Lufta pa fund e Paraguait

timthumbNjë konflikt i tmerrshëm dhe shumë pak i njohur vijon të tronditë një komb

The Economist, Janar 2013

Rënia e “babait të të gjithë paraguaianëve” qe edhe më e shpejtë sesa ngritja e tij. Më 2008, Fernando Lugo, një peshkop katolik dhe teolog liberal që e quante veten kampion të të varfërve, fitoi zgjedhjet presidenciale dhe theu monopolin e pushtetit të partisë Kolorado. Menjëherë pas betimit të tij, gjithsesi katër gra deklaruan njëherësh se kishin një fëmijë me peshkopin, i cili është beqar ligjërisht; Lugo pranoi atësinë për dy prej tyre. Partia Liberale, e cila e mbështeti për President, menjëherë e rrëzoi. Më 2012 ajo e hoqi nga posti pasi u akuzua se kishte keqmenaxhuar një përplasje mes policisë dhe fshatarëve pa tokë.

Në sytë e udhëheqësve të majtë të Argjentinës, Brazilit dhe Uruguait, partnerët e Paraguait në një bllok tregtar rajonal, dënimi i peshkopit me shpejtësi qe një grusht shteti. Ato pezulluan Paraguain nga blloku i tregtisë së lirë dhe kërkuan që ky vend të përjashtohej edhe nga Organizata e Shteteve Amerikane. Më 26 qershor 2012, ambasadori i Paraguait në këtë organizatë mori fjalën dhe shpërtheu” “Nëse dëshironi të krijoni një Aleancë Trepalëshe, atëherë bëjeni”, tha ai.

Shumë në sallë u habitën. Por përfaqësuesi i Brazilit u përgjigj me zemërim duke thënë se komenti qe “i panevojshëm dhe i parëndësishëm”. Në fakt, Paraguai pati folur për ngjarjen më të tmerrshme në historinë e Amerikës Latine: Lufta e Aleancës Trepalëshe, një luftë mes Paraguait dhe një koalicioni të përbërë nga Argjentina, Brazili dhe Uruguai, luftë që nisi më 1865, (në të njëjtën kohë kur Lufta Civile Amerikane po përfundonte), dhe përfundoi më 1870.

timthumbLufta e njohur në Paraguai si “lufta e ‘70” ose “Lufta e Madhe”, qe një nga humbjet më shkatërrimtare ushtarake që ka pësuar ndonjë shtet modern ndonjëherë. Sipas Thomas Whigham i Universitetit të Xhorxhias, plot 60 për qind e popullatës dhe plot 90 për qind e meshkujve të Paraguait, u vranë në luftime, ose nga sëmundjet dhe uria.

Kërkues të tjerë i vlerësojnë humbjet shumë më të ulëta në përqindje, por gjithsesi të tmerrshme në kulm. Federico Franco, pasardhësi i Lugos, së fundmi e cilësoi luftën “një holokaust”. Megjithatë, kjo luftë është shumë pak e njohur jashtë rajonit. Dhe në Paraguai, ambiguiteti moral i luftës ka bërë që shumë gjenerata udhëheqësish ta kthejnë atë në mit.

Por përplasja diplomatike me fqinjët e ka rigjallëruar debatin mbi këtë traumë kombëtare. Plot 142 vjet pasi Paraguai po përpiqet të ndërtojë diçka me përzierjen e saj të arrogancës dhe heroizmit që solli vetëshkatërrimin, tragjedia vijon të jetë përcaktuese për vendin.

Vendi modern i sheshtë dhe pa dalje në det, është një gjë pa rëndësi gjeopolitike. Ndikimi i saj i jashtëm është i kufizuar te dy diga gjigante në kufijtë e vet, eksporti i sojës që ushqen bagëtitë e Kinës, si dhe një pazar i lirë në Ciudad del Este, një qytet kufitar ku vendësit blejnë elektronikë dhe veshje, po ku ka edhe tregtarë armësh dhe mbledhës fondesh për Hezbollahun.

Por në mes të viteve 1800, gjithsesi Paraguai qe një fuqi rajonale e konsiderueshme. Vendi filloi një industrializim të shpejtë nën presidencën e Carlos Antonio López, i cili importoi ekspertë europianë për të ndërtuar hekurudhat e para të Amerikës së Jugut. Ai shëndoshi edhe ushtrinë për t’u përballur me fqinjët e vet. Argjentina e konsideronte këtë vend si një provincë rebele deri më 1852, ndërsa Pedro II, perandori i Brazilit, pretendonte tokat për të cilat Spanja dhe Portugalia kishin mosmarrëveshje.

