njeriu, që ka përzgjedhur t`i dedikohet leximit të një historie.

Kështu, na ndodh shpesh të kemi të njohur qytete, vendndodhja e të cilëve i kapërcen hartat urbane dhe që shtrihen në hapësirën e kufizuar, por të pafundme të librave.

Fshati i përbaltur i Balzakut, kështjellat mistike të Rouling, vilat e rrënuara të Zafonit, strehimi i fshehtë i Ana Frankut, dhoma e ndriçuar prej qirinjve tek Fausti i Gëtes, fshati i 100 vjetëve vetmi të Markezit apo shtrati i metamorfozës së Kafkës, këto vështirë të lokalizohen ndokund, por tepër e thjeshtë të gjenden në hartat e tejdukshme të mendjes.

Nga ana tjetër personazhet, realë ose jo, janë një tjetër histori mahnitëse e magjisë që librat përcjellin. Të pamundur për tu harruar, të pranishëm përtej librit të mbyllur prej lodhjes së syve.

Duket se mendja nuk e pranon largësinë prej një ngjarje tërheqëse, ajo kurrë nuk heq dorë nga personifikimi i mendimeve. E thjeshtë duket për të, detyra e krijimit të një kolazhi imazhesh, që lidhin tipare të shikuara aty-këtu, për t`i dhënë jetë një njeriu që lexuesi s`e ka parë kurrë, por që e ka aq të gjallë në mendje.

Periudha që zgjat nga fillimi i leximit deri tek përfundimi i një libri, nuk është një kohë pa emocione për një lexues. Ai kurrë nuk gjen qetësinë teksa po lexon një libër, sepse mjafton shqiptimi i fjalës së parë për të bërë realitet një ndjekje imagjinare të pandërprerë.

Ndoshta, kjo është ndër të tjera edhe arsyeja përse këshillohet me kaq ngulm, leximi i ngadalshëm i një libri. Më shumë kohë për të përjetuar këtë gjueti letrare që instinktivisht i bëhet lexuesit nga personazhi.

Ngjason me një mbivendosje jetësh, emocionesh, dhimbjesh dhe dëshirash, ndaj shumë njerëz gjejnë veten tek protagonistët e tregimeve dhe frymëzohen prej tyre.

Jo rastësisht, librat e mirë kanë faqe të shprishura prej lotësh që rrjedhin pa u ndjerë, kaq i thellë është penetrimi shpirtëror që një libër ka mundësi t`i bëjë një njeriu, përmes atyre simboleve të thjeshta, të shkruara e bardha mbi të zezë.

Të jetosh me personazhet, ç`ndjesi e mrekullueshme! I përngjan një ëndrre, është një aktivitet i plotë mendor, të vraposh me atë që po e ndjekin, të puthësh me atë që dashuron, të trishtohesh me të dëbuarin, të shoqërosh atë që është i vetmuar, të fluturosh mbi fshesat e Herri Poterit apo të zbulosh misterin e mileniumit të ri me personazhet kuriozë, të cilët jepen me mish e shpirt pas kauzës së tyre.

Çfarë e ngacmon kaq shumë lexuesin? Çfarë e bën atë mik me dikë që nuk ekziston? Aftësia për të ndjerë, dëshira për t`u kuptuar, ëndrrat që duan të realizohen, shpirtrat e ndotur që duan të pastrohen, apo grimca e zjarrit të kuriozitetit që kërkon të shuhet tek e vërteta?

Përse na rreh zemra fort kur një armë shkrepet nëpër libra, kur Ofelia mbytet e trishtuar në lumë apo kur Romeo kapërdin helmin? Përse qajnë fëmijët e vegjël për lepurushin që humbi në pyll, për Borëbardhën që hëngri mollën e helmuar dhe Hirushen që mbeti në bodrum?

E vështirë të përgjigjesh, por e thjeshtë të kuptosh që fjalët janë tjetërsim i ndjenjave tona, metamorfoza e qindra shpirtrave dhe çdo histori na kujton një pjesë të jetës, pjesë e të cilës jemi dhe që e pranojmë çdo ditë.

Bota e fshehtë e një lexuesi, është miqësia e pashpjegueshme që na bën të flemë me një libër pranë jastëkut, që na lejon t`i rrëfejmë njëri-tjetrit për historinë tonë, që na bën të fortë dhe është dëshira për të vepruar, për të dalë nga hija, për t`u ndriçuar.

Lamtumirë, është fjala që thuhet nën tingujt e mallëngjimit dhe me vlerësimin e paçmuar për dikë, i cili nuk ka sy, por që mund të shikojë drejt e në shpirt, që nuk ka zë, por që flet me pëshpërimat e vetë zërit tonë, që nuk ka trup, por që është në gjendje të na përqafojë kaq fort, ‘lamtumirë’ është fjala që i themi çdo libri të mirë.

15Është libri, ilaçi i një shpirti në kërkim të shërimit, buzëqeshja në fytyrën e atij që ka humbur ndjesinë, ngjyra e munguar e tablosë jetësore.

E kupton kur ke lexuar një libër të mirë, sepse ndjehesh njëlloj si të kesh humbur një mik zemre. Bota ka miliarda libra, që fshehin miliarda botë mistike, ndaj mos hezitoni të hapni një libër, sepse ju nuk do ta lexoni atë, ai do t`ju lexojë juve.

 

You may also like...