Machiavelli i shkruan Ramës: Kujdes me Mirelën, është rrezik më i madh se sa Luli

machiavelli_statue-2-e1410376996593I dashur Edi,

Me habi vërejtja dalldisjen e qeverisë tënde dhe të militantëve të tu pranë medias për të sulmuar një 24 vjeçare, e cila, nga ana e saj, kreu atentatin spektakolar ndaj ministres tënde të arsimit.

Mirela dukshëm e ka menduar mirë sulmin e saj si një tentativë për të të prishur dasmën, ose dasmat dhe për të të mbajtur peng të një debati pa sens se cila është Mirela dhe cilët janë mbështetësit e tu në qeveri.

Sulmi i saj hileqar, i paramenduar për t’u filmuar me celular dhe për të bërë xhiron e rrjetit, qe me të vërtetë një goditje e shkëlqyer propagandistike për të. Shumë njerëz mund të mendojnë se është gabim që të sulmohet fizikisht dhe simbolikisht një zyrtar, aq më keq, një grua. Por dukshëm shumica e shqiptarëve, për fatin tënd të keq, nuk e fshehin dot ngazëllimin që i shkakton ky sulm. Logjika e qytetarëve është se qeveria jote i dhunon çdo ditë kështu që, kur Mirela dhunoi simbolikisht Linditën, të gjithë identifikohen me Mirelën dhe jo me Linditën. Ky është një rrezik i madh. Imagjino sikur shumë shqiptarë të tjerë të zbulojnë metodën e Mirelës për të sulmuar çdo ministër apo deputet, apo, qoftë larg, edhe ty vetë sa herë që del për t’u takuar me popullin.

E di se është e rëndë, por mendoj se ke vepruar shumë gabim duke nxjerrë figura të tilla si Pandi, Elisa, Keti e të tjera, për të sulmuar Mirelën për shishen e salcës. Duke qenë se Mirela është 24 vjeç, ti duke nxjerrë figura të tilla i jep më shumë peshë asaj nga sa duhet t’i japësh, ndërkohë që djeg mbështetësit e tu nga të rinjtë, si Elisa, Olta apo Keti, të cilat ti vetë i ke përcaktuar si figura që duhet të buzëqeshin, por të mos flasin, sepse po folën, tregojnë se sa budallaqe janë.

Situata me Mirelën është e rrezikshme dhe serioze. Mënyra e vetme për t’i bërë ballë asaj është që të shpresosh se do të harrohet. Nëse vijon të sulmosh Mirelën me të gjithë batarenë e propagandës tënde, atëherë po bën një gabim të madh. Imagjino se sa keq do të qe për ty, tashmë që pritet të fillojë fushata, kur shumë Mirela të të zënë pritë në çdo takim elektoral dhe të të hedhin nga një vezë, a një domate a një lëkurë bananeje. Në vend që të shpjegosh se sa mirë kanë ecur punët e vendit gjatë udhëheqjes tënde të ndritur, do të jesh duke vuajtur që të heqësh erën e vezëve të prishura nga kostumet e shtrenjta.

Kështu pra, këshillat e mija për ty janë këto:

Dil e lavdëroje Mirelën dhe thuaji se nuk të ka mbetur hatri dhe se e mirëkupton vuajtjen e saj por se ajo është e keqkuptuar. Si me stil ndërhy pranë Gjykatës dhe prokurorisë për të mbyllur akuzat ndaj atyre dy vajzave që të goditën me vezë. Tregohu bujar dhe dashamirës. Thuaji se edhe ti në rini ke qenë i tillë, (pavarësisht se nuk ke qenë), por se njeriu, kur rritet, kupton se bota është më e komplikuar se sa procesi i hedhjes së një koqe veze mbi autoritetin, apo të derdhjes së një shishe me salcë.

Pastaj urdhëro të gjithë syleshët e tu në media të mos thonë asnjë fjalë për të. Sa më shumë ata shajnë Mirelën, aq më shumë dëm i bëjnë vetes. Jo se ka ndonjë problem që dëmtojnë veten, por duke dëmtuar veten, të dëmtojnë ty.

Ki parasysh se sa më shumë e shan Mirelën, aq më shumë mirela ka rrezik të frymëzosh dhe dije se salca është një mall që shitet lirë.

Nëse vijon t’i përndjekësh të rinjtë si Mirela, dëmi që do të pësosh është shumë i madh. Ka plot të rinj që nuk e kanë problem të rrinë disa orë në komisariat për të dalë në media dhe për të bërë heroin. Nëse përpiqesh t’i shpjegosh popullit se dëshira për t’u bërë hero është shtytja dhe jo shqetësimi real mbi gjendjen e arsimit, atëherë bën një gabim të madh. Një lloj shpjegimi i tillë është i pamundur. Populli po vuan dhe ti e di mirë se po vuan. Pavarësisht se çfarë arsyesh mund të ketë Mirela për të hedhur salcën mbi Linditën, popullit i bëhet zemra mal. E vetmja mënyrë për të menaxhuar këtë situatë është injorimi dhe lënia në harresë, jo sulmimi.

You may also like...