Më 1862, López vdiq dhe u pasua nga djali i tij, Francisco Solano. I riu kërkoi respekt total dhe ndaloi njerëzit t’i kthenin kurrizin, ose të qëndronin ulur, ndërkohë që ai qe në këmbë dhe qe i uritur të vendoste një emër si shtetar i madh. Më 1864 ai gjeti rastin. Për të mbrojtur interesat e veta tregtare, Brazili kërcënoi me ndërhyrje në një luftë civile në Uruguai, një shtet i vogël mes Argjentinës dhe Paraguait.

López pati frikë se kjo mund të ndryshonte balancën rajonale të pushtetit dhe lajmëroi se Paraguai nuk do të toleronte praninë e trupave braziliane në Uruguai.

Pedro nuk ia vuri veshin dhe pushtoi Uruguain. Shpejt pas kësaj, López i shpalli luftë Brazilit dhe sulmoi krahinën e saj, Mato Grosso. Më vonë, dërgoi forca në Uruguai. Kur Argjentina i refuzoi kërkesën të transportonte trupa në territorin e saj, ai i dërgoi me dhunë. Sapo pala e mbështetur nga Brazili fitoi luftën civile në Uruguai, tri qeveritë nënshkruan një pakt sekret. Ato ranë dakord të aneksonin gjysmën e territorit të Paraguait si reparacione lufte dhe ta ndalonin atë të mbante një ushtri, si dhe të luftonin derisa López të rrëzohej nga pushteti.

Fati qe kundër Paraguait. Aleatët kundër këtij shteti kishin së bashku një popullatë 25 herë më të madhe. Paraguai bazohej në mushkëtat e epokës së Napoleonit, topa të shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe varka druri. Dhe duke qenë pa dalje në det, nuk mund të importonte armatime moderne. Aleatët zotëruan në fund pushkë me distancë të gjatë, artileri moderne dhe anije prej çeliku.

Fitore apo vdekje. Ajo qe vdekje

Pushtuesit nga Paraguai shpejt u përzunë nga Uruguai dhe Brazili dhe López propozoi paqe. Por nderi i Pedros nuk e lejoi atë të ndalojë derisa rivali i tij të rrëzohej. (Trupat e Brazilit bënë shumicën e luftimeve). Një ndjenjë e ngjashme nderi nuk e lejoi López të abdikonte, megjithëse ndoshta kjo nuk qe as alternativë. Udhëheqësi paraguaian i vetërespektuar mund t’u ishte dorëzuar kushteve të paktit sekret, por vijoi të luftonte. Ajo që filloi me një kryeneçësi, u kthye në një luftë totale dhe përpjekje për mbijetesë kombëtare.

Për tre vite, paraguaianët në dizavantazh numerik, luftuan armiqtë e tyre në një betejë llogoresh në kënetat e jugut. Uji dhe pengesat në fortesën Humaitá bllokuan avancimin e Brazilit përtej lumit. Por më 1868, shirat e furishëm rritën nivelin e lumit dhe anijet e tyre depërtuan me shpejtësi dhe arritën në kryeqytetin Asunción. Ushtria e Paraguait u dorëzua një vit më pas. Por López nuk hoqi dorë. Ai e lëvizi kryeqytetin nga një shtet në tjetrin duke marrë me vete të gjithë arkivat shtetërorë. Ai filloi të besonte për një komplot të madh kundër tij dhe burgosi e vrau mijëra nga mbështetësit e tij më besnikë, përfshirë nënën dhe motrën e vet. Vëllai i tij qe nga 700-800 të ekzekutuarit me shtizë, për të kursyer municionet.

Për shkak se López kishte marrë në ushtri çdo mashkull në Paraguai, nuk kishte krahë pune për të punuar tokën dhe uria deri në vdekje vijoi shpejt.

Shumë që mbijetuan duke konsumuar portokaj të hidhur të egër, vdiqën nga malaria, kolera e disantedia. Ndërsa meshkujt e shëndoshë vdiqën, López rekrutoi një ushtri të re me ushtarë të plagosur e fëmijë. Ai i armatosi me shkopinj që i pikturoi të dukeshin si pushkë dhe fshehu moshën e fëmijëve duke u vendosur mjekër false.

Uniformat origjinale të kuqe të ushtrisë qenë kthyer në këtë kohë në rrecka; në fund, ata luftuan lakuriq. (Sot, Paraguai e feston Ditën e Fëmijëve në përvjetorin e një beteje gjatë së cilës 2 mijë fëmijë u vranë.)

