Lufta për identitetin e xhamisë-katedrale të Kordobës

Përpjekja e vazhdueshme për të gjetur rrënjët, apo gurin e themelit të ndërtesës madhështore me ca manipulime faktesh gjatë rrugës.

ERIC CALDERWOOD, Foreign Policy

Pjesa e Parë: Rikonkuista e Xhamisë së Kordobës

Murgeshat po vizitojnë xhaminë e Kordobës më 14 tetor 2014. GERARD JULIEN/AFP/Getty Images)

Murgeshat po vizitojnë xhaminë e Kordobës më 14 tetor 2014. GERARD JULIEN/AFP/Getty Images)

Zhdukja për një kohë të shkurtër e xhamisë nga hartat Google në nëntor është vetëm një nga kapitujt mbi mosmarrëveshjet për emrin dhe kuptimin e monumentit. Që nga viti 2006, Kapitulli i Katedrales së Kordobës, dega e Kishës Katolike që e administron atë, është përpjekur gradualisht të zhdukë fjalën “xhami” nga titulli i monumentit si dhe nga publikimet e shtypura apo në internet të tij, ku aktualisht zyrtarisht quhet “Katedralja e Kordobës.”

Kisha ka rishikuar gjithashtu informacionin turistik për objektin në mënyrë që të theksojë identitetin e saj kristian. Broshura zyrtare turistike e vitit 1981 e cilësonte strukturën si “monumenti më madhështor i Perëndimit Islamik” dhe e quante atë simbol të “stilit Hispano-Musliman dhe arritjen më të lartë të këtij stili.” Por në mes të viteve 2000, gjithsesi, kisha nxorri në qarkullim një broshurë të re në hyrjen e së cilës nuk përmendet e shkuara islamike e monumentit dhe, në vend të saj, thekson se ndërtesa “qe shenjtëruar si kryekisha e Dioqezës në vitin 1236.” Broshura vijon më tutje, “që nga ajo kohë dhe pa pushuar asnjë ditë, ky tembull i bukur dhe madhështor, Katedralja e Kapitullit ka celebruar lutjen solemne dhe bashkësia kristiane mblidhet këtu për të dëgjuar Fjalën e Zotit dhe për të marrë pjesë në Sakramentet.” Hyrja mbyllet duke i kërkuar vizitorit të Katedrales “të respektojë identitetin e këtij tembulli kristian.” Periudha e sundimit Musliman është vendosur në një cep të titulluar “Ndërhyrja Muslimane.”

Në fakt, broshura e re synon të bindë vizitorin se ndërtesa qe kristiane para se të qe muslimane dhe se të pestë shekujt e sundimit musliman qenë thjeshtë një parantezë në historinë e gjatë të Kordobës si një qytet kristian. Arkeologjia luan një rol të rëndësishëm në këtë narrativë. Kisha ka financuar gërmime në përpjekje për të dokumentuar ekzistencën e një kishe Visigote, Basilikës së Shën Vinçensit, poshtë pjesës më të vjetër të xhamisë. “Është një fakt historik,” deklaron broshura, “që Basilika e Shën Viçensit u shpronësua dhe shkatërrua në mënyrë që mbi të të ndërtohej xhamia në periudhën islamike.”

Sot, kur ti viziton monumentin, gjëja e parë që të del përpara është një vrimë e mbuluar me xham në dysheme, përmes të cilës ti mund të shohësh mozaikë të zbuluar, për të cilat një pllakat aty afër thotë se janë nga Basilika e Shën Viçensit. Pavarësisht kësaj, rikonstruksioni arkeologjik i narrativës së kishës është, në rastin më të mirë, thjeshtë një spekulim. Historiania e artit Susana Calvo Capilla, një specialiste e rëndësishme në historinë e ndërtesës, argumentoi në një leksion publik në Kordobë në tetorin e kaluar se zbulimet arkeologjike nuk ofrojnë asnjë provë të qartë për ekzistencën e një kishe në vendin ku xhamia u ndërtua në shekullin e tetë.

Sulmi i kishës mbi emrin e monumentit dhe trashëgiminë muslimane ka shkaktuar zemërim publik në Kordoba, por kjo nuk u bë një çështje e rëndësishme kombëtare apo ndërkombëtare deri vitin e kaluar. Rikthimi i vëmendjes te ky problem erdhi në përgjithësi nga ndërhyrja e një grupi aktivistësh të Kordobës të cilët e quajnë veten “Platforma për Xhaminë-Katedrale të Kordobës.” Grupi nisi një peticion në internet në fillim të vitit 2014, duke kërkuar që fjala “Xhami” të rikthehet në emrin zyrtar të monumentit dhe bëri thirrje që ndërtesa të administrohet nga një autoritet publik dhe jo nga Kisha Katolike. Peticioni tashmë ka 400 mijë firma, përfshirë njerëz të rëndësishëm të kulturës si arkitekti britanik Norman Foster dhe shkrimtari spanjoll Juan Goytisolo. Përveç kësaj, aktivitetet e platformës kanë tërhequr vëmendjen e shumë mediave ndërkombëtare, përfshirë BBC dhe Al Jazeera. Në dhjetor 2014, Organizata Islamike për Arsimin Shkencën dhe Kulturën (ISESCO), e cila përfaqëson 52 vende anëtare, lëshoi një deklaratë ku dënohej ndryshimi i emrit, duke e quajtur atë “një përpjekje për të fshirë simbolet e historisë islamike në Andaluzi dhe një provokim për muslimanët nëpër të gjithë botën, veçanërisht për muslimanët e Spanjës.”

Për anëtarët e platformës, xhamia-katedrale është më shumë se sa një ndërtesë. Ajo është “një paradigmë universale dakordësie mes kulturave,” shkruhet në peticionin e tyre. “Ideja themelore e paradigmës së Kordobës është që të rekuperojë madhëstinë historike të asaj që Kordoba qe në shekujt e 9 dhe të dhjetë,” tha zëdhënësi Miguel Santiago — për ta ruajtur atë si një “fanar ndërfetar” për muslimanët, katolikët, hebrenjtë dhe të gjitha religjionet e tjera.

You may also like...