López vijoi të tërhiqej. Më 1870 ushtria e Brazilit më në fund e zuri në një cep në Cerro Corá, në verilindjen e largët. Flamuri i tij vijonte të mbante sloganin “fitore ose vdekje”, të cilin ai e respektoi duke refuzuar të dorëzohet. “Unë vdes bashkë me atdheun”, deklaroi ai para se të qëllohej për vdekje, megjithëse mbështetësit e tij thonë se në fakt, kuptimi i fjalëve të tij qe “vdes për atdheun”. Bashkëshortja e tij irlandeze, Elisa Lynch, e varrosi atë pranë djalit të tyre.

Dhe dita do të vijë

Sipas një censusi të dobët menjëherë pas lufte, vetëm 29 mijë meshkuj mbi 15 vjeç patën mbetur gjallë në Paraguai. Një vëzhgues i cilësoi të mbijetuarit “skelete të gjalla… të copëtuar në mënyrë tronditëse me plumba dhe me plagë të shkaktuara nga shpata”. Xhaguarët ecën lirisht nëpër fusha dhe bënë festë me mish njeriu. Gratë sorollateshin në rrugë lakuriq.

Lufta thjesht e fshiu elitën e vendit. Pas tetë vitesh pushtimi, vendi u drejtua nga spekulatorët nga Argjentina. Ata e cilësuan Lópezin një kasap dhe tiran dhe e hoqën atë nga historia. Ai e pati parashikuar se çfarë do të ndodhte me reputacionin e tij. “Unë do të varrosem poshtë maleve të poshtërimit”, tha ai në ditën para vdekjes. “Por dita ime do të vijë dhe unë do të ngrihem nga humnera e shpifjeve për të marrë vendin që më takon në histori”.

Koha e provoi këtë. Nga vitet 1920, tensioni po rritej me Bolivinë mbi rajonin Chaco, që gabimisht besohej se qe i pasur me naftë. I etur për të ngritur ndjenjat nacionaliste, qeveria e riktheu Lópezin si një simbol të shpirtit luftarak të vendit.

Mes viteve 1932 dhe 1935, dy vendet hynë në luftë. Kësaj here Paraguai fitoi. Ushtarët indigjenë të Bolivisë nuk kishin ndër mend të luftonin për komandantët e tyre të bardhë dhe nuk mund të kuptonin sinjalet radiofonike të Uruguait të dhëna në gjuhën guarani. Uniformat e tyre prej leshi i lanë të dehidratuar në krahinën e thatë.

Ndërsa krenaria e Paraguait u rivu në vend, mbetjet e Lópezit u vendosën në një varr monumental në kryeqytet. Sot, el mariscal (“mareshali”) është ikona e pamundshme e vendit. Një portret i tij varet mbi kokën e Presidentit në zyrën e tij në pallatin López, të ndërtuar prej tij. Shpata e tij është ekspozuar me kujdes.

Megjithatë, pavarësisht kësaj historie shenjtori të ngathët, Paraguai ka bërë shumë pak për të treguar historinë e vërtetë të luftës. Asunción nuk ka muze historie; fushëbetejat kryesore janë neglizhuar. Humaitá tashmë është një fshat peshkatarësh, ku mund të shkohet vetëm përmes një rruge balte që shpesh bllokohet nga kafshët. Lumi lëviz disa metra në lindje çdo vit, duke marrë kufirin me Argjentinën. Tashmë rrezikon që të përmbysë mbetjet e një kishe të shkatërruar nga pushtuesit.

“Atë që nuk e morën me luftën, tashmë po e marrin nga lumi”, thotë Vicenta Mirando, një mësues vendës. Masakrat më të mëdha të luftës ndodhën në Piribebuy, 80 kilometra në lindje të kryeqytetit. Këtu brazilianët i prenë fytin çdokujt që arritën të kapin dhe mbyllën dyert e një spitali përplot me njerëz para se t’i vinin flakën.

Një reliev i pamëshirshëm betoni ku ilustrohet tmerri, është ndërtuar aty; qyteti ka financuar ndërtimin e një muzeu me një dhomë, ku përfshihet një tufë e vogël me flokë të bërë bishtaleca që u hoqën nga një varr masiv poshtë kishës e shekullit të tetëmbëdhjetë. Vetë kisha nuk ka shenja për historinë e varrosur nën dyshemenë e saj me pllaka të kuqe.

Dhe nuk është thjesht e shkuara

Pezullimi i Paraguait nga blloku i tregtisë së lirë solli rigjallërimin e nacionalizmit. Asunción u përmbys me postera ku lavdërohej sovraniteti i vendit. “Ne nuk do të pranojmë mbikëqyrje të huaj”, thotë Presidenti Franco. “Ky është një vend i varfër, por me dinjitet. Është i varfër, si pasojë e një lufte të padrejtë”. Ai kërkon që Brazili të rikthejë një top simbol të luftës për Paraguain, që qe prodhuar duke shkrirë kambanat e kishave.

Ngjarja e fundit ka rritur gjithashtu simpatinë për Lópezin mes disa njerëzve. “Kam qenë duke rimenduar për ‘el mariscal’”, thotë Esteban Burt, një avokat. “Aleanca Trepalëshe deklaroi se shkarkimi i një keqbërësi qe e gabuar dhe se paraguaianët duhet të ndëshkohen. Ne nuk e kemi dëgjuar këtë lloj gjuhe që nga 1870-a”. Burt mendon se arkivat braziliane të kohës së luftës, të cilat u deklasifikuan si sekret këtë vit, do të tregojnë se aleatët patën komplotuar për shkatërrimin e Paraguait shumë vite para se të fillonte lufta.

Por karriera e Lugos vë në dukje aspekte të tjera të trashëgimisë së krijuar nga lufta. Zgjedhja e tij u festua gjerësisht për shkak se u dha fund 61 viteve sundimi të pandërprerë nga Partia Kolorado. Nga këta, 35 vjet qenë nën sundimin e Alfredo Stroessner. Ndodhi pikërisht gjatë kohës së Stroessner që kulti i López arriti kulmin. “Theksimi i suksesit, vetësakrifikimit, modeleve autoritare dhe armiqve të brendshëm qe një propagandë shumë e përshtatshme për mbështetësit e Stroessner”, shpjegon historiani Whigham. Shteti autoritar i tij “legjitimoi veten duke krijuar një linjë të drejtpërdrejtë paralelizmi me mareshalin”.

Depopullimi i kohës së luftës ndikoi gjithashtu politikat e Stroessner. Qeveritë e pasluftës shpërndanë broshura duke u ofruar emigrantëve udhëtim falas për në Paraguai dhe tokë. Një seri kolonish utopike u krijuan, përfshirë “Australia e Re” si dhe “Nueva Germania”, një koloni racistësh arianë, që u bashkëthemelua nga motra e Niçes (Friedrich Nietzsche), ku flamuri gjerman vijon të valëvitet. Më 1931, trashëgimtarët e atij grupimi krijuan partinë e parë naziste jashtë Gjermanisë. (Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, qeveria e Paraguait simpatizonte hapur Hitlerin. Drejtori i policisë kombëtare ia vuri emrin djalit të vet, Adolfo Hirohito; kadetët e policisë mbanin zvastika në uniformat e tyre.

Një gjerman tjetër që erdhi në Paraguai qe i ati i diktatorit të ardhshëm Stroessner, një bavarez. Vetë Stroessner nuk kishte lidhje direkte me nazistët e Paraguait, por ndante shumë instinkte me ta: Më 1974, ai u akuzua nga OKB për kryerjen e një gjenocidi kundër popullatës indigjene Aché. Ai strehoi shumë kriminelë nazistë lufte, përfshirë Josef Mengele.

Tradita e tij autokratike mund të ketë ndikuar edhe qëndrimin mospërfillës së Lugos ndaj politikanëve të tjerë, një faktor kyç ky që solli edhe rënien e tij. Liberalët e braktisën atë pjesërisht për shkak se besuan se mbështetja që i dhanë nuk u shpërblye në masën e duhur me politika dhe vende pune. Në vend të tyre, Lugo e mbushi qeverinë e vet me aleatë të majtë.

Por armiqësimi me liberalët i kushtoi atij Presidencën, për shkak se e majta në Paraguai qe tepër e dobët për ta mbrojtur. Edhe kjo gjë i ka rrënjët te lufta. “Ekonomia jonë nuk i kapërceu kurrë deficencat e imponuara nga lufta”, shpjegon Jorge Rubiani, një arkitekt dhe shkrimtar, “pra ne nuk patëm kurrë një strukturë industriale për të krijuar një vetëdije klasash”.

Edhe preteksti për heqjen e Presidentit duket se i ka rrënjët te konflikti. Para vitit 1865, shumica e tokës këtu qe nën pronësinë e shtetit. Për të paguar reparacionet, qeveritë e pasluftës shitën parcela të stërmëdha toke te pronarët argjentinas. Ndarjet e gjera në hartën e Paraguait më 1880 u referoheshin posedimeve private, jo provincave.

Ato prona të përqendruara vijojnë të ngatërrojnë vendin: mes tyre është një fermë ku policia hapi zjarr ndaj fshatarëve rebelë në qershorin e kaluar.

Edhe vetë problemi i parë i Lugos, skandali seksual i tij, mundet në një farë mënyre të lidhet me luftën. Marrëdhëniet seksuale në Paraguai kanë qenë gjithmonë të hapura: më 1554 një prift spanjoll e cilësoi vendin si “parajsa e Muhamedit”, pasi pa bashkëkombësit e tij duke fjetur me shumë gra indigjene, një sjellje që ai e cilësonte si islamike. Në mes të viteve 1800, shumica e shtëpive të Paraguait udhëhiqeshin nga señoras, të cilat shpesh përshkruheshin duke mbajtur ushqim mbi krye të veshura me fustane të bardha pambuku. Ata çiftoheshin me meshkuj kalimtarë endacakë.

Por edhe kjo traditë, nuk e përgatiti shoqërinë për atë çfarë ndodhi pas lufte. “Burra pa modesti mund të gjenden edhe në korridoret e kishës apo në varrezë, duke skandalizuar madje edhe ditën për diell me ngopjen e pasioneve të tyre brutale”, shkruante një gazetë në atë kohë.

Askush nuk e di nëse seksi i hapur në rrugë qe përdhunim, prostitucion apo pasojë e privilegjeve që gëzonin burrat e paktë të mbijetuar nga lufta për shkak të raportit të prishur meshkuj/femra. Lugo ndoshta nuk e ka kuptuar në kohë se sa shumë kanë ndryshuar nga ajo kohë standardet morale të vendit. “Lugo qe zgjatja kulturore e idesë se ne duhet të popullojmë vendin”, thotë Benjamín Fernández Bogado, një gazetar. “Lindja e fëmijëve sa më shumë të qe e mundur nuk qe një problem. Madje edhe priftërinjtë mund të kishin fëmijë”.

Dhuna seksuale gjatë vetë luftës krijoi edhe sjellje kundrejt racave. Në mënyrën e vet, Paraguai është një kazan i përzier fort: zona rurale është përplot me fshatarë biondë me sy blu, të cilët flasin rrjedhshëm guarani dhe me vështirësi spanjishten. Megjithatë, propaganduesit e López u përpoqën të krijojnë një paragjykim ndaj ushtrisë braziliane, e cila qe në masë e përbërë nga skllevër afrikanë, të cilëve u qe premtuar liria në këmbim të luftës. Propaganduesit e konsideronin perandorin e Brazilit “kreu i një fisi majmunësh”. Kjo propagandë vijon të godasë edhe sot. “Kambát përdhunuan gratë tona”, thotë Miguel Ángel nga muzeu Piribebuy, duke përdorur fjalën e gjuhës guaraní për afrikanët. Legjenda thotë se foshnjat që lindën me ngjyrë, u vranë.

Vendi që mund të bëhej

Ndoshta tragjedia finale e luftës është se ajo është shumë pak e njohur jashtë vendit. Fernández Bogado mendon se kjo nuk është rastësi. “Bota nuk është një vend i mirë për ne”, thotë ai. “Është një vend i rrezikshëm komplotesh dhe vdekjeje”. Për paraguaianët, shpjegon ai, suksesi është një paralajmërim për rrezikun: kur skuadra kombëtare e futbollit bën gol, “kjo gjë na bën ne nervozë dhe na fut në panik”.

Gjuha guaraní vijon të flitet nga 80 për qind e popullatës dhe kohët e foljeve i ka shumë të ndryshme nga gjuhët perëndimore. E ardhmja është e pasigurt: fjala “nesër” në gjuhën vendëse në fakt është “nëse dielli lind”. E shkuara ndahet në dy folje, njëra tregon se çfarë ka ndodhur dhe tjetra, çfarë do të duhej të ndodhte, por në fakt nuk ndodhi. Nëse ndërpret jetën seminariste, atëherë bëhesh “duhej të kishe qenë prift”; një fejesë e prishur cilësohet si “mund të kishe qenë grua”

Paraguaianët vijojnë të vdesin në aksidente ndërsa janë duke gërmuar për thesare që legjenda thotë se janë groposur nga paraardhësit e tyre gjatë luftës. Ndoshta ata mund ta kuptojnë konfliktin vetëm në gjuhën e tyre të nënës. Ata e dinë shumë mirë se cilat janë shqetësimet e vendit ku jetojnë, por nuk harrojnë kurrë vendin që ndoshta do të qe bërë po të mos kishte qenë lufta.

You may also